EmailFacebookKontakt

Një tjetër shenjtor i muzikës bizantine nga Shqipëria

Në kohët moderne, figurat aq të dashura të shenjtorëve shpesh i lidhim me të shkuarën, edhe pse trashëgimia e tyre jeton të tashmen dhe frymëzon të ardhmen e gjinisë njerëzore. Dikur, shën Joan Kukuzeli i madh nga Durrësi, shek. XIII, e po ashtu Krisanth Manditi, po nga Durrësi, shek. XIX, shënjuan me germa të arta emrat e tyre (për shkak të kontributit të madh që dhanë në muzikën bizantine) në librin e përhershëm të kujtesës, si të denjë për t’u kujtuar për veprat e tyre të mëdha.

Së fundi, një tjetër shenjtor lidhet me Shqipërinë, një shenjtor i ri bashkëkohor i Krishterimit Orthodhoks, i cili ka dhënë po aq kontribut thelbësor në muzikën bizantine, tashmë e regjistruar si pjesë e “Listës përfaqësuese të dukurive jomateriale”, të mbrojtura nga UNESCO.

Bëhet fjalë për të lumurin Gjerasim Mikrajananiti (1905-1991), i lindur në fshatin Dhrovjan të Delvinës, Sarandë. Shenjtërimi i Tij u mundësua për shkak të kontributit dhe veprës himnografike me përmasa shumë të mëdha, si sasi, por edhe si vlere fetare e artistike.

Ajo konsiderohet e dyta për nga vëllimi pas veprës së shën Joan Damaskinit, me gjithsej 2000 krijime të shenjta.

Do të mbahen mend gjatë fjalët e tij, se: … “Shenjtin e kam përballë, prandaj nuk dua të komunikoj me askënd. Himnografia, kjo vepër shpirtërore, është bashkim i shpirtit me Perëndinë, është lutje e mrekullueshme, transformim i mendjes, një teori mistike, është një mister i cili nuk interpretohet dhe nuk përcillet së jashtmi nga arsyeja. Himnografia është filozofia e lartë. Nuk shprehet dot me fjalë, duhet ta provosh për ta ndjerë.”

Ndër të tjera, figura e Shën Gjerasimit përbën për periudhën bashkëkohore një nga lidhjet e shumta organike dhe shekullore të figurave historike te vendit tonë me Malin e Shenjtë, që nga koha e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) e deri më sot. Ai ishte vendi ku shën Gjerasimi jetoi e kontribuoi si himnograf i muzikës bizantine.

Akademik Vasil Tole