Shenjtëria juaj,
Me gëzim dhe me emocion mora dhe lexova letrën tuaj shumë të këndshme të datës 2 gusht 2012, me rastin e Fronëzimit tim si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
Pranoni, ju lutem, mirënjohjen time të sinqertë për dashurinë vëllazërore dhe fjalët bujare lidhur me përpjekjen tonë për përhapjen e Lajmit të Mirë, duke u munduar fort për pajtim në një kohë e vend të vështirë, dhe, veçanërisht, për ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Me hirin e Perëndisë Triadik duhet të vazhdojmë shërbimin, studimin dhe lutjen për të nxitur unitetin e krishterë përmes dialogut vëllazëror dhe, më konkretisht, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në “Komisionin e Përbashkët Ndërkombëtar për Dialogun Teologjik ndërmjet Kishës Orthodhokse në tërësi, dhe Kishës Katolike”. Në të njëjtën kohë, pa dyshim, duhet të vazhdojmë të marrim pjesë në përpjekjen për paqe dhe drejtësi në botë.
Lutemi përulësisht që Perëndia t’ju dhurojë, i dashur Shenjtëri, shëndet të plotë, mbrothësi dhe largpamësi, që të vazhdoni, të nxitur e të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, të përhapni rrezet e dritës së Krishtit të kryqëzuar dhe të ngjallur në botën bashkëkohore.
“Edhe atij që mund t’ju ruajë (të gjithëve ne) të pafajshëm dhe t’ju qëndrojë (ne) përpara lavdisë së tij pa të metë e me ngazëllim, Perëndisë së vetëm të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi dhe madhëri, fuqi dhe pushtet, tani edhe përjetë”. (Juda 24-25).
Duke ju përshëndetur, Shenjtëri, me puthje vëllazërore, mbetemi, me nderim të veçantë dhe dashuri të thellë, në Krishtin, Shpëtimtarin tonë.
Anastasi,
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Tiranë, 7 gusht 2012.