– Veprimtari të larmishme në këtë përvjetor festiv –
Më 19 nëntor 2022, u mbushën 50 vjet nga dorëzimi i Kryepiskopit të Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, si Episkop i Andrusës. Në këtë ditë, Sinodi i Shenjtë i Kishës së Greqisë, zgjodhi me votë unanime Profesorin e Shkollës Teologjike të Universitetit të Athinës dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë, Arkimandritin Anastas Janullatos, Episkop Titullar me titullin të “Episkopatës dikur të shkëlqyeshme të Andrusës”.
Me rastin e këtij përvjetori të shënuar për Kryepiskopin tonë, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, u kremtua Liturgjia Hyjnore Arkihieratike me pjesëmarrjen e Mitropolitëve: i Korçës, Hirësi Joani; i Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri; i Fierit, Hirësi Nikolla; i Elbasanit, Hirësi Andoni; i Amantias, Hirësi Nathanaili; Episkopit të Bylisit, Hirësi Astit, si edhe të klerikëve nga të gjitha Mitropolitë e vendit. Mitropoliti i Beratit, Hirësi Ignati, nuk ishte i pranishëm për arsye shëndetësore.
Gjatë Liturgjisë Hyjnore u lexuan fjalët e mbajtura 50 vjet më parë gjatë shërbesës në Katedralen e Athinës, nga Kryepiskopi i atëhershëm i Greqisë, Jeronimi dhe nga i sapozgjedhuri Episkop i Andrusës, Anastasi (Jannullatos).
Më pas festa u zhvendos në amfiteatrin Qendrës Kulturore, pjesë e Kompleksit të Katedrales, ku u mblodhën mbi 700 nxënës të shkollave të Fondacionit “Fryma e Dashurisë”, një nga veprat e shumta të Kryepiskopit në këta 30 vjet në krye të Kishës sonë.
Në fillim u shfaq dokumentari “Pashkë në Kenia”, i cili flet për veprimtarinë e Kryepiskopit Anastas gjatë viteve që drejtoi Kishën në Kenia, Ugandë e Tanzani. Pastaj filloi shfaqja e grupeve të të rinjve nga shkolla të ndryshme të Fondacionit, me këngë të krishtera, që u kënduan nga koret e tyre, këngë e valle popullore etj., të cilat u ndoqën ngrohtësisht dhe me duartrokitje nga të pranishmit.
Përgjegjësi për rininë i Kryepiskopatës, atë Grigor Pelushi, iu foli të rinjve për temën “Dëshmia e shumanshme orthodhokse e Kryepiskopit Anastas në botën bashkëkohore”.
Atmosfera festive vazhdoi edhe të dielën, më 20 nëntor 2022. Gjatë Liturgjisë Hyjnore u lexua Fjalimi i Fronëzimit i 2 gushtit 1992 dhe në fund Kryepiskopi Anastas i falënderoi ngrohtësisht të gjithë të pranishmit.
Pastaj aktivitetet u zhvendosën përsëri në amfiteatrin Qendrës Kulturore të Katedrales, me veprimtari që kishin për temë vitet e përpjekjes krijuese në Shqipëri për të ringritur nga rrënojat Kishën Orthodhokse Autoqefale vendore të shkatërruar nga regjimi ateist.
Programi përmbante edhe dy dokumentarë lidhur me Ringjalljen e Orthodhoksisë në Shqipëri. Në fillim u shfaq një dokumentar për vitet e para pas ardhjes së Kryepiskopit Anastas në Shqipëri, që u pasua nga një shfaqje e të rinjve dhe fëmijëve të shkollave e kopshteve të Kishës së Tiranës. Besimtarët e pranishëm ndoqën edhe një dokumentar për vizitat e para të Kryepiskopit në Jug të vendit.
Më pas, u vijua me përshëndetjen e një përfaqësueseje të rinisë orthodhokse dhe u mbyll me përshëndetjen e Kryepiskopit Anastas, që u prit ngrohtësisht dhe me shumë urime nga të gjithë të pranishmit.
Në të dyja veprimtaritë, të gjithë pjesëmarrësve iu dhanë si kujtim nga Kryepiskopi dy kartolina, ku ishin shkruar dy të vërteta themelore, të cilat janë udhërrëfyese për rrugëtimin hierapostolik:
“Perëndia është dashuri dhe kush qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në atë” (1 Jn. 4:16). Gjëja më e bukur në jetë është të dashurosh – sipas Perëndisë. Kjo kushton, ashtu si çdo gjë e çmuar.
***
“… Do të jeni dëshmitarët e mi (të Ngjalljes) në Jerusalem, në të gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajet e dheut” (Vep. 1:8). Ngjallja gjendet brenda Kryqit, kur e pranojmë këtë me liri dhe me dashuri, ashtu si Krishti.
Korresp. “Ngjallja”