Martiri i lavdishëm i Krishtit, Anastasi, lindi në Persi dhe ishte biri i një magjistari. Jetoi në kohën kur mbreti pers, Kosroi, pushtoi Palestinën, grabiti qytetin e shenjtë të Jerusalemit dhe mori me vete Kryqin e çmuar e jetëbërës të Shpëtimtarit (614).
Pasi u lirua nga shërbimi ushtarak, djali i ri, i cili atëherë quhej Magundat, mësoi për mrekullitë e shumta që Trofeu i shenjtë kryente kudo që shkonte dhe në zemër i ishte ndezur zjarri që Krishti erdhi të përhapte në botë; ndaj pyeste me etje të krishterët që t’i shpjegonin misterin e Birit të Perëndisë, që u bë njeri dhe vdiq në Kryq për shpëtimin tonë.
Tërë qenien e tij e përshkoi dashuria e Krishtit, hoqi dorë nga të mirat, i braktisi prindërit dhe atdheun dhe shkoi në Hieraf, në Siri, te një argjendar persian i krishterë, dhe i kërkoi të pagëzohej sa më shpejt. Duke qenë se bujtinari po vononte nga frika e persëve, i riu shkoi për t’u lutur i vetëm në kishë. Skenat e martirizimit të paraqitura nëpër muret e kishës nxitën tek ai dëshirën e zjarrtë për përsosmërinë me anë të sakrifikimit me gjak. Si dreri i etur që vrapon drejt burimit të ujërave, shkoi në Jerusalem ku u pagëzua nga Patriarku, shën Modesti (kujtohet më 16 dhjetor), me emrin Anastas (ngjallje).
Prej andej u bë murg në manastirin fqinj të Shën Anastasit. Igumeni Justin e besoi te njëri prej murgjve më të vjetër dhe i riu mësoi prej tij gjuhën greke, Psaltirin përmendësh dhe u tregua i përsosur në të gjitha virtytet murgërore, madje që para se të vishte skimën.
Kur u qeth murg, punoi për 7 vjet me zell për pastrimin e shpirtit të tij dhe u shërbente vëllezërve. Kryente dy shërbime, atë të kuzhinierit dhe të kopshtarit, dhe ishte i pari në të gjitha shërbesat hyjnore, dëgjonte me vëmendje dhe lot detajet e jetës së shenjtorëve dhe luftërat e martirëve, duke iu lutur në mënyrë të fshehtë Perëndisë, që ta bënte të denjë edhe atë për palmën e fitores.
***
Ishte Pashkë. Një natë iu shfaq një njeri i ardhur nga qielli, i cili i dha të pinte verë nga një kupë e çmuar. Ia tregoi këtë vizion atit të tij shpirtëror dhe, i siguruar se kjo ishte një ftesë hyjnore për t’u ofruar në martirizim, u kungua me Misteret e Shenjta dhe e braktisi në fshehtësi manastirin, për të shkuar në Qesari të Palestinës, qytet i cili ndodhej nën pushtimin pers. Aty dalloi disa ushtarë që bënin magji dhe i qortoi pa frikë, duke u treguar se edhe ai ishte me origjinë perse, dhe dikur ishte gënjyer nga magjitë e demonëve, por e gjeti Dritën e Vërtetë dhe u bë i krishterë. Në fillim persët u befasuan nga guximi i tij, por më pas iu sulën egërsisht dhe e nxorën para qeveritarit Marzaban. Anastasi i shpallte pa frikë besimin e tij dhe nuk u ep para premtimeve dhe kërcënimeve me vdekje, ndaj e lidhën me zinxhirë dhe e dënuan të transportonte gurë në kështjellë. Ushtarët persë e fyenin me sharje dhe e godisnin, por, duke parë se shenjtori nuk ndryshoi qëndrim, ia shqyen rrobat, i shkulën mjekrën, duke e trajtuar si të çmendur dhe tradhtar, ndërsa i lumuri gëzohej që po vuante për Krishtin.
Pasi e morën në pyetje për herë të dytë, sërish pa sukses, e dorëzuan përsëri në tortura. Nuk pranoi që rojet ta lidhnin, përkundrazi, duroi pa bërë zë goditjet dhe, ndërsa e kërcënonin se do ta dërgonin para mbretit për një vdekje të sigurt, ai u përgjigj: “Përse ta kem frikë? I vdekshëm si ti është. Kë duhet të kem frikë, atë që është i vdekshëm si ti, apo Krishtin, që bëri qiellin dhe dheun?”.
Kur igumeni i manastirit mësoi për torturat e Anastasit, i kërkoi gjithë vëllazërisë të lutej për të dhe i dërgoi dy vëllezër, që t’i ndodheshin pranë dhe të shënonin tërë detajet e luftës së tij. Edhe pse i prangosur në qeli bashkë me një keqbërës, shenjtori ruante me mundim të madh kanonin e tij, dhe të burgosurit shihnin engjëj të ndritshëm që i qëndronin pranë dhe e temjanisnin.
Kur po përgatiteshin ta dërgonin te mbreti, të krishterët e qytetit arritën ta nxirrnin nga burgu, që të merrte pjesë në kishë për vigjiljen e Lartësimit të Kryqit të Nderuar (14 shtator). Kur besimtarët e panë, vrapuan drejt tij, i kërkuan bekimin dhe lutjet dhe kremtuan së bashku gjatë gjithë natës, me himne e ngazëllim, për festën e tij, si dhe për atë të Kryqit të shenjtë.
Rrugës për në Persi, Anastasi dhe eskorta ndaluan në një qytezë të Asirisë, Betsaloe, në pritje të urdhrave të mbretit. E morën përsëri në pyetje, por më kot, ndaj e shtrinë, ia kapën këmbët me dy copa druri që dy burra i tërhiqnin derisa t’i thyheshin kockat dhe e varën nga njëra dorë, duke i lidhur në tjetrën një gur të rëndë. Por, i forcuar nga Hiri, shenjti i përballonte të gjitha këto vuajtje me durim, si qenie e patrup. Pas 15 ditësh keqtrajtimesh të tilla, erdhi vendimi me vdekje nga mbreti. Më parë mbytën një nga një 72 të krishterë; dhe kur i erdhi radha atij, u shpreh se e vetmja gjë për të cilën i vinte keq ishte që do të kishte një vdekje jo dhe aq mizore nga dashuria për Krishtin. E mbytën edhe atë dhe pastaj i prenë kokën, më 22 janar 628.
Murgjit që e kishin shoqëruar, e blenë trupin e tij dhe e varrosën diku në afërsi të manastirit të Shën Sergjit, që u quajt më vonë Sergiopolis; tunikën e tij e çuan në Palestinë, ku kryente mjaft mrekulli. Lipsani i çmuar u transferua më pas në Palestinë dhe në vazhdim) në Konstandinopojë, ku perandoresha Irini ngriti një kishë për nder të tij.
Shkëputur nga Sinaksari Janar-Shkurt, Vëllimi III, Botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë, 2016.