Sa kënaqësi ndjenë shpirtërisht të krishterët e fshatit Rehovë, kur dëgjuan përsëri jehonën e kambanës së madhe nga lartësia e kambanores së kishës së Shën Kollit, së cilës i mungoi për 25 vjet.
Kisha e Shën Kollit (Nikollës), në qendër të fshatit, thuhet se është ndërtuar në themelitë e kishës së mëparshme. Në shënimet e një udhëtari anglez, në fillim të shek. XIX numëroheshin 30 familje, ndërsa në fund të atij shekulli arritën në 80 familje. Kjo diktoi nevojën e ndërtimit të një kishe më të madhe.
Punimet për ndërtimin e saj filluan në vitin 1910 dhe mbaruan në prill të vitit 1922. Kjo është dhe data e shenjtërimit të saj, e gdhendur bukur me art në “pllakomën” e dy dritareve nga ana e veriut.
Për kambanën e madhe nuk ka informacion se në cilën fonderi është derdhur dhe shpejt ajo mori një të çarë nga goditjet nga mungesa e materialit të çmuar, flori apo argjend, ndaj fshatarët u detyruan ta heqin.
Në saje të kontributit të pleqësisë së fshatit nga shitja e kullotave të malit Gramoz blegtorëve të Sarandës, si dhe dhuratave nga besimtarët, anëtarë të Shoqërisë Punëtore Rehovare “Zbukurimi”, u arrit të bëhej e mundur derdhja përsëri e saj në fonderinë e Leskovikut. Në të është shkruar: “Shoqëria Shqiptare SHPRESA”, Spiro Vasil Naçe, Leskovik, 22 prill 1935. Më poshtë: “PERSI-DERDHUR prej ‘Shoqërisë Rehovare’, 115 okë…”.
Shumë i mbrapshtë ishte dimri i vitit 1967, me të ftohtë, dhe të hidhur, në jetën e besimtarëve të krishterë, i cili u përjetua dhimbshëm në heshtje nga ndalimi me ligj i çdo aktiviteti e predikimi të fesë. Këshilli popullor i fshatit dhe kooperativa, që ishte vërtet sinonim i fukarallëkut dhe varfërisë, morën “vendim” që të dyja kambanat të vendoseshin në këmbalecë druri pranë një objekti ushtarak, me “mision” që të lajmëroheshin për punë, si dhe ndonjë fatkeqësi.
Ikonostasi i kishës u mor në vitin 1981 dhe u vendos në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë. Ai është një nga veprat e rralla, unikale në gjininë dhe llojin e vet, me shumë vlera artistike ndër kishat e Kolonjës. U realizua me kontribut nga dhuratat e besimtarëve të fshatit dhe emigrantëve në diasporë, duke shpalosur dashurinë për kishën. Për të u punua katër vjet rresht nga dy artistë, që përjetësisht Kisha i kujton me respekt e mirënjohje.
Erdhi viti 1990, vit që solli demokracinë dhe të drejtën e lirisë së besimit. Por në vjeshtën e vitit 1991, në një natë pa hënë e të zezë pis, kambana e madhe u rrëmbye. Kambana u nxor jashtë fshatit, po aty “rrotull” ndenji për 31 vjet derisa e “kthyen” dhe besimtarët me sakrificë e dashuri, me forcën e krahëve dhe me bekimin e Zotit, e vendosën në kambanore.
Kambana, me tingull kumbues aq të ëmbël dhe jehonën që përhap, i ftoi besimtarët në tetor 2022, në 100-vjetorin e përjetësisë së kishës, për të dëgjuar Liturgji Hyjnore.
Rehovë, tetor 2022
Sterio Prifti