Me ndjenjë mallëngjimi të thellë dhe gëzimi, mbarë elementi orthodhoks i Shqipërisë, nëpërmjet përfaqësuesve të tij klerikë e laikë po merr pjesë sot në ceremoninë tradicionale të fronëzimit të Fortlumturisë së Tij Imz. Anastasit, si Kryepiskop Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë me shprehjen biblike në gojë e në zemër: “I tillë kryeprift na duhej neve”.
Fort i Lumur!
Ju njohim tashmë e na njihni. Më 17 të muajit të kaluar u mbush plot një vit që ndodheni midis nesh. Gjatë kësaj kohe ju keni vizituar tërë dioqezat e Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale. Kudo keni meshuar duke u shpënë besimtarëve tanë bekimin e Perëndisë dhe bekimin e mëmës Kishë, Patrikanës Ekumenike. Keni ardhur në kontakt me besimtarët tanë, me popullin tonë, me jetën, gjuhën e tij. Jeni bërë – siç e shprehni edhe vetë – një shqiptar i vogël.
Por edhe populli ynë, edhe besimtarët tanë orthodhoksë ju kanë njohur. Në personin tuaj ata kanë njohur një hierark orthodhoks shpresëtar, të devotshëm, të shquar e me horizont te gjerë, një personalitet të njohur botërisht e dijetar të thellë; një nga ata personalitete të cilët krejt pa zhurmë dhe reklamë kryejnë punë të mrekullueshme, duke zhvilluar një dinamizëm shoqëror të fuqishëm dhe duke lënë gjurmë të thella jo vetëm në hapësirën ku veprojnë, por edhe në vetë epokën e tyre. Të tillë ju kanë njohur besimtarët tanë. Prandaj ju rrethuan me dashuri dhe respekt dhe ju duan.
Në Shqipëri ju gjetët një Kishë te shkatërruar, të varfër, të dërrmuar, me ndërtesat e kultit, në pjesën më të madhe, të transformuara në klube, magazina, depo dhe një pjesë të prishura që nga themelet; me pasuritë kishtare dhe manastiriale të konfiskuara dhe, më e keqja e të këqijave, një Kishë pa priftërinj e sidomos pa asnjë episkop. Kështu, kur nisi në vendin tonë të fryjë flladi i demokracisë dhe u la i lirë organizimi i komuniteteve fetare, Kisha jonë Orthodhokse, në mungesë të një episkopi, nuk ishte në gjendje të riorganizohej me forcat e veta.
Caktimi juaj, pra, nga Kisha Mëmë, Patrikana Ekumenike, si Ekzark Patriarkal në Shqipëri, qe një ndihmë shumë e madhe e decizive, siç e provoi koha, për zgjidhjen e çështjes së ringritjes dhe riorganizimit të Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale.
Gjendja e vështirë e Kishës sonë nuk ju dekurajoi. Duke bërë shenjën e Kryqit, shenjën e çdo fitoreje, e me lutjen “O Zot, o Zot, shtjer syrin prej qiellit, dhe shiko e vizito e rregullo këtë vresht që e ka mbjellë e djathta jote, këtu e dy mijë vjet përpara” në gojë, ju filluat misionin, filluat nga puna për riorganizimin e Kishës Shqiptare.
Një vit kaloi qysh atëherë. Dhe brenda një viti u bënë, me ndihmën dhe udhëzimet tuaja, kaq punë të mbara ne Kishën tonë: U ngrit struktura administrative e përkohshme e saj, e cila po merr në dorë përditë e më mirë situatën; u ngrit Shkolla Teologjiko-Hieratike për përgatitjen e priftërinjve, të psaltëve e kuadrove të tjerë që i nevojiten Kishës, e cila dha rezultatet e para. Deri tani janë hirotonisur 26 priftërinj e dhjakonë të rinj. Vazhdon rikonstruksioni i një sërë ndërtesash kishtare nëpër qytetet tona kryesore, ndër të cilat edhe Kisha Katedrale e Ungjillëzimit në Tiranë, ku po kryhet ceremonia e sotme. Doli numri parë i Buletinit informativ të Kishës e po përgatitet i dyti, e kaq e kaq punë të tjera.
Nuk është momenti që të zgjatemi me përshkrime dhe vlerësime të tilla. Ato do t’i verifikojë dhe do t’i vlerësojë koha, siç po vlerëson punën e madhe e të mbarë që është bërë brenda këtij viti të parë.
