EmailFacebookKontakt

SHËN NIKOLLA – “Kujtimi i të drejtëve është me lëvdata”

SHËN NIKOLLA
“Kujtimi i të drejtëve është me lëvdata”
(Fjalët e Urta 10:7)

Shkrimi i Shenjtë na vërteton se kujtimi i njeriut të shenjtë ruhet dhe mbetet, me kalimin e kohës, brenda ndërgjegjes së besimtarëve, përmes lavdërimeve. Fjala e Perëndisë vërtetohet përsëri edhe në rastin e sotëm të shën Nikollës, prandaj edhe himnografi i shenjtë e quan “njeri të Perëndisë dhe shërbëtor besnik të Zotit”. Të paktë ishin ata që fituan kaq simpati në ndërgjegjen e popullit si shën Nikolla, kujtimin e të cilit Kisha kremton sot. Veprat i dhanë të drejtë kuptimit të emrit të tij të shenjtë, që do të thotë se fitoi dashurinë dhe besimin e popullit me virtytet që e stolisnin. Emri i shën Nikollës është i njohur në tërë botën dhe, pothuajse, nuk ka familje të krishterë që mos ta nderojë në një pjesëtar të saj. Përlëshorja e tij përbën një diagram të virtyteve, të cilat stolisnin personalitetin e tij të shenjtë, në analizën e të cilave po shkojmë, me hirin e Perëndisë, duke kërkuar ndërmjetimet perëndibindëse të hierarkut.

“Kanun i besës” i thërret himni i shenjtë; domethënë si njeri, i cili në mënyrë shembullore beson te Perëndia dhe këtë besim e shpreh dhe e shpjegon me veprat e tij. Njerëzit nuk duhet ta harrojnë kurrë Perëndinë. Duhet të ndiejmë, se varemi në çdo rast nga Perëndia dhe të besojmë me gjithë shpirt në Të. Besimi do të jetë ura që do të na lidhë me Perëndinë. Dhe mendimi i varësisë nga Perëndia, siç do të ndriçohet nga besimi i krishterë, do të përbëjë për jetën tonë një thesar të çmuar. Njeriu i pabesë është zakonisht i pashpresë dhe i dëshpëruar në jetë. Të gjitha i shikon të zeza dhe të errëta dhe mendon shumë herë se jeta e tij nuk ka asnjë kuptim. Në të kundërt, njeriu i besës e ndien Perëndinë si Atë të tij, mendon për qiellin se është atdheu i tij i përjetshëm; dhe kujdeset për veten e tij e për synimin e tij të lartë, të cilin duhet ta arrijë duke u ndrequr shpirtërisht, vazhdimisht, nga këshillat e besimit dhe me ndihmën e besimit.

Besimi i shën Nikollës, dhe para se të bëhej klerik, ishte i njohur dhe, kur nevojitej një person shpresëtar dhe i virtytshëm që të bëhej prift në atdheun e tij, populli, me këmbëngulje, kërkoi Nikollën. Dhe kur më vonë, në mënyrë të mrekullueshme, u bë kryeprift, me besim të zjarrtë dhe dashuri të vërtetë drejtoi grigjën e tij, të cilën e ushqente me fjalën e Perëndisë dhe e mbronte si bari i mirë nga ujqërit e herezive. Gjatë persekutimit të egër kundër të krishterëve në kohën e sundimit të Dioklecianit dhe Maksimianit, shën Nikolla nuk e uli flamurin e tij të besimit, por me guxim pohoi Krishtin, dhe pasoja ishte arrestimi i tij nga qeveritarët dhe mbyllja në qeli bashkë me të krishterë të tjerë, ku iu nënshtrua torturave të shumta. Të gjitha këto i duron pa u ankuar, duke bekuar emrin e Zotit. Lutet që të kalojë furtuna dhe të vijë qetësia. Dhe Perëndia dëgjon. Dimri shkon dhe pranvera vjen.

Konstandini i Madh, perandori i parë i krishterë, vjen në fron. Urdhëron që të lirohen të burgosurit, të kthehen të internuarit. Shën Nikolla i munduar në trup, por i fuqishëm në shpirt, merr përsipër edhe një herë detyrat e veta të larta. Lajmi se mbreti do të mbledhë Sinodin Ekumenik, që të shtypë herezinë e Ariosit, ringjall moralin e besimtarëve. Në sinod merr pjesë edhe hierarku Nikolla, duke mbrojtur me gjithë forcat e tij Orthodhoksinë e duke u treguar vërtet “Kanun i besës”.

