50 VJET KRYEPRIFTËRI
Njëzet vitet e para (1972-1992)
Prof. Dr. Anastasi ishte në të njëjtën kohë:
• Episkop i Andrusës, Anastasi
Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë
• Profesor i Historisë së Feve në Fakultetin Teologjik të Universitetit Kombëtar Kapodistrian të Athinës
• Mbikëqyrës i Mitropolisë së Irinupolit (Afrika Lindore, Kenia – Ugandë – Tanzani)
• Anëtar i komisioneve ndërkombëtare në Organizatat Fetare Mbarëbotërore
Episkopi i Andrusës, Anastas Jannullatos
Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë
Më 19 nëntor 2022, u mbushën 50 vjet nga dorëzimi i Kryepiskopit të tanishëm të Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë, z. Anastas, si Episkop i Andrusës.
Në revistën zyrtare të Kishës së Greqisë «Εκκλησία», vëll. 23-24 (1972), fq. 679 u botua lajmi:
“Nën kryesimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Athinës dhe të Gjithë Greqisë, z. Jeronim, u mblodh më 1 nëntor të këtij viti, në pallatin sinodik të Athinës, Sinodi i Shenjtë, i cili, si shkëmbeu mendime në Shpirtin e Shenjtë, zgjodhi me votë unanime Profesorin e Shkollës Teologjike të Universitetit të Athinës dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë, fort oshënarinë e tij, Arkimandritin z. Anastas Janullatos, Episkop Titullar me titullin e Episkopatës dikur të shkëlqyeshme të Andrusës, për të plotësuar detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Apostolik të parashikuar nga ligji 976/1946.
Mesazhi i vogël i zgjedhjes u dha të njëjtën ditë në kishëzën Sinodike, ndërsa dorëzimi i tij u krye të dielën, më 19 nëntor, në Kishën Mitropolitane të Athinës nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Athinës dhe të Gjithë Greqisë, z. Jeronim dhe nga Mitropolitët fort të respektuar, Hirësitë: Jeorgji i Kalavritës dhe i Egalisë, Jakovi i Mitilint, Krisostomi i Fokidhës, Haritoni i Polianit dhe Kilkisit, Nikodhimi i Thivës dhe Livadhjasë, Kostandini i Atikisë dhe Megaridhës, Nikolla i Halkidhës, Athanasi i Ilias, Serafimi i Trikit dhe Stagonëve dhe episkopët e fortperëndidashur, Hirësitë: Kozmai i Dhevrit dhe Dhimitri i Vresthenit. Bashkë me ta qëndruan në lutje mbi dyzet mitropolitë të tjerë të Kishës së Greqisë, mitropolitët vizitorë të Patriarkanës Ekumenike, të Patriarkanës së Aleksandrisë, klerikë të besimeve dhe kishave të tjera dhe një numër i madh të krishterësh të devotshëm”.
Përpara dorëzimit
Në fillim të vitit 1969 u bë pajtimi historik i gjithë Hierarkisë së Kishës së Greqisë dhe u zgjodh unanimisht Sinodi i ri i Shenjtë i Përhershëm, i cili zëvendësoi Sinodin Aristindian të vitit 1967. Anëtarët e këtij Sinodi të Shenjtë, të pranuar tashmë nga e gjithë Hierarkia, ishin Kryepiskopi i Athinës Jeronimi; Mitropolitët: Jakovi i Mitilinit, Serafimi i Janinës, Dionisi i Trikisë dhe Stagonëve, Dionisi i Servisë dhe Kozanit, Damaskini i Nafpaktit dhe Evritanisë, Stiliani i Nikopolit dhe Prevezës, Varnava i Kitrit, Andoni i Ksanthit, Kostandini i Didimotikut dhe Orestiadhës, Sinesi i Kasandrisë.
