Si Episkop i Andrusës dhe Drejtor i Përgjithshëm i Dhiakonisë Apostolike të Kishës së Greqisë promovoi disa programe teologjike dhe arsimore, u përkujdes për shtypshkronjën, për librarinë, për konviktin studentor, për Shkollën e Dhjakoneshave të Dhiakonisë Apostolike. Në mënyrë të veçantë, ai zhvilloi Departamentin e Hierapostullimit jashtë vendit.
Si Profesor i Universitetit të Athinës kreu detyrën e Dekanit të Fakultetit Teologjik të Athinës (1983-86). Botoi studime lidhur me fetë afrikane dhe me Islamin. Mori pjesë në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare, duke mbajtur ligjërata teologjike. Në vitin 1989 u propozua për Anëtar i Rregullt Akademisë së Athinës, në të cilën, pasi mori detyrën e Kryepiskopit, u zgjodh Anëtar Korrespondent i saj (1993-2005) dhe nga viti 2006 e në vazhdim ai është Anëtar Nderi i saj.
Si Mbikëqyrës i Mitropolisë së Hirshme të Irinupolit (1981-1991), ka hirotonisur 62 klerikë afrikanë dhe ka dorëzuar 42 anagnostë-katekistë, me prejardhje nga tetë fise afrikane. Në të njëjtën kohë, ai nxiti përkthimin e Liturgjisë Hyjnore në 4 gjuhë afrikane, u përkujdes për forcimin e 150 famullive orthodhokse dhe për ngritjen e dhjetëra kishave. Hapi 7 qendra hierapostullimi. U kujdes për çeljen e shkollave dhe të qendrave mjekësore. U shpall bamirës i madh i Patriarkanës së Aleksandrisë (2009).
Si anëtar i Komisioneve Ndërkombëtare ka marrë pjesë në disa komisione të Këshillit Botëror të Kishave dhe në vitin 1983, në Vankuver të Kanadasë, në Mbledhjen e Përgjithshme të Këshillit Botëror të Kishave, u zgjodh Kryetar i Komisionit të Hierapostullimit dhe Ungjillëzimit Botëror. I gjendur në këtë pozicion, ka pasur mundësinë të marrë pjesë në diskutimin dhe në vënien në praktikë të dëshmisë së krishterë në botën bashkëkohore dhe të parashtrojë dëshminë orthodhokse në mjedise kishtare dhe akademike në të gjitha kontinentet. Në vitin 1981, në San Antonio të Teksasit, ai ka kryesuar Mbledhjen e Komisionit të Hierapostullimit dhe Ungjillëzimit Botëror.