Pak ditë më parë, Kryepiskopi i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë, prof. dr. Anastasi, u shpall Doktor Nderi i Akademisë Teologjike të Krishterë të Varshavës, Poloni. Për këtë ngjarje dhe sidomos për personalitetin e Kryepiskopit Anastas, Mitropoliti i Kitros, Platamonës, Imzot Georgios, i Kishës së Greqisë, ish-President i Akademisë së Lartë Kishtare të Selanikut, shkroi një artikull që qarkulloi gjerësisht në media me referencë në çështjet fetare dhe posaçërisht ato kishtare. Këtë artikull po e botojmë si vijon:
“Pak ditë më parë, konkretisht më 6 tetor 2022, Akademia Teologjike e Krishterë e Varshavës shpalli Doktor Nderi Kryepiskopin e Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasin, i cili është tashmë Doktor Nderi i shumë Departamenteve të Shkencave Humane, Sociale dhe Ekzakte të shumë Universiteteve të Evropës, Lindjes së Mesme dhe SHBA-ve. Akademia Teologjike e Krishterë u themelua në Varshavë në vitin 1954 si rezultat shkrirjes së Fakulteteve Teologjike të Luteranëve, Orthodhoksëve dhe Katolikëve të vjetër. Sot ajo funksionon si Institucion i Lartë Arsimor i Polonisë.
Propozimi për shpalljen Doktor Nderi të Kryepiskopit Anastas u bë nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Varshavës dhe i Gjithë Polonisë, Imzot Sava, dhe me vendim të Sinodit të Shenjtë. Për këtë ngjarje, Presidenti i Polonisë dërgoi telegram përgëzues.
Në një tekst tjetër Laudatio, të teologut të shquar polak, Profesorit të Universitetit, Episkopit Romano-Katolik, z. Tadeus Picus, thuhet ndër të tjera:
“Duke përmbledhur sa më sipër, duhet thënë se Kryepiskopi, Profesori Anastas Janullatos, bën pjesë, pa dyshim, në grupin e klerikëve shumë të njohur dhe të shquar bashkëkohorë të Kishës Orthodhokse. Këtë e tregojnë arritjet e tij të shumta në fushën shkencore, botimet e panumërta dhe veprimtaria e gjerë akademike; si dhe veprimtaria e tij organizative, kontribuuese, publicistike, baritore, hierapostolike, që frymëzon. Rëndësia e këtyre arritjeve do të ishte e vështirë të vlerësohej siç duhet, për shkak se pesha e rëndësishme që ka vepra e Profesorit dhe Kryepiskopit, shtrihet në shumë linja praktike. Kjo e fundit është e rëndësishme kryesisht për të vlerësuar rithemelimin e një kujdesi baritor bashkëkohor, por me rrënjë të thella në Ungjillin dhe në Traditën e Kishës, që mbështetet te një veprimtari e hirshme hierapostolike brenda dhe jashtë vendit, dhe, në përgjithësi, te krijimi thelbësor i vizioneve largpamëse, te realiteti i kësaj bote që ndryshon, (te realiteti) i Mbretërisë së Perëndisë, që gjendet tanimë këtu, por edhe që do të vijë në plotësinë e saj. Këto cilësi të rëndësishme intelektuale dhe shpirtërore i përforcon edhe më tepër dhuntia e tij e veçantë organizative dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme për të bashkëbiseduar në mënyrë paqësore me ata që luajnë rol të rëndësishëm në jetën shoqërore, çka e bën Kryepiskopin Anastas jo vetëm një person të shquar dhe të vlerësuar, por edhe të jashtëzakonshëm e të afirmuar”.
Për më tepër, Presidenti i Polonisë, z. Andrzei Duda, në letrën përshëndetëse drejtuar Kryepiskopit Anastas, nënvizoi: “Ceremonia e sotme ka karakter të veçantë për shkak të të ftuarit të shquar, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit. Ju lutem, Fortlumturi, pranojini përgëzimet tona të ngrohta për shpalljen tuaj ‘Doktor Nderi’ të një prej Instituteve më të mira të Arsimit të Lartë të Shkencave Humane në Poloni, që ka dhënë ndihmesë të rëndësishme në kultivimin e kulturës së krishterë në Poloni dhe në të gjithë Europën Qendrore e Lindore”.
Gjithashtu, Ministri i Arsimit, z. Przemyslaw Czarnek, i cili ishte i pranishëm në ceremoni, pasi theksoi rezultatet e shkëlqyera të Akademisë dhe rolin e saj të rëndësishëm në unitetin e të krishterëve, iu drejtua Kryepiskopit Anastas: “Fortlumturi, ju falënderoj që denjuat ta pranonit këtë Titull. Ky është nder i madh jo vetëm për Akademinë Teologjike të Krishterë, por edhe për të gjithë shtetin e Polonisë dhe për gjithë botën shkencore në Poloni”.
Përgatiti: S. Zh.