Më 10 Janar 2023, Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike njohu shenjtërinë e murgut Gjerasim Mikrajananiti, një personaliteti të rrallë të murgjërisë athonite dhe të mbarë besimit orthodhoks.
Gjerasimi lindi në fshatin Dhrovjan të Sarandës në vitin 1903, nga prindërit e virtytshëm Joan dhe Athina. Mësimet e para i mori në shkollën greke të fshatit, të themeluar nga Shën Kozmai. Më pas shkoi në Athinë me të atin, ku përfundoi shkollën e mesme dhe u dallua për zellin për të mësuar. Gjatë këtyre viteve kishërohej në kishën e Shkollës së Rizarios, ku meshonte Shën Nektari, të cilin e nderonte.
Në moshën 19 vjeçare, në vitin 1922, u nis për në Malin e Shenjtë e shkoi në Kalivën e Shën Joan Pagëzorit, në manastirin e vogël të Shën Anës, ku dy vjet më vonë u qeth murg nga hieromonaku Meletio Joanidhi. Njohu asketë të hirshëm, me të cilët u lidh ngushtë shpirtërisht dhe mësoi më tepër për jetën murgërore, në teori dhe praktikë. Ndërkohë, u dallua për jetën asketike dhe formimin shpirtëror. Të gjithë sa e njohën nga afër dëshmojnë se ishte shembulli tipik i një murgu të devotshëm, i murgjërisë bashkëkohore athonite, që reflektonte praninë e hirit të Perëndisë. Ishte i virtytshëm, i përulur dhe mikpritës. Gjithashtu, studioi veprat e Etërve të Kishës, shkrimtarët klasikë grekë dhe gjithë pasurinë e himneve kishtare.
Perëndia i Tërëmirë e pajisi me dhuntinë e himnografisë. Filloi të shkruajë himne që në vitin 1928. Kur shkroi kanonin (himn kishtar) e parë, shkoi e takoi udhëheqësin e tij shpirtëror, Kalinik Isihastin, në Katunakia. Kaliniku lexoi kanonin dhe u mrekullua: “Biri im, ç’po më thua! Kjo është dhunti nga Perëndia, të vazhdosh të shkruash”. Pas tij, shkoi edhe në Lavër, ku takoi Profesorin e shquar të Universitetit Evlogji Kurillën (më vonë Mitropolit i Korçës), të cilit i tregoi kanonin. Ai e pa dhe e pyeti: “Biri im, nga cili dorëshkrim e ke kopjuar?”. “Nuk e kam kopjuar, e kam shkruar.” – ia kthen Gjerasimi. Atëherë Evlogji i thotë: “Këto gjëra nuk bëhen lehtë. Vazhdo këtë që ke nisur.”
Kështu, me nxitjen e këtyre dy personave të ndritur në shpirt dhe mendje, shkroi deri në ditën e parafundit të jetës së tij dhe e pasuroi Kishën me shumë himne.
Gjerasimi kompozoi edhe Shërbesa, Paraklise, Përshëndetje, Përlëshore, Shkurtore, Madhështime etj. Kompozoi gjithashtu shumë fjalime panegjirike për të kremte e shenjtorë të ndryshëm. Vepra himnografike e tij arrin në 50 vëllime dorëshkrimesh, secila me rreth 800 faqe, të cilat ruhen në Kalivën e vogël të Shën Anës. Gjithashtu, ka shkruar edhe proza si psh. sinaksarë, studime e artikuj të ndryshëm.
Vepra himnografike e shenjtorit u përdor që herët në rrethet kishtare, në jetën adhuruese, dhe mori shumë vlerësime. Deri më sot pjesa më e madhe e saj ruhet në dorëshkrim, ende e pabotuar. Pjesa e botuar u përkthye në disa gjuhë si anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, hollandisht, serbisht, arabisht etj.
Patriarku Ekumenik Athinagora (nga Konica), në vitin 1955, i dha titullin “Himnografi Madh i Kishës së Madhe të Krishtit”, për veprën himnografike me përmasa e vlera titanike, e dyta për nga vëllimi pas shën Joan Damaskinit. Gjithashtu, mori vlerësime edhe nga Patriarkana e Kisha të tjera Orthodhokse.
Patriarku Ekumenik, në 1000-vjetorin (963-1963) e bashkësisë murgërore të Malit të Shenjtë, i akordoi murgut Gjerasim dekoratën “Kryqi i Mijëvjeçarit të Malit të Shenjtë” për kontributin në organizimin me sukses të kremtimeve të përvjetorit.
Edhe Akademia e Athinës, më 28 dhjetor 1968, i akordoi Dekoratën e argjendtë për veprën e tij himnografike.
Veprës autentike himnografike dhe potencialit murgëror të shën Gjerasimit iu referuan mjaft personalitete kishtare dhe studiues.
Gjatë pushtimit gjerman të Greqisë, Murgjit e Malit të Shenjtë, pas një agripnie në Kishën e Protaton (Qendra e Malit të Shenjtë), e ngarkuan Gjerasimin që t’i shkruante një letër Hitlerit, me qëllimin për të ruajtur trashëgiminë materiale dhe shpirtërore, si dhe për mbrojtjen e manastireve nga gjermanët dhe aleatët e tyre bullgarë, pasi këta të fundit donin të merrnin drejtimin e Malit të Shenjtë.
Murgu Gjerasim Mikrajananiti, me këtë letër të tij më 13 prill 1941, kërkoi në emër të të gjithë bashkësisë murgërore, që të merrej përsipër Mali i Shenjtë “nën kujdesin dhe mbrojtjen personale” të tij dhe ta ruante nga bullgarët. Letra mori përgjigje pozitive dhe Hitleri, urdhëroi që asnjë gjerman dhe bullgar të mos shkelte në Malin e Shenjtë.
Murgu Gjerasim, për shumë vite, kreu shërbimin e bibliotekarit në manastir. Gjatë së cilit shkroi Katalogun e dorëshkrimeve (gjithsej 200), që ruheshin atje dhe ndihmoi shkencërisht mjaft studiues dorëshkrimesh. Në të njëjtën kohë, shërbeu edhe si përgjegjës për zbatimin e rregullit të rreptë të shërbesave kishtare në jetën adhuruese murgërore.
Shën Gjerasimi u largua për në atdheun qiellor më 24 nëntor 1991.
Shenjtori ishte edhe ati shpirtëror i të ndjerit Niqifor Mikrajananitit (më vonë Mitropolit i Kinshasas, Kongo dhe Ekzark i Afrikës Qendrore), i cili, shërbeu për 6 vite si Drejtor i Liceut kishtar “Kryqi i Nderuar”, në Gjirokastër. Hieromonak Niqifori, në nderim të tij, nuk la vit pa kryer në Dhrovjan shërbesën e Ngjalljes për Pashkë etj.
I lumuri Gjerasim përbën një nga personalitetet e shumta që lidh vendin tonë me Malin e Shenjtë.
Dr. Thoma Shkira, Lektor pranë KU “Logos”