EmailFacebookKontakt

Kolegji Universitar “Logos” çeli vitin e ri akademik

Studentët e ciklit të parë të studimeve Bachelor të Kolegjit Universitar “LOGOS” filluan më 17 tetor vitin i ri akademik 2022–2023.

Ceremonia e çeljes së vitit te ri akademik u zhvillua në mjediset e amfiteatrit, në kampusin nr.1, ku studentët u pritën nga pedagogët dhe personeli i Kolegjit Universitar “LOGOS”.

Studentët u përshëndetën nga drejtues të instancave akademike, administratori dhe përgjegjësja e zyrës se çështjeve studentore.

Studentëve iu urua një vit akademik i suksesshëm në rrugëtimin drejt realizimit të tyre si profesionistë të vërtetë. Kolegjit Universitar “LOGOS”, në përputhje me misionin e krijimit të tij, ka në fokus studentin, mirëqenien e tij si dhe pajisjen me vlerat më të mira akademike e njerëzore. Kolegji Universitar “LOGOS” si institucion i arsimit të lartë është çelësi që do të hapë dyert e qindra studentëve drejt një të ardhmeje më të mirë, më të sigurt profesionale.

Personeli i Kolegjit angazhohet maksimalisht për të siguruar një cilësi të lartë në mësimdhënie, por kjo duhet të shoqërohet detyrimisht me përpjekje dhe punë të përbashkët dhe nga ana e studentëve. Në këtë mënyrë do të kemi cilësi të lartë akademike e mbi të gjitha vlera qytetare e profesionale, të cilat promovon.

Nga përfaqësuesit e Kolegjit Universitar “LOGOS” u falënderua veçanërisht ideuesi, krijuesi dhe mbështetësi i jashtëzakonshëm, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi, i cili jo vetëm është President i Fondacionit “LOGOS”, por edhe akademik i njohur ndërkombëtarisht. Të gjithë të pranishmit duartrokitën me respekt për punën e palodhur dhe frymëzuese të tij.

Ceremonia u përmbyll me urimin për një vit të mbarë dhe të bekuar akademik.

Studentët tashmë do t’u japin jetë auditorëve dhe laboratorëve të Kolegjit, duke dhuruar gjallërinë e tyre dhe duke marrë vlera për të ardhmen.

Anisa Duka