EmailFacebookKontakt

Iu dorëzuan diplomat psaltëve të rinj

Më 18 dhjetor 2022, në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, u zhvillua ceremonia e diplomimit të studentëve që mbaruan Shkollën e Muzikës Bizantine të Kishës sonë.

Në fillim, Drejtori i shkollës, z. Theodhor Peci, falënderoi Kryepiskopin për mbështetjen e pakursyer ndaj Shkollës së Artit Psaltik dhe zhvillimit të muzikës bizantine gjatë këtyre 3 dekadave. Ai tha, ndër të tjera: “Fortlumturi, Që në vitet e para të zgjedhjes suaj si Kryepiskop i Shqipërisë, krahas arsimimit teologjik u kujdesët në mënyrë të veçantë për artet kishtare dhe në veçanti për Artin Psaltik. Falë jush, kualifikimi i tyre u krye në mënyrën më profesionale dhe me kushtet më moderne, duke ngritur në vitin 2012, për herë të parë në historinë e Kishës sonë, Shkollën e Muzikës Bizantine këtu në Tiranë, në Qendrën Shpirtërore “Thavor”, një stacion kyç në kualifikimin profesional të Psaltëve.

Gjatë kësaj dekade janë kualifikuar mbi 50 psaltë. Njëkohësisht angazhim për stafin pedagogjik të shkollës sonë ka qenë përshtatja, kompozimi dhe botimi i librave bazikë psaltikë, “Anastasimatari” dhe “Liturgjia Hyjnore” në dy vëllime e të tjerë që presin dritën e botimit…

Paralelisht me këto ka qenë dhe promovimi apo interpretimi i Muzikës Bizantine përmes korit bizantin të psaltëve “Shën Joan Kukuzeli” gjatë shërbesave në kishë, në institucionet më në zë të vendit, me koncerte e shfaqje të shumta në Shqipëri, Greqi, Serbi, Kosovë dhe Mal i Zi. Sot kemi gëzim, sepse Kishës i shtohen edhe 5 psaltë të rinj nga zona të ndryshme të Shqipërisë”.

Kryepiskopi Anastas falënderoi z. Peci për kontributin e tij të frytshëm dhe theksoi rëndësinë e psaltit në kryerjen e shërbesave përgjatë adhurimit. Fortlumturia e Tij tha: “Ardhja e Zotit tonë në tokë ishte në një atmosferë përulësie, por në të njëjtën kohë lavdërimi dhe ne e dimë shumë mirë se tradita jonë thekson himnin engjëllor që shoqëroi këtë ngjarje madhështore “Lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe, dhe mbi njerëzit mirëdashje.” Brenda Kishës sonë ne e dimë mirë se nuk janë vetëm klerikët që kanë një rol drejtues, por edhe koret, psaltët që, duke përfaqësuar popullin, të lavdërojnë dhe himnojnë Zotin tonë. Është detyrë, por njëkohësisht edhe privilegj i madh të përfaqësosh popullin në këtë orë adhurimi. Roli i psaltit konsiderohet si grada e parë e klerit. Jemi mirënjohës sepse, gjatë këtyre viteve, të dy koret e kanë përfaqësuar popullin tonë në Liturgjinë Hyjnore me shumë dashuri dhe përkushtim. Vijuam traditën që ekzistonte dhe kori miks, i ashtuquajtur evropian, vazhdon dhe i ofron një shërbim të vyer gjithë jetës liturgjike. Por një përpjekje e veçantë u bë për të krijuar korin bizantin, sipas traditës së Kishës sonë këtu në Shqipëri, duke krijuar kursin dhe në vazhdim Shkollën e Muzikës Bizantine e më pas me gjithë ato që përmendi më parë vëllai dhe nxënësi im i dashur, Theodhori. I detyrohemi falënderime dhe mirënjohje për këmbënguljen, zellin studimor, dijen dhe përmirësimin e vazhdueshëm që vërejmë në të gjitha përpjekjet e tij. Secili prej nesh, sipas talenteve që ka marrë nga Perëndia, duhet t’i zhvillojë dhe t’i shtojë në maksimum për të mirën dhe përparimin e Kishës. Siç na thuhet në paravoli, si ata që morën 5, si ata që morën 2, apo 1, të gjithë duhet të bëjnë përpjekje për t’i shtuar ato dhe t’i ofrojnë ato me dashuri, përkushtim e dhembshuri tek secili brenda Kishës.”

Në fund, Kryepiskopi Anastas bekoi studentët që mbaruan studimet dhe u dorëzoi diplomat, duke iu uruar përparim të mëtejshëm.

Korresp i “Ngjallja”