EmailFacebookKontakt

Gjergj Kastrioti dhe familjarët e tij në kontekstin historik kishtar të shek. XV

Jetën e Gjergj Kastriot Skënderbeut studiuesit e ndajnë në dy periudha. Kufiri ndarës i tyre është kthimi përfundimtar i Heroit tonë në qytetin e Krujës, në vitin 1443. Shkaku i vështirësive studimore të periudhës së Gjergj Kastriotit është se historianët dhe studiuesit, qofshin të huaj apo vendas, marrin ose jo parasysh pasaktësitë dhe mungesat e të dhënave burimore të autorëve të mëparshëm dhe nxjerrin konkluzione të ndryshme. Ashtu si dhe historianët osmanë, të cilët kopjuan kronikat e mëparshme osmane dhe ndonjëherë ndryshuan vitet, gjë që solli tek të gjitha studimet e mëvonshme ngatërrim sistematik episodesh dhe ngjarjesh.

Megjithatë, siç dihet, Gjergj Kastrioti rridhte nga një familje që identitet dhe etnitet shpirtëror të saj kishte Krishterimin e traditës arbërore, Orthodhoksinë. Kështu, mbështetur në traditën shpirtërore dhe familjare të Kastriotëve, Gjergj Kastrioti lindi orthodhoks. Çështjet që lidhen me familjen e Gjon Kastriotit, si besimi i tyre, kur u morën peng ose jo djemtë e tij, vrasja ose jo e vëllezërve të Gjergj Kastriotit nga Sulltani etj., ndriçohen mjaft, nëse studiuesit do t’u referoheshin të dhënave agjiografike.

Në këtë aspekt, rëndësi të veçantë kanë aktet e Hilandarit, dokumentet më të vjetra që përmendin emrin e Gjergj Kastriotit. Këto dokumente agjiografike, të cilat lidhen me historinë e manastirit dhe familjes Kastrioti, përmbajnë të dhëna të plota për periudhën e rinisë së Gjergj Kastriotit, sidomos për aspektin fetar, i cili ndikoi në qëndrimet e tij princërore. Në përmbajtje të Akteve të Hilandarit, Gjoni dhe katër djemtë e tij (Stanishi, Reposhi, Kostandini dhe Gjergji) i ofrojnë Manastirit të Hilandarit dy fshatra si dhe Kishën e Shën Marisë të krahinës së Pollogut, si metoqe dhuratë prej tyre. Kurse Akti i dytë, i nënshkruar prej të njëjtëve, bën fjalë për blerjen e Pirgut të Shën Gjergjit dhe dhënies së 60 florinjve nga Gjoni dhe tre djemtë e tij. Akti i parë daton në vitin 1426. Ndër të tjera, në to Gjoni shkruan: “unë mëkatari dhe i pamerituari..” dhe “^i dhuruam Manastirit të shenjtë sipas fuqisë sonë^”. Këto shprehje tregojnë shpresëtarinë e tyre të thellë. Dhurimi sipas dëshirës dhe mundësisë është vepër e pastër shpirtërore ndaj manastirit orthodhoks.

Në këtë kohë, manastiri i Hilandarit arriti kulmin e tij. Ai njohu bamirësi nga hegjemonët serbë Stefan dhe Sava Nemanja, ndërtues të manastirit me miratimin e perandorit të Konstandinopojës, Aleksit III, në fund të shekullit XII. Në vitin 1326, Hilandari bleu manastirin e Shën Nikollës “Skorpiu”, që iu bashkëngjit të parit dhe më pas, atë të Shën Vasilit, që thërritej “Manastiri i Pirgut”.

Në vijim, Hilandarit iu bashkëngjitën manastiret: i Komitissis, Kalika, Paparkiki, Omologjitu, Strovileas dhe Shën Gjergjit. Ky i fundit na intereson më tepër, sepse këtë posedoi Gjoni dhe të tre djemtë, të cilin e blenë kundrejt një vlere (siç shkruhet më poshtë në akt). Murgjit e manastirit i shesin Gjonit dhe djemve, Reposhit, Kostandinit dhe Gjergjit, këtë manastir të Shën Gjergjit, që nga murgjit thërritej: “Pirgu i Shën Gjergjit” dhe më pas mori emrin: “Arbanski Pirg” (Pirgu i Shqiptarëve), bashkë me vreshtat dhe katër adelfatet, nga një për çdo blerës. Manastiri kishte fshatra metoqe në varësi të tij, në zonën e Maqedonisë, Arbërisë dhe të Dukagjinit. Vetëm në këtë të fundit kishte 193 fshatra metoqe. Këto më sipër faktojnë pasuritë e shumta të Hilandarit dhe hedhin poshtë tezën se ky manastir kishte nevojë t’i shiste Gjon Kastriotit dhe djemve për të përfituar ekonomikisht.

Në përmbajtje të Aktit të Dytë, i cili pranohet se daton më vonë, përmendet Gjoni dhe tre djemtë e tij Reposhi, Konstandini dhe Gjergji, ndërsa djali i madh, Stanishi, nuk përmendet, ashtu si edhe në Aktin e Parë. Në lidhje me këtë, studiuesit komentojnë se mospërmendja e djalit të madh nga Gjon Kastrioti, është e lidhur me faktin se në këtë kohë, ai ishte islamizuar.

Prania e djemve në këto vite të nënshkrimit të akteve te babai i tyre, sipas Kristo Frashërit, na lë të kuptojmë se Skënderbeu qëndroi “vetëm tre vjet në Akademi Ushtarake”. Siç duket, ndërrimi i fesë së Stanishit, mjafton për Gjon Kastriotin, që përpara bindjes shpirtërore të tij dhe murgjve orthodhoksë të Hilandarit, të mos e vendoste emrin e djalit të madh në Aktin e Dytë, duke mos e përfshirë kështu në blerjen e Pirgut apo të ndonjë adelfati.

Dr. Thoma Shkira