EmailFacebookKontakt

Fjeti më Zotin z. Kristofor Beduli

Duke u gdhirë data 16 shtator 2022, ndërroi jetë z. Kristofor Beduli. I nderuar dhe i respektuar nga të gjithë ata që e njihnin, i cili që nga mesi i viteve ’90 ka qenë në poste drejtuese të Kishës sonë. Z. Kristofor Beduli dha një kontribut të veçantë edhe në dokumentimin e ngjarjeve dhe figurave historike. Ai ishte një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Kryepiskopit Anastas, i cili e donte dhe e vlerësonte.

Z. Kristofor Beduli lindi në Tiranë më 26 shtator 1942. Familja e tij, me origjinë nga Skoreja e Pogonit, dallohej për besimin e thellë orthodhoks. I ati, teologu Dhimitër Beduli, figurë e shquar e Kishës sonë, pasi mbaroi studimet në Rumani për teologji dhe muzikë bizantine, u vendos në Tiranë, ku dha një kontribut për Kishën në shumë fusha e më pas u emërua drejtor i Seminarit “Apostull Pavli”, deri në mbylljen e tij dhe më pas dha një kontribut unik pas hapjes së kishave dhe mbështeti fuqimisht Kryepiskopin që në çastet e para të ardhjes së tij.

Në këtë atmosferë thellësisht shpirtërore lindi dhe u edukua edhe z. Kristofor Beduli. Ai u shqua në mësime dhe mbaroi në vitin 1966 për Inxhinieri Mekanike. Kudo ku punoi, u dallua për aftësitë e tij. z. Kristofor Beduli dha mësim në Universitetin Shtetëror dhe ishte autor apo bashkautor në disa libra të fushës së tij.

Në vitin 1996 filloi punë në Kryepiskopatën e Tiranës, në fillim si përgjegjës i shtypshkronjës e më pas si drejtor i Kompleksit të punishteve “Nazaret”, ku punoi deri para pak se të ndërronte jetë. Atje u dallua për korrektësinë, kërkesën e llogarisë, por edhe për kujdesin për personelin.

Z. Kristofor Beduli dha një kontribut të veçantë në mbledhjen, përgatitjen dhe botimin e veprave të të atit, shumë të vlefshme për veprimtarinë e Kishës, por edhe për dokumentimin e ngjarjeve dhe figurave historike, për të cilat shkroi artikuj dhe botime të veçanta.

Ai dha një kontribut të veçantë në të gjithë veprimtarinë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për të cilën është vlerësuar gjerësisht e veçanërisht nga Kryepiskopi Anastas.

Perëndia ta prehë shpirtin e tij në tendat e të drejtëve!