Me fillimin e Vitit të Ri Kishtar nisin edhe aktivitetet e Rinisë Orthodhokse të Tiranës. Siparin e aktiviteteve të shumta e çeli pelegrinazhi shpirtëror që u zhvillua ditën e diel, 2 tetor 2022, në Mitropolinë e Hirshme të Apollonisë dhe Fierit, drejtuar nga Hirësi Nikolla. Të rinjtë nga Tirana morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore në Katedralen madhështore të “Shën Gjergjit”, në qendër të Fierit. Pas Liturgjisë, mysafirët e ardhur nga Kryepiskopata e Tiranës u mirëpritën nga të rinjtë Orthodhoksë të Fierit në ambientet e rinisë pranë Katedrales.
Grupit të të rinjve që kishin mbushur përplot sallën iu bashkua Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit Hirësi Nikolla, i cili zhvilloi një bisedë me ta. Dëshmia e krishterë në shoqërinë ku jetojmë ishte kryefjala e kësaj bisede. “Të jesh një i krishterë i vërtetë”, – u tha Hirësia të rinjve, – “në kohën kur po jetojmë, është një bekim, por edhe përgjegjësi. Sigurisht që kërkohen sakrifica, do ketë mundime, tundime, por Zoti na premtoi se do jetë me ne deri në ditën e fundit”.
Të rinjtë i drejtuan Hirësisë pyetje që preokupojnë jetën e tyre shpirtërore.
Më pas të rinjtë shkuan drejt civilizimit të hershëm të Apollonisë. Ata vizituan Manastirin e Fjetjes së Hyjlindëses, i cili është një vend i shenjtë, dhuratë për besimtarët vendas nga perandorët bizantinë, të cilët u përkujdesën veçanërisht për të dhe kishin një interesim të madh për Ilirinë e asaj kohe, siç na tregoi historiani z. Ilirjan Gjika, i cili na mirëpriti dhe na shoqëroi në vizitën tonë në Parkun Arkeologjik.
Meqenëse ndodheshim në Myzeqe, nuk mund të mos vizitonim perlën e saj, që gjendet në kodrat e Ardenicës, Manastirin e Lindjes së Hyjlindëses Mari. Murgu Serafim që kujdeset për këtë manastir na tregoi për vlerat, historinë, pasuritë që mbart ky vend i shenjtë.
Mahnitesh nga tregimet, mrekullohesh nga arti dhe tradita e kishës. Çfarë dashurie dhe besimi kanë treguar të parët tanë për kishat dhe manastiret! Sa bukur i kanë zbukuruar dhe stolisur ato! Na lind ne të rinjve detyrë të rizgjojmë traditat e dhurimit dhe përkujdesjes për vendet tona të shenjta. Himnet dhe lutjet shoqëronin qëndrimin tonë në këtë manastir.
Të mbushur plot bekim, gëzim dhe frymëzim u kthyem nëpër shtëpitë tona me plot mirënjohje për Perëndinë, që na ka bekuar të jetojmë në këtë vend ku besimi ynë orthodhoks ka ofruar dhe ofron më të mirën.
Olimbia Pelushi
Koordinatore e Rinisë në Kryepiskopatë