Në pranverën e vitit 1970, Sinodi i Shenjtë i Kishës së Greqisë, në bashkëpunim me Fakultetin Teologjik të Universitetit të Athinës, vendosi themelimin e Qendrës së Studimeve Apostolike dhe zgjodhi si Drejtor, Arkimandritin e atëhershëm, Anastasin, i cili u kthye në Greqi në shkurt të vitit 1971 dhe mori përsipër organizimin dhe menaxhimin e Qendrës Apostolike në fjalë.
Në vitin 1971, me vendim të Sinodit të ri të Shenjtë të sipërpërmendur, atij iu besua edhe drejtimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Apostolik, si dhe organizimi e drejtimi i Qendrës së sapokrijuar Ndërorthodhokse të Kishës së Greqisë, e cila ndodhej në Manastirin e Shenjtë të Pentelit, me qëllim studimin e problemeve të ndryshme me të cilat përballet Orthodhoksia në mbarë botën.
Si episkop titullar, ai nuk dha kredenciale përpara regjimit të atëhershëm, pasi nuk mori përsipër administrimin publik të asnjë Mitropolie.
* * *
Organizoi dhe vuri në veprim organin koordinues të “Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë” në fushën botuese dhe katekitike.
Promovoi programe të ndryshme teologjike, arsimore, ndërtimore dhe botuese të Kishës. Mobilizoi aktorët kompetentë të Ministrisë së Kulturës dhe të Mitropolive të Shenjta të Greqisë për regjistrimin e pasurisë së trashëgimisë kishtare.
Riorganizoi konviktin e studentëve. Ishte, gjithashtu, mbikëqyrës i Shkollës së Dhjakoneshave të Shërbimit Apostolik.
Kontribuoi në mbështetjen e shumëfishtë të Hierapostullimit të Jashtëm. Themeloi (1981) dhe drejtoi revistën hierapostolike “Të gjitha kombet” (Πάντα τα έθνη), si vazhdimësi e revistës së parë hierapostolike “Porefthentes” (Πορευθέντες).
Organizoi javën vjetore të Hierapostullimit të Jashtëm.
U kujdes për krijimin dhe zhvillimin e vëllazërisë murgjërore femërore të Shën Joanit në Kareas, për të ndërthurur jetën murgjërore me Hierapostullimin e Jashtëm.
Mbështeti financiarisht njësitë e ndryshme hierapostolike në Mitropolitë e Afrikës Qendrore dhe Lindore – poliklinikën “Kryqi i Shenjtë” i Ugandës, Mitropolinë e Afrikës Perëndimore (Akra), hierapostullimin në Kore, Mitropolinë e Zelandës së Re.
U kujdes për dhënien e bursave dhe ndihmave për studentët e huaj.
Vizitoi (1983) komunitetet orthodhokse të Alaskës, të cilat ishin krijuar në shek. XIX nga përpjekjet hierapostolike ruse.
Udhëtoi në 11 qytete të SHBA-ve dhe në 4 qytete të Finlandës me synimin për të rindezur interesin orthodhoks për hierapostullimin e jashtëm.
Prezantoi dispozitën, e cila, pas përpjekjeve të shumta, u përfshi në “Statutin e Kishës së Greqisë” (Ligji 590/1977, neni 60, §1) dhe ishte me rëndësi vendimtare për sigurimin e pagës dhe të kujdesit shëndetësor të klerikëve që punojnë në Hierapostullimin e Jashtëm.
Mbështeti studentët e Fakultetit Juridik të Athinës, në rebelimin e tyre kundër diktaturës në shkurt 1973, duke u sjellë atyre ushqime dhe ilaçe. Më pas, nënat e studentëve të arrestuar u strehuan në zyrën e tij, te Shërbimi Apostolik.
Në mesin e vitit 1992, Sinodi i Shenjtë i Kishës së Greqisë e ngriti atë në gradën e Mitropolitit Titullar të Andrusës.
Profesor i Historisë së Feve në Fakultetin e Teologjisë të Universitetit Kombëtar Kapodistrian të Athinës (1972-1992)
Në prill të vitit 1972, u zgjodh profesor i jashtëm dhe në vitin 1976 profesor i rregullt në Departamentin e Historisë së Feve të Fakultetit Teologjik të Universitetit Kombëtar Kapodistrian të Athinës.