Ju, Fort i Lumur, në punën tuaj, keni vepruar dhe po veproni ashtu siç porosit Krishti, i Cili ka thënë: “Ai që do të veprojë e do të lëçitë, do të jetë i madh në mbretërinë qiellore (Mt. 5:19). Në një vend tjetër thotë: “Kështu le të ndritë drita juaj përpara njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira e të lavdërojnë Atin tuaj qiellor (Mt. 5:16). Dhe ju veproni, dhe njerëzit shohin e lavdërojnë Perëndinë që ju ka dërguar ju në Kishën tonë.
Nevojitet akoma shumë punë e madhe për mëkëmbjen e plotë të Kishës sonë. Nevojat dhe hallet janë të shumta. Ju i keni parë dhe i njihni mirë, dhe punoni sipas një programi të studiuar. Ecni pra, me guxim, në rrugën që keni nisur!
Ka natyrisht dhe disa zëra që krijojnë njëfarë disonance në rrugën tuaj. Por këta janë zëra të shkëputur e pa ndonjë jehonë. Ju kini gjithmonë parasysh fjalët që Perëndia i tha Jisuit të Naviut: “Forcohu dhe bëhu trim: mos u frikëso, mos u tremb, se bashkë me ty është Zoti, Perëndia yt për çdo gjë (J.N. 1:9).
Ki gjithashtu parasysh që elementi orthodhoks në përgjithësi, i cili ju ka njohur së afërmi, ka besim te ju, ka bindje të plotë se Kisha Orthodhokse Autoqefale, nën drejtimin tuaj të urtë, do të mëkëmbet së shpejti dhe do të zërë përsëri vendin që i takon në shoqërinë tonë shqiptare.
Udhëheqja demokratike e vendit, qeveria jonë dhe të gjitha forcat politike të shëndosha, duhet ta kenë kuptuar tashmë rolin dobiprurës të fesë në edukimin e njeriut e të shoqërisë dhe do të kontribuojnë me të gjitha mjetet ligjore në organizimin më të plotë të institucioneve tona fetare, duke iu kthyer atyre gjithçka që u është marrë me të padrejtë e me forcë, që të jenë në gjendje të luajnë rolin që u takon.
Pa fe, nuk rrojnë popujt, nuk bëjnë jetë normale kombet, nuk ecën përpara njerëzimi; pema pa rrënjë nuk rron; vdes shtëpia pa themele, nuk qëndron, rrëzohet; Njeriu pa fe, nuk jeton, vdes shpirtërisht dhe bëhet shkatërrues i vetvetes.
Këtë rrënjë pra, fenë, të vaditur dhe me ujin e kulluar të kombësisë, kanë për mision kryesor ta kultivojnë, ta gjallërojnë e ta forcojnë në shpirtin e popullit tonë institucionet tona fetare, sidomos në stadin e tanishëm të shoqërisë sonë shqiptare. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do ta kryejë plotësisht këtë mision.
Fort i Lumur!
Elementi orthodhoks, në emër të të cilit po ju përshëndes, në këtë ditë solemne të fronëzimit tuaj, angazhohet edhe njëherë para jush që çdo këshillë juaja, çdo porosi, çdo propozim juaji që do të ketë lidhje me mëkëmbjen dhe organizimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale, do të jenë të mirëpritura, të vlerësuara si duhet dhe të zbatuara.
Elementi orthodhoks i Shqipërisë, gjithashtu, e ndien për detyrë që, nëpërmjet përfaqësuesve të lartë patriarkalë: Shenjtit te Pergjit, Evangjellos, dhe Shenjtit të Filadelfisë, Melitonit, t’i shprehë me respekt të thellë Kishës sonë Mëmë, Patrikanës Ekumenike, Sinodit të saj të Hirshëm e në veçanti Terëshenjtërisë së Tij të Hyjshme, Imzot Vartholomeut, mirënjohjen më të thellë e falënderimet më të ngrohta për kontributin e madh që i është dhënë e i jepet Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale për zgjidhjen e problemeve që e preokupojnë. Dita në të cilën Sinodi i Hirshëm i Patrikanës Ekumenike caktoi Imzot Anastasin si Ekzark Patriarkal në Shqipëri, si edhe dita e zgjedhjes së tij si Kryepiskop i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë, sipas propozimit të Këshillit tonë të Përgjithshëm, do të mbeten ditë të shënuara për historinë tonë kishtare.
Të nderuar pjesëmarrës,
Po e mbyllim ketë përshëndetje me urimin: “Anastasit, Fort të Lumnueshmit Kryepiskop të Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë, Atit dhe Hierarkut tonë, të shumta i qofshin vjetët!
Tiranë, 2 gusht 1992