Në datën 15 nëntor 2022, në një nga sallat e Hotel “Tirana International”, Qendra për Administrim Social Ekonomik Territorial, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, organizuan Simpoziumin me temë “Bashkëjetesa fetare – traditë dhe kulturë në Tiranë”. Merrnin pjesë përfaqësues dhe pjesëtarë të komuniteteve fetare zyrtare: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu; Protosingjeli i Kryepiskopatës, Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti Bakallbashi; atë Bernard Caruana, Vikar i përgjithshëm i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës; Kryegjyshi Botëror i Bektashijve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj; peshkopi i Vëllazërisë Ungjillore Ergest Biti, Presidenti i radhës i Këshillit Ndërfetar, pastor Ylli Doçi, si dhe nënkryetari i Bashkisë, Tiranë, Andi Seferi, Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Klodjan Bulku etj.
Kjo veprimtari u organizua në kuadër të promovimit të broshurës “Guidë Turistike Fetare për Tiranën”, botim i Qendrës ASET. Kjo guidë ka informacione për çdo komunitet dhe paraqet përmbledhtazi objektet fetare të Kryeqytetit. Për Kishën Orthodhokse në të ka një hyrje të shkurtër njohëse të përgjithshme, një hartë se ku gjenden kishat dhe pastaj flitet për Katedralen “Ngjallja e Krishtit” dhe kompleksin e saj, kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, kishën e Shën Prokopit, kishën e Shën Gjerasimit dhe të Gjithë Shenjtorëve, Qendrën Shpirtërore “Thavor” dhe kishën e Metamorfozës së Shpëtimtarit.
Guida është në dy gjuhë, shqip dhe anglisht dhe u realizua në bashkëpunim me secilin komunitet fetar, gjë për të cilën Administratorja e Qendrës ASET, znj. Meriglena Rusta, i falënderoi veçanërisht. Guida erdhi si nevojë e shtimit të ndjeshëm të vizitave turistike në Tiranë, itinerari i të cilave përfshin edhe objektet fetare.
Në veprimtari përshëndeti në emër të Kishës sonë, Episkopi i Bylisit, Hirësia e Tij Asti, i cili tha ndër të tjera:
Promovimi i librit të guidës turistike fetare të Tiranës, shfaqet me shumë interes për të gjithë, si për çdo vizitor (vendas e të huaj), ashtu edhe për çdo banor të Tiranës.
Kjo guidë, ndonëse shfaq objekte kulti me modele arkitekturash të ndryshme tradicionale e moderne apo dhe ndërthurje të tyre, të mbushura me entuziazëm dhe arte të ndryshme; shfaq edhe ndjesinë dhe nxitjen e vizitës në këto vende përkushtuar Perëndisë…
Kisha Orthodhokse, me një traditë të pasur në arkitekturë, ikonografi, muzikë, gdhendje e skalitje, literaturë, ligjërata, krijime poetike, punime të ndryshme, qëndisje etj. dhe me elemente e simbole të ndryshme, e përfshin njeriun në adhurim në të gjithë qenien e tij…
Sot, tempujt fetarë, që paraqiten në librin turistik, paraqesin edhe rimëkëmbjen dinamike (sipas mundësive) të komuniteteve pas persekutimit e shkatërrimit të regjimit komunist ateist. Gjatë këtyre 30 viteve, komunitetet fetare, me ndërtimin apo rindërtimin e faltoreve, motivuan shoqërinë shqiptare në forcimin e besimit dhe shpresës në Zot, të dashurisë shpirtërore e sociale, madje edhe duke krijuar një antidot ndaj mendësisë së nënshtrimit në materializmin tekniko-shkencor apo edhe në atë të epokës së re kapitaliste.
Kjo guidë që promovohet sot, hyn në historinë e Kryeqytetit, duke memorizuar edhe një mozaik të dukshëm e të prekshëm të marrëdhënieve të mira e të paqta të bashkëjetesës ndërfetare, duke e dëshmuar si karakteristikë tipike të shoqërisë së kryeqytetit.
Duke e mbyllur, kujtoj disa fjalë të Kryepiskopit Anastas: “Të gjithë përpiqemi, që në një shoqëri pluraliste, të kultivohet e të zhvillohet një klimë pozitive, respektim i dinjitetit dhe lirisë fetare të çdo njeriu, pranim i njëri-tjetrit dhe bashkëjetesë me ndryshimet përkatëse, një dialog jete, por edhe bashkëveprim me iniciativa dashurie”. Lavdërojmë Perëndinë që në këtë frymë vëllazërore ndërfetare janë zhvilluar edhe marrëdhëniet mes komuniteteve tona.
Th. Dh.