Fillimi i një viti të ri akademik të mbush me emocione, pjesë e së cilës është dhe përgjegjësia për rrugëtimin e ri akademik.
Akademia Teologjike është një institucion i lartë arsimor teologjik, që fillesën e saj e shënoi me ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pas rënies së regjimit ateist. Qëllimi i saj ishte përgatitja akademike dhe shpirtërore e klerikëve dhe laikëve për të rinisur misionin ungjillor, të ndërprerë dhunshëm në fillimshkurtin e vitit 1967.
Sot, kampusi i studentëve të teologjisë është vendosur në mjediset bashkëkohore të kompleksit të manastirit të Ri të Shën Vlashit. Ky institucion mbjell farën ungjillore për të mbushur zbrazëtinë shpirtërore dhe morale të shoqërisë bashkëkohore sekulare, pasojat e së cilës ndikojnë në mirëqenien dhe dinjitetin e njeriut.
Krijimi i këtij institucioni të lartë arsimor teologjik ishte dhe mbetet i një rëndësie të veçantë për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, duke synuar përgatitjen teologjike dhe shpirtërore të kuadrove të saj klerikë e laikë për veprën liturgjike, shenjtëruese, katekitike, edukimin e krishterë dhe kultivimin e kulturës së krishterë. Formimi i tyre brenda vendit u mundëson njohjen e realitetit të brendshëm, traditat e bashkëjetesës, komunikimit dhe praktikimit të pandërprerë në kontakt me komunitetin. Në historinë e saj 30-vjeçare, ofron një siguri me përvojën e saj, por edhe vazhdimësi për shoqërinë tonë dhe na vendos në sfida të reja që do të duhet të kërkojmë mënyra të reja ndaj qasjes për kultivimin e vlerave shpirtërore e morale. Dhe kjo mbetet sfida që duhet fituar për të rritur standardet dhe nivelet, bazuar në realitetin e shoqërisë shqiptare në të gjitha fushat. Rinisja e këtij institucioni teologjik tregon vizionin e Fortlumturisë së Tij, Anastasit, sepse është një bekim i madh për Kishën Orthodhokse, kontributi i kësaj qendre shpirtërore dhe arsimore për gjithë shoqërinë tonë. Sepse trashëgimia orthodhokse është një gur themeli për gjithë vendin tonë. Kisha është pjesë e shoqërisë së këtij kombi dhe rrjedhimisht ridimensionimi i saj në shekullin XXI ndikon shumanshmërisht dhe në mënyrë përcaktuese për Orthodhoksinë në Shqipëri dhe shoqërinë shqiptare.
Dh. Q.