Ka qenë, gjithashtu, Dekan i Fakultetit Teologjik (1983-1986), Nënkryetar i Drejtorisë së Klubit Universitar (1983-1986), President i Shoqatës për Mbështetjen e Studentëve në Luftën Qipriote (1975-1984), Anëtar i Komisionit të Kërkimeve të Universitetit (1986-1990), Anëtar i Bordit Drejtues të Qendrës për Studime Mesdhetare dhe Arabe (1978-1982), Anëtar i Komisionit të Bursave të Fondacionit Bamirës “Alexandros Onassis” (1978-1994).
Me dy cilësitë e episkopit dhe të profesorit universitar, ai vazhdoi përpjekjet në vend për të stimuluar punën e Hierapostullimit të Jashtëm orthodhoks si në fushën teologjike, ashtu edhe në atë praktike organizative.
Në këtë periudhë, përveç tezës së tij të doktoraturës, botoi edhe vepra të tjera teologjike, si: “Zoti i Shkëlqimit. Zoti i fiseve në Lindje të Kenias”, “Format e Adhurimit Afrikan. Aderimi dhe frymëpushtimi në lindje të Ruenzorit”, “Ruhan’ga – Krijuesi”, “Islami, një trajtim i përgjithshëm”.
Në vitet ’80 prezantoi tema të ndryshme teologjike në konferenca ndërkombëtare e qendra universitare: “Relation between Man and Nature in the World Religions” në Worlds Religionists Ethics Congress, Tokio 1981; «Η δοξολογικη κατανόηση της ζωής και της Ζεραποστολης» (“Kuptimi dhoksologjik i jetës dhe i Hierapostullimit”) në Universitetin Gregorian të Romës, në fund të vitit 1982 si folës kryesor gjatë kremtimit të 50 vjetorit të “Shkollës Apostolike” të këtij Universiteti; “Der Dialog mit dem Islam aus Orthodoxer Sicht” në Simpoziumin Ndërkombëtar për “Dialogun Islamo-Kristian”, të organizuar nga Fondacioni Pro Oriente në Vjenë (tetor 1986); «Σύγχρονα θεολαγικα θέματα» (“Çështjet bashkëkohore teologjike”) në Konferencën e organizuar me rastin e 1100-vjetorit të Fjetjes së Shën Metodit në Sofje (tetor 1985).
U nderua “Doctor Emeritus” (“Doktor Nderi”) i Teologjisë në Fakultetin Teologjik të Kryqit të Shenjtë në Boston.
Në vitin 1987, Akademia e Athinës i dha Medaljen e Argjendtë, “si frymëzues dhe nismëtar i teologjisë dhe veprimit hierapostolik”.
Në vitin 1989, një grup akademikësh e propozuan për Anëtar të Rregullt të Akademisë së Athinës.
Në vitin 1992, pas zgjedhjes së tij Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Universiteti i Athinës i dha titullin Profesor Emeritus dhe, pak më vonë, Akademia e Athinës e zgjodhi Anëtar Korrespondent (1993-2005) e më pas Anëtar Nderi të saj.
Mbikëqyrës i Mitropolisë së Irinupolit (Afrika Lindore: Kenia, Tanzani, Ugandë)
Rreth fundit të vitit 1981, gjatë një krize të madhe që po kalonte Kisha Orthodhokse në Kenia, Patriarku i ndjerë i Aleksandrisë, z. Nikolla VI, i kërkoi Episkopit të Andrusës të kontribuonte në shërimin e përçarjes së orthodhoksëve afrikanë dhe në organizimin e zhvillimin e Hierapostullimit të atjeshëm. Me pëlqimin e Sinodit të Shenjtë të Kishës së Greqisë dhe me lejen përkatëse nga Universiteti i Athinës, ai mori përgjegjësinë e Mbikëqyrësit të Mitropolisë së Shenjtë të Irinoupolit (në Afrikën Lindore, Kenia – Ugandë – Tanzani).
