EmailFacebookKontakt

Veprimtari në kuadrin e programeve për fuqizimin e turizmit fetar ndërkufitar

Më 16 dhjetor 2022, në mjediset e Hotel “Tirana International”, u zhvillua veprimtaria: “Dialogu ndërkulturor midis feve”. Ajo u organizua në kuadrin e programit “Nxitja e dialogut ndërmjet besimeve dhe fuqizimi i turizmit fetar ndërkufitar”, organizuar nga Grupi ICDQ, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, në kuadrin e programit “Interfide”. I bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, në të përfshihen Italia, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Programi pati folës nga të tria vendet e lartpërmendura, të cilët paraqitën projektet e realizuara ose dhanë fjalë përshëndetëse. Paneli kishte edhe një prani të gjerë të komuniteteve fetare nga vendet e Adriatikut Jugor.

Dhjakon Mihal Mihali përshëndeti veprimtarinë dhe trajtoi kontributin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për ruajtjen, restaurimin dhe bërjen të aksesueshme të Trashëgimisë Kulturore të Komunitetit Orthodhoks, si dhe mbështetjen e dhënë nga Kisha për këto programe bashkëpunimi.

Lidhur me turizmin fetar, ai theksoi ndër të tjera se kjo pasuri kulturore e fetare nuk mund të kthehet vetvetiu në një industri të mirëfilltë turistike. Që ajo të njihet e të promovohet, së pari duhet ruajtur me shumë kujdes dhe përgjegjës për këtë nuk është vetëm shteti, por edhe e gjithë shoqëria, secili nga ne. Këto objekte kulti duhen restauruar me dashuri e kompetencë profesionale dhe, në bashkëpunim me institucionet fetare të njohura nga shteti, duhen të bëhen lehtësisht të arritshme nëpërmjet një infrastrukture rrugore moderne, duhen shoqëruar me sinjalistikë të standardeve bashkëkohore dhe me guida e lehtësi të tjera promovuese.

Pikërisht, duke ditur nevojën e tregut për guida të specializuara në këtë fushë, Kolegji Universitar “LOGOS”, me bekimin e Kryepiskopit Anastas, një personi vizionar, ka çelur programin e studimit “Master i Shkencave në Turizëm Religjoz”, i vetmi i këtij lloji në Shqipëri.

Me investimin dhe promovimin e duhur, gjithë kjo trashëgimi do të gjenerojë më shumë të ardhura, duke ndikuar në zhvillimin ekonomik e social të zonave përkatëse.

Th. Dh.