EmailFacebookKontakt

Fjeti më Zotin Hirësi Ilia, Mitropolit i Filomilit

Me dhimbje për largimin prej nesh, por mbushur me shpresë në ngjalljen dhe prehjen te Zoti, u njoftua ndarja e papritur nga jeta e Mitropolitit Ilia (Katre) në moshën 85-vjeçare.

Ai ishte një hierark shembullor dhe njeri me besim të thellë, që nuk pushoi kurrë së përgjigjuri thirrjes së Kishës për shërbim.

Fjetja dhe largimi i tij prej nesh është një mungesë e madhe për Orthodhoksinë në Amerikë dhe në Shqipëri, si dhe për të gjithë miqtë në mbarë botën.

***

Ai ishte një figurë e shquar dhe e dashur e komunitetit shqiptar në SHBA dhe një person që nderohej nga besimtarët orthodhoksë të Shqipërisë për kontributin e dhënë në ringritjen e Kishës sonë përkrah Kryepiskopit Anastas që në vitin 1992, veçanërisht në arsimimin e klerikëve të rinj.

Hirësi Ilia lindi në vitin 1937, në një familje emigrantësh të ardhur nga Shqipëria në vitin 1920. Familja besimtare dhe afria me Kishën do të ndikonin vendimin e tij për t’u bërë klerik orthodhoks. Kreu Kolegjin “Holy Cross” në vitin 1961, u martua dhe pati dy fëmijë. Pas kësaj u hirotonis dhjakon e më pas prift. Atë Ilia u caktua në Kishën Shqiptare të Trinisë së Shenjtë në Boston. Në vitin 1983 kreu studimet pasuniversitare në master në Kolegjin “Holy Cross” dhe më pas u caktua përgjegjës aty për çështjet e studentëve. Në vitin 1988 u caktua në Nevada, ku shërbeu deri në vitin 2002.

Pas ardhjes së Kryepiskopit Anastas si Ekzark Patriarkal, ai shërbeu në Kishën tonë në vitin 1992, veçanërisht si përgjegjës për Seminarin e sapohapur për përgatitjen e priftërinjve të rinj.

Në vitin 2001 priftëresha e tij fjeti më Zotin. Në vitin 2002 ai u hirotonis Episkop i Filomilit nga Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike dhe u caktua të drejtonte Dioqezën Shqiptare të Kishës Orthodhokse të Amerikës.

Në vitin 2004, Hirësi Ilia erdhi përsëri në Shqipëri, ku Kryepiskopi Anastas e caktoi Dekan të Akademisë Teologjike. Pas 3 vitesh shërbimi, u kthye përsëri në SHBA, në dioqezën e tij.

Në vitin 2010 iu caktua edhe detyra e igumenit të manastirit të Astorias, Quins, Nju Jork.

Për kontributin e dhënë në SHBA dhe vendin tonë, Patriarkana Ekumenike e ngriti në vitin 2019 në rangun e Mitropolitit.

Hirësi Ilia, prej shumë vitesh deri pak muaj më parë, ka qenë edhe përfaqësuesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në tryezën e dialogut të Kishës Orthodhokse (të të gjitha Kishave Orthodhokse) me Kishën Romano-Katolike dhe Kishën Anglikane.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Korresp. i “Ngjallja”