Fjala e të Hirotonisurit Episkop i Adrusës
Duke soditur shërbimin Episkopal
Fortlumturi,
Ju falënderoj me gjithë shpirt për dashurinë tuaj, të cilën ma keni shprehur në shumë mënyra e për vite me radhë, dhe në këto çaste duke kryer shërbesën. Gjithashtu, falënderoj përzemërsisht Sinodin Tuaj të Shenjtë për besimin e madh që tregoi ndaj meje duke më thirrur në shërbimin episkopal. E ndiej të nevojshme të falënderoj edhe Kryepriftërinjtë fort të hirshëm që ndodhen këtu, veçanërisht ata që po meshojnë në këtë mister; pritërinjtë, dhjakonët dhe popullin e Perëndisë, të cilët po luten bashkë me ne në këtë mistagogji. Së fundmi, le të më lejohet që në këto çaste të hirshme të Eukaristisë të vazhdoj të shpreh mirënjohjen time ndaj të gjithë atyre që deri më sot më kanë mbështetur me ngrohtësinë e tyre dhe më kanë udhëhequr me përvojën e tyre: familjen time, profesorët e mi ndër vite, veçanërisht ata të Fakultetit Teologjik të Universitetit të Athinës, bashkëpunëtorët e mi të ndryshëm dhe, në mënyrë të veçantë, të rinjtë, të cilët, përmes pasionit të tyre për të vërtetën, më sjellin vazhdimisht ndër mend detyrën e vështirë të të qenit i vërtetë.
Çastet e frikshme të kësaj shërbese të hirshme nuk të lejojnë analiza të gjata. Pra, do të kufizohem në fare pak gjëra, që të them se ndjenja pamjaftueshmërie dhe frike më pushtojnë para kërkesave të Fjalës së Perëndisë: “Episkopi duhet të jetë i patëmetë” (1 Tim. 3:2); “të jetë i përgatitur plotësisht dhe i aftë për çdo vepër të mirë” (2 Tim. 3:17). Me ndjesinë e marramendjes, vura re tek dilnin në sipërfaqe, që nga thellësia e ndërgjegjes së Kishës, fraza të tilla: Episkopi vepron “sipas shembullit të Atit” (Ιγνατίου, Προς Τραλ. III, I) “në vend” të Perëndisë dhe “sipas shembullit të Perëndisë” (Ιγνατίου, Προς Μαγνησ. VI, I), me synim që “t’i japë krahë shpirtit, ta rrëmbejë atë nga bota dhe t’ia shpjerë Perëndisë” (Γρηγορίου Ναζίανζηνου, Άπολογ. kBO).
Këtë javë kërkova t’i largohesha intensitetit të brendshëm dhe të gjeja strehë te heshtja dhe jeta adhuruese e Kishës sonë, që t’i qasesha disi domethënies së funksionit të episkopit. Droja e fillimit u shndërrua në dridhmë, sepse Kalendari i Kishës na vuri përpara kujtimin e shenjtorëve episkopë, të Joan Përdëllimtarit të dielën, të Joan Gojartit të hënën, të Grigor Pallamait të martën dhe të Grigorit të Neoqesarisë të premten. Të gjithë këta personalitete erdhën të na zbulojnë në mënyrë prekëse se cilat janë përmasat e vërteta të jetës së Episkopit:
a)- Të gjithë jetuan duke pasur një dashuri të tillë për njeriun dhe Perëndinë që shkonte përtej kufijve të logjikës së zakonshme. Ata u munduan gjer në martirizim t’u falnin prehje të hidhëruarve dhe “zemërthyerve” (Llk. 4:18) të kohës së tyre, duke nxjerrë qenësisht në pah njeridashjen e Perëndisë, e cila zbulohet në Kishë.
b)- Ata jetuan me mendjekthjelltësi dhe shpirtdërrmim asketik që të kapërcenin humnerën e errët të egos njerëzore. Ata i kthyen në vende asketizmi qytetin, jetën e përditshme, lodhjen e madhe dhe martirizimin e tyre. Nga kjo përpjekje personale sfilitëse për dëlirësi, shpirtdërrmim dhe përulësi buroi rrezatimi i tyre mahnitës.
c)- Jetuan me ndjenjën e thellë të përgjegjësisë së plotë dhe të ndërgjegjes apostolike; me sigurinë se duke jetuar “sipas shembullit të Krishtit”, shndërrohen, në mënyrë të vetvetishme, në “njerëz mbarëbotërorë”; me bindjen se besnikëri ndaj traditës apostolike do të thotë besnikëri ndaj detyrimit apostolik, se vendosja e duarve të episkopëve gjatë hirotonisjes nuk është vetëm vërtetim i vijimësisë apostolike, por edhe përgjegjësi për të marrë pjesë në mënyrë aktive në ecurinë e Një Kishe të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike “deri në skajet e dheut” (Vep. 1:8).
d)- Të gjithë ata udhërrëfyen dhe ngushëlluan popullin e Perëndisë me një largpamësi dhe guxim profetik, dhe kjo është karakteristika e tyre e katërt e përbashkët, e cila më preku. Theologuan me mendjemprehtësi dhe me dinamizëm, duke zbuluar pa pushim aspekte të reja të “misterit të besimit” (1 Tim. 3:9), që ishin bashkëkohore për kohën e tyre. Dhanë dëshmi të guximshme rreth së Vërtetës në kohë mjaft të vështira për Kishën dhe, me fuqinë profetike, shembën “çdo pengesë që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë” (2 Kor. 10:5), çdo lloj idhulli individual, çdo lloj rehatie, pushteti, lavdie, konvencioni kozmik, të cilat nuk kanë reshur së ngrituri krye në çdo epokë dhe brenda kufijve të hapësirës kishtare.
