Shën Polidhori erdhi nga Nikosia, kryeqyteti i Qipros. Ai ishte biri i haxhi Llukës dhe Lurdanës. Kur u rrit, shkoi të punonte si tregtar në Egjipt. Në një ditë feste, ai u deh dhe shokët e tij myslimanë e bindën të mohonte besimin dhe të pranonte fenë islame. Kur erdhi në vete, e kuptoi se çfarë mëkati kishte bërë. E brente së tepërmi ndërgjegjja. Kërkoi mjaft etër shpirtërorë që të rrëfehej dhe të gjente mënyra pendimi.
Për disa kohë ai jetoi i veçuar në një manastir në ishullin Hios. Pasi kreshmoi, bëri agripni dhe derdhi shumë lot pendimi. Ati shpirtëror e rifuti në Kishë me anë të lutjes së faljes, duke e mirosur me Miro të Shenjtë dhe duke e kunguar me Misteret e Shenjta. Por ushtari trim i Krishtit nuk mund të kënaqej vetëm me përmbushjen e plotë të pendimit të tij, ai donte bashkimin me Krishtin me anë të martirizimit.
Mori bekimin për të shkuar në Efesin e Ri të Azisë së Vogël dhe u paraqit përpara kadiut, gjykatësit otoman, duke i thënë atij se vite më parë e kishte mohuar besimin e krishterë, por tani ishte kthyer përsëri tek ai dhe donte të vuante dënimin e parashikuar nga ligji në këtë rast. Gjykatësi, nuk ishte shumë i interesuar në çështje fetare dhe pa u shqetësuar nga ngulmimi i Polidhorit, i tha të shkonte e të bënte çfarë i pëlqente. Por martiri ishte i vendosur në pohimin e Krishtit si i vetmi Shpëtimtar, kështu që e futën në burg, ku ia futën këmbët në një morsë druri.
Ditën tjetër u paraqit përsëri përpara gjykatës, duke iu përgjigjur pyetjeve me qetësi. Kur gjykatësi dështoi në përpjekjet për ta bindur të ndryshonte mendje, vendosi ta dënonte me varje dhe prej andej e dërgoi në vendin e ekzekutimit, të shoqëruar nga një turmë e madhe njerëzish. Kur i hodhën litarin rreth qafes, thirri me zë të lartë: “I krishterë, i krishterë, unë jam i krishterë!” e dha shpirtin te Perëndia.
Marrë nga Sinaksari i shtatorit