I denjë për t’u imituar, episkop Nikolla nuk është vetëm për besimin e Tij të drejtë, por edhe si shenjtor, i mbushur me dashuri për bashkënjerëzit e vet dhe “ikonë butësie” duke pasur të zhvilluar urtësinë e shëndoshë shoqërore. Njeri, i cili di t’u vërë fre nervave të tij, të qëndrojë i butë dhe të mposhtë inatin dhe nervat e njerëzve të tjerë me ëmbëlsinë dhe mirësinë. Te shën Nikolla u realizua, fjalë për fjalë, thënia e Zotit: “Lum ata që janë të butë, sepse ata do të trashëgojnë dhenë” (Mt. 5:5). Si i krishterë i vërtetë dhe i mbushur me dashuri për të afërmit, kishte si parullë fjalët e apostull Pavlit: “duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri” (Efes. 4:2). Arriti gjithmonë të jetë i butë dhe zemërgjerë, ikonë e vërtetë butësie, që rrezatonte dhe ndriçonte kudo duke u treguar bamirës përkundrejt të afërmve të vet. Hierarku Nikolla, pasurinë e madhe që trashëgoi nga prindërit, ua shpërndau të varfërve, pasi e dinte se kjo varfëri e vullnetshme fiton shpërblime dhe bekime të pasura përpara Perëndisë.

Vërtetësinë e fjalëve, midis të tjerave, na e tregon edhe kjo ngjarje: Kur u lajmërua se një baba i tri vajzave të bukura, në dëshpërimin e tij të zi, mori vendimin t’i nxjerrë në mëkat, sepse nuk kishte as më të nevojshmet për të jetuar, çfarë bëri hierarku bamirës? Menjëherë nxitoi mes errësirës së natës dhe nga një dritare e vogël hodhi në shtëpinë e varfër një shumë prej njëqind florinjsh. Babai i vajzave, i zhgënjyer, lavdëroi Perëndinë dhe martoi të parën. Të njëjtën gjë shenjtori e përsëriti edhe për dy vajzat e tjera. Dhe babai, duke dashur të falënderonte bamirësin, qëndroi zgjuar dhe, kur po hidhte florinjtë për vajzën e tij të tretë, e ndoqi nga pas derisa shenjtori u kthye në shtëpinë e vet dhe atje, duke i rënë në këmbë, shfaqi gjithë mirënjohjen e tij.

E njëjta dashuri e drejtoi shenjtorin t’i shfaqej në ëndërr perandorit Konstandin për ta lajmëruar që të lironte nga burgu katër funksionarë të dënuar padrejtësisht.

Së fundmi, shën Nikolla, me gjithë interesimin për të tjerët, dinte të sillej me zell të madh edhe ndaj vetes së vet. Me gjithë dhuntitë, me të cilat e kishte pajisur Perëndia, mbeti gjithmonë i përulur. Kur përballej me pika të dobëta të vetes, të cilat kishin nevojë për shumë kujdes, ushtronte gjithë fuqinë e vet, me kreshmë, agripni, lutje dhe kujdes, që të mos pushtohej nga asnjë gjë mëkatare. Kështu mënyrë, u tregua “mësues i përkorë” e njeri që kishte nën kontroll të plotë personalitetin e vet.

Ja pra, këtë bari të madh ftohemi të nderojmë denjësisht, por edhe të përpiqemi që të ndjekim virtytet e tij: besimin e thellë dhe të zjarrtë që t’i pëlqejmë Perëndisë, dashurinë me gjithë shpirt ndaj Perëndisë, dashurinë e përzemërt dhe të painteres ndaj të afërmit, butësinë dhe vetëpërmbajtjen. Kështu do të na nderojë edhe ne Perëndia. Na e premtoi: “Sepse unë nderoj ata që më nderojnë” (1 Sam. 2:30). U bëftë!

Marrë nga libri i Hirësi Ignatit
“Buqetë lulesh shpirtërore” I
Predikime 2008-2009