e)- Së fundmi, i tërë shërbimi i tyre episkopal ka qenë një dëshmi kryqëzuese e Ngjalljes. Nga Eukaristia Hyjnore e bashkësisë adhuruese, në krye të së cilës gjendeshin ata vetë, aktivizonin ngjarjen e Kryqëzimit dhe të Ngjalljes, merrnin fuqi dhe frymëzim për të ndihmuar popullin e Perëndisë të jetonte “Pashkën e Zotit”, d.m.th. të realizonte “daljen” e vazhdueshme nga vendi i dekurajimit drejt tokës së shpresës, nga çdo lloj robërie drejt “lirisë së lavdisë së bijve të Perëndisë” (Rom. 8:21); një Pashkë, një “Kalim” nga vendi i hipokrizisë në tokën e së vërtetës, nga izolimi i individualizmit në bashkësinë me Krishtin.
Fortlumturi, kërkoj në thellësi të qenies sime ndonjë nga këto tipare të karakterit të vërtetë të episkopit, por nuk shoh gjë tjetër veç pasqyrimit të zbehtë dhe të shformuar të këtyre tipareve mbi sipërfaqen e dëshirave të mia. Vargjet e Zbulesës së Joanit drejtuar episkopit të Laodicesë, që i përshtaten edhe rastit tim, shprehin një realitet tronditës: “Por ti nuk e di që je i mjerë dhe i gjorë, i varfër, i verbër dhe i zhveshur” (Zbu. 3:17).
Kjo pamjaftueshmëri dhe lakuriqësi merr përmasa edhe më të mëdha kur ti sjell ndër mend që të kanë ftuar të shërbesh si episkop në një organizëm kishtar siç është Dhiakonia Apostolike e Kishës së Greqisë, në një epokë plot trazira, stuhi teknokratike, përplasje sociale ndërmjet interesash të paarritshme dhe fuqish anonime, në një kohë ku shpallet me forcë vlera e njeriut, e lirisë, e drejtësisë, e barazisë, që të mbulohet shkelja e tyre haptazi apo heshturazi. Përgjegjësia e episkopit bëhet edhe më e vështirë përballë mendimit se Kisha e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike ftohet të japë llogari “për arsyen e shpresës që është në të” (1 Pet. 3:15) në një shoqëri njerëzore të shumëtrajtshme, e cila zhvillohet në qendra të populluara me 2/3 e popullsisë së saj jo të krishterë, duke pritur me tmerr fillimin e shekullit të 21-të, shekullit të elektronikës.
Pikërisht këto mendime dhe ndjenja më tronditën, Fortlumturi, teksa qëndroja i veçuar këto ditë. Caktimi plot përgjegjësi i një episkopi në një mjedis të këtij lloji është diçka martirizuese dhe pamjaftueshmëria ime e bën këtë gjë edhe më të rrezikshme. Pa dyshim, tanimë është vonë për të guxuar ndonjë “arratisje në Tarshish” (Jonai 1:3), si para disa viteve. Për më tepër, arratisja, në fund të fundit, nuk është zgjidhje për këtë lloj frike. Vetëm “dashuria e përsosur e dëbon frikën” (1 Jn. 4:18). Misteri i dashurisë së përsosur të Perëndisë ndaj botës, i Cili u bë njeri që të marrë pjesë në jetën tonë, dhe denjon të përdorë njerëz të padenjë dhe mëkatarë, si ai që po ju flet, që të përfaqësojnë Kishën e tij, më ngushëllon. Kjo shoqëri dashurie, e cila bëhet e mundur në trupin mistik të Krishtit, “që është Kisha” (Kol. 1:24), tërë ata qindra mijëra njerëz të të gjitha kohërave, ata që kanë ndërruar jetë dhe ata që janë gjallë, oshënarët, dëshmorët, pohuesit; kjo prani e vazhdueshme e dashurisë dhe e përgjërimit të mijëra vëllezërve të shtrenjtë më Zotin, më jep guximin për të hedhur sot këtë hap të frikshëm. Po e dorëzoj veten në këtë dashuri “të përsosur” mes vuajtjesh të Krishtit, e cila përjetohet brenda Kishës.
“Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas…” – vazhdon teksti i Zbulesës drejtuar episkopit të Laodicesë, pasi i ka nxjerrë në pah në mënyrë të frikshme lakuriqësinë dhe pasi e ka ftuar në pendim. “Nëse dikush ma dëgjon zërin dhe ma hap derën, unë do të hyj e do të ha darkë me të dhe ai me mua” (Zbu. 3:20). Nga sa shoh deri tani, vetëm një vigjilencë pendimi, me përulësi dhe besim ndaj zemërdhembshurisë së Perëndisë, të jep mundësinë të kapërcesh frikën dhe të hapësh derën për të bërë të mundur Darkën Mistike bashkë me Zotin e dashur dhe për të përjetuar misionin paskal.
Ju përgjërohem, pra, Fortlumturi, dhe juve, Hierarkë të nderuar, etër dhe vëllezër të shtrenjtë, të gjithë juve që në këto çaste më mbuloni me dashurinë tuaj, të luteni që zjarri, i cili gjatë kësaj mistagogjie do të ndizet brenda meje nga flaka e Pendikostisë me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë, të digjet me përulësi përpara ikonës së të Kryqëzuarit dhe të Shenjtorëve, në një Liturgji të vazhdueshme besimi dhe dashurie, në mënyrë që të përçojë kudo që të ndodhet diçka prej ngrohtësisë, ngushëllimit dhe shpresës së Ngjalljes dhe të Pendikostisë.