Në këtë përgjegjësi, në vitet 1981-1991 themeloi dhe organizoi Shkollën Priftërore Patriarkale “Kryepiskopi i Qipros, Makari III”, të cilën e drejtoi për dhjetë vjet. Përgatiti dhe dorëzoi 62 klerikë afrikanë dhe dorëzoi 42 anagnostë-katekistë nga tetë fise afrikane, ndër të cilët edhe katër klerikët e parë tanzanianë. Në të njëjtën kohë, promovoi përkthimet e Liturgjisë Hyjnore në 4 gjuhë afrikane. U kujdes për konsolidimin e afërsisht 150 famullive dhe bërthamave orthodhokse dhe ndërtimin e dhjetëra kishave. Ngriti shtatë qendra hierapostolike, u kujdes për krijimin e shkollave dhe qendrave mjekësore. Për këtë u nderua me dekoratën “Bamirës i Madh i Patriarkanës së Aleksandrisë” (2009).
Anëtar i komiteteve ndërkombëtare në organizata fetare globale
Në dhjetor të vitit 1972, përfaqësoi Kishën e Greqisë në seancën e 6-të plenare të “Komisionit për Hierapostullimin Botëror dhe Ungjillëzimin” të Këshillit Botëror të Kishave në Bangkok, Tajlandë. Më pas vizitoi Seulin, Korenë e Jugut, Japoninë dhe Hong Kongun.
Me pjesëmarrjen e tij aktive në komisione të ndryshme të Këshillit Botëror të Kishave, veçanërisht në Departamentin “Dialog me njerëz të besimeve dhe ideologjive të tjera fetare”, ai vijoi studimin e feve të ndryshme.
Vizitoi vazhdimisht Indinë, rajonet veriore dhe lindore: Kalkuta, Varanasi, Benares, Nju Delhi etj. (1973); Indinë Jugore dhe Perëndimore: Madras, Kanjipuram, Mahabalipuram, Bombay (1974, 1988). Udhëtoi në vendet budiste dhe u njoh nga afër me Budizmin e Hinayana Jugore në Tajlandë (1972, 1973) dhe Ceilon (1974). Ai, gjithashtu, u njoh nga afër me Budizmin Mahayana në Kore (1973), Japoni (1973, 1981) dhe Kinë, pas sundimit të Maoizmit (1980, 1986). Ai, gjithashtu, studioi Taoizmin dhe Konfucianizmin në Singapor, Taipei dhe Hong Kong (1973, 1980). U njoh me Islamin në vendet ku praktikohej, me udhëtime të shpeshta në Liban, Siri, Jordani, Egjipt, Turqi, Pakistan, Afrikën Perëndimore (1961-1975) dhe Islamin Shiit në Iran (1974). Ka marrë, gjithashtu, pjesë në punimet e Organizatës Ndërfetare “World Conference on Religion and Peace” (Konferenca Botërore për Fenë dhe Paqen) që nga viti 1985.
Mori pjesë në seancën plenare të “Komisionit për Hierapostullimin Botëror dhe Ungjillëzimin” të Këshillit Botëror të Kishave, që u mblodh në Melburn të Australisë (1980) me temën: “Ardhtë mbretëria juaj”.
Mori pjesë në Asambletë e Përgjithshme të Këshillit Botëror të Kishave në Nairobi (1975) dhe Vankuver (1983).
Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit Botëror të Kishave në Vankuver të Kanadasë (1983), Komisioni Qendror e zgjodhi President (Moderator) të “Komitetit të Hierapostullimin Botëror dhe Ungjillëzimit”. Nga ky pozicion, ai pati mundësinë të merrte pjesë me përgjegjësi në kërkimin dhe veprimin e dëshmisë së krishterë në mbarë botën dhe të jepte dëshminë orthodhokse në mjediset kishtare dhe akademike të të gjitha kontinenteve.
Ai kryesoi Konventën e “Komisionit për Hierapostullimin Botëror dhe Ungjillëzimin” në San Antonio, Teksas në vitin 1989.