Më 8 janar 2023, në Kishën Katedrale të Lefkosisë, që mban emrin e Apostull Varnavës, nxënës i Apostull Pavlit dhe themelues i Kishës së Qipros, u celebrua Fronëzimi i Kryepiskopit të Justinianës së Re dhe Gjithë Qipros, Fortlumturisë së Tij Georgios III.
Kisha jonë u përfaqësua nga Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri. Në darkën zyrtare që u mbajt me këtë rast, në prani të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse të Qipros, përfaqësive të Kishave të tjera pjesëmarrëse, të dërguarve të Vatikanit, Presidentit të Qipros, dhe personaliteteve të jetës politike, akademike dhe ekonomike, u lexua mesazhi që Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, i dërgoi i Kryepiskopit të ri të Qipros, shoqëruar nga dhurata plot simbolikë e ikonës së Ngjalljes së Krishtit.
Teksti i plotë i letrës së Kryepiskopit është si vijon:
“Fortlumturi, Kryepiskop i Justinianës së Re dhe i Gjithë Qipros, vëlla dhe bashkë-meshtar i dashur e fort i shtrenjtë më Krishtin, Imzot Georgios, Fortlumturinë Tuaj duke puthur, shprehim nderimin tonë.
Pasi kemi përshëndetur përzemërsisht (letra jonë e dt. 24 dhjetor 2022) zgjedhjen Tuaj si Kryepiskop i ri i Justinianës së Re dhe i Gjithë Qipros, në zëvendësim të vëllait fort të dashur të ndjerë, Krisostomit II, me gëzim morëm letrën miqësore të Fortlumturisë Suaj, përmes së cilës zyrtarisht na lajmërohet zgjedhja Juaj me hirin e Perëndisë si Kryepiskop i Justinianës së Re dhe i Gjithë Qipros.
Sipas traditës kishtare, duke uruar shpirtërisht përsëri me rastin e marrjes së përgjegjësisë historike në Kishën Apostolike të Qipros, drejtojmë lutje të nxehtë më Zotin, që të ruani besimin orthodhoks të pacenuar dhe të pandryshuar dhe, duke shffytëzuar dhuntitë Tuaja të perëndifalura, të udhëhiqni popullin e zgedhur orthodhoks të ishullit martirik me mençuri depërtuese, dashuri të pashtershme, durim të palëkundur, duke punuar gjithmonë për fuqizimin e unitetit të Kishës Orthodhokse dhe rrezatimin gjerësisht të së Vërtetës, Dashurisë dhe Bukurisë së zbulesës më Krishtin.
Nga thellësia e zemrës lutemi që Zoti Perëndi t’ju fuqizojë “të ecni denjësisht për Zotin, për t’i pëlqyer atij në të gjitha, duke sjellë pemë në çdo punë të mirë, dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë; duke u forcuar me çdo lloj fuqie, sipas pushtetit të lavdisë së tij për çdo durim e zemërgjerësi me gëzim; duke falënderuar Atin, i cili na bëri të denjë të kemi pjesë në trashëgimin e shenjtorëve në dritë” (Kol. 1:10-12).
Duke përqafuar shenjtërinë Tuaj, mbetemi me nderim të madh dhe dashuri vëlazërore të thellë më Krishtin Jisu “Perëndinë që u fanes dhe ndriçoi botën”.
Tiranë, më 4 Janar 2023
Ikona e Ngjalljes së Krishtit, e punuar në Shqipëri, në kuadrin e përpjekjes që bëhet për kultivimin dhe perfeksionimin e artit ikonografik bizantin, shoqërohej gjithashtu nga një urim më personal me përmbajtje thelbësore për Primatin e Kishës së Qipros:
“Me rastin të fronëzimit Tuaj, po ju dërgojmë ikonën e Ngjalljes së Krishtit, dhuratë modeste simbolike, me urimin e nxehtë që, fryma kryqngjallësore të frymëzojë dhe përcaktojë baritimin Tuaj kryepiskopal.
Anastasi, më 4.1.2023
Kryepiskopi i Qipros, Imzot Georgios, i cili vite më parë, nga pozita si Mitropolit i Pafos kishte vizituar treva të Kishës sonë Orthodhokse në Shqipëri, falënderoi ngrohtësisht përfaqësinë e Kishës sonë për pjesëmarrjen në Ceremoninë e Fronëzimit të tij. Shprehu mirënjohje të përzemërt për Kryepiskopin Anastas, të cilin e ka pasur profesor në Fakultetin e Theologjisë në Athinë, si: “mësues të urtë dhe shembull në vijim të jetës priftërore”. Shprehu gjithashtu gëzimin e tij personal si dhe të mbarë Kishës së Qipros për rezultatet e mrekullueshme në ringritjen e Kishës sonë Orthodhokse nga gërmadhat e persekutimit ateist, falë përpjekjes hierapostolike titanike të Kryepiskopit Anastas.
Kisha dhe populli vëlla Orthodhoks i Qipros ka mbështetur gjithnjë përpjekjen e rigjallërimit të besimit në vendin tonë, si dhe kontributin social për lehtësimin e varfërisë, përmirësimin e kushteve në zona rurale, nismat në arsim etj.
Përse i “Justinianës së Re”?
Në shek. VII, për shkak të pushtimit të Qipros nga arabët, episkopatat dhe populli u vu para rrezikut të shfarosjes. Prandaj, nën kujdesin e Perandorit Bizantin Justinian, u zhvendosën në brigjet e Helespontit, në Detin e Zi, ku u ndërtua enkas një qytet. Në nderim të Perandorit mirëbërës, e quajtën Justinianë të Re dhe këtë titull e ruan Kryepiskopi i Qipros që nga rikthimi në vitin 698, pas rimarrjes në kontroll të ishullit nga Bizanti.
Kisha Orthodhokse e Qipros gëzon autoqefali që në shekujt e hershëm të Perandorisë Bizantine, të rikonfirmuar zyrtarisht nga Sinodi III Ekumenik.
Kryepiskopi i Qipros ka privilegje perandorake të sanksionuara dhe të veçanta sikundër: të mbaj skeptër mbretëror në vend të patericës kryepriftërore, të veshë mantel të kuq gjatë celebrimit të shërbesave dhe të firmosë me bojë të kuqe (kinavari).
Kryepiskopi Georgios III
Kryepiskopi i ri i Qipros ka lindur në maj 1946. Deri në zgjedhjen e tij, më 24 dhjetor 2023, nga Sinodi i Shenjtë i Kishës së Qipros (i parapriu sipas Statutit të Kishës lokale votimi mbarëpopullor për përcaktimin e tre kandidatëve), ishte Mitropolit i Pafos, i zgjedhur dhe fronëzuar në dhjetor 2006. Ka studiuar fillimisht për Kimi (1968-72) në Universitetin e Athinës dhe më vonë po aty në Fakultetin e Theologjisë (1976-1980). U hirotonis dhjakon në vitin 1984 dhe një vit më vonë në gradën e priftërisë. U hirotonis episkop në vitin 1994, me titullin i Arsinoës. Deri në zgjedhjen si Mitropolit i Pafos jepte mësime në kimi dhe teologji në sistemin e arsimit të mesëm të Qipros.
O. B.