Në datën 3 tetor ndërroi jetë papritur, në moshën 72-vjeçare, atë Kristofor Lani.
Ceremonia e përcjelljes u krye nga Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri, në vendlindjen dhe njëherësh enorinë, në të cilën shërbente me përkushtim, që nderon Ipapandinë e Zotit Krisht, në Labovën e Madhe të Zhapës. Në shërbesë morën pjesë shumë klerikë nga zona të ndryshme të Mitropolisë, me bashkëlutjen edhe të besimtarëve të trevës së Odries.
Atë Kristofori, pasi studioi e punoi për ekonomi dhe financë, me hapjen e kufijve emigroi në Volos, për të punuar atje. Dashuria për Perëndinë dhe për vendlindjen, i priu hapat e tij drejt Kryepiskopit Anastas. Dëgjoi me kujdes këshillat dhe nxitjen e tij atërore dhe ndoqi, pavarësisht moshës, mësimet në Akademinë Teologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, në Manastirin e Ri të Shën Vlashit. Ai u kthye në Shqipëri në vitin 2002 dhe u hirotonis dhjakon nga Kryepiskopi në vitin 2005 dhe pak më vonë prift nga Mitropoliti i Gjirokastrës.
U denjësua në kryerjen e Liturgjisë Hyjnore dhe shërbesën e Kishës së Perëndisë kryesisht në Labovën e Zhapës, në kishën e re, madhështore dhe fort të hirshme, vepër kjo e Kryepiskopit, e ndërtuar mbi themelet e së vjetrës që u shemb, si dhe në fshatrat përreth.
Sikundër Mitropoliti i Gjirokastrës theksoi në fjalën e tij ngushëlluese dhe mbështetëse pas Shërbesës, atë Kristofori rilindi shpresën në vende të vështira, ku besimtarët e mbetur ishin të paktë dhe mundësitë ekonomike të vogla. Prania e tij krijonte mundësi për më shumë punë nga bashkëpunëtorë të Kishës në lidhje me katekizmin e fëmijëve, punën me gratë orthodhokse etj. Ishin shkëlqime të së kaluarës së ndritur të zonës, kur bamirësit e mëdhenj, të nxitur nga besimi i thellë dhe dashuria e krishterë Orthodhokse, Vangjel dhe Konstantin Zhapa, e kishin shndërruar Labovën dhe jo vetëm, në punishte të dijes, të prosperitetit human dhe mbrothësisë sociale.
Mitropoliti, duke përshkruar vështirësitë që kalon vendi dhe shoqëria jonë, sprovën për Kishën që ka ende nevoja të mëdha për klerikë, i ftoi të pranishmit dhe, përmes tyre, gjithë besimtarët e zonës që të ndjekin shembullin e të ndjerit dhe të zënë vend në llogoren e betejave të besimit dhe Kishës Orthodhokse.
O. Beci.