Ky shenjtor, martir i ri, lindi më 1879 në Moravi. Fillimisht si prift katolik u interesua për burimet e krishterimit te sllavët, për misionin e shën Metodit e Kirilit në Moravi, dhe ishte një nga promotorët e lëvizjes së reformuar në Kishën Katolike. Pas Luftës së Parë Botërore dhe formimit të Çekosllovakisë (1919) mori pjesë në një delegacion dërguar në Romë për të kërkuar autonominë fetare të kësaj Kishe lokale dhe autorizimin për të celebruar liturgjinë në gjuhën çeke.
Para refuzimit të fronit romak, rreth 800 mijë të krishterë, mes të cilëve gjendeshin atë Mattheo Pavlik dhe priftërinj të tjerë, i kërkuan episkopit Dhosithe të Patriarkanës Orthodhokse të Serbisë, e cila ishte shumë aktive në Rusinë e Karpateve, më përpara e lidhur me Romën, t’i pranonin në Kishën Orthodhokse. Më 1920, pas një vizite të episkopit Dhosithe në Pragë, atë Mattheo u bë orthodhoks. Një vit më vonë u dorëzua episkop për Orthodhoksinë e Moravi – Silezisë nga patriarku i Serbisë, Dhimitri, dhe mori emrin e shën Gorazdit, dishepulli i shën Metodit (27 korrik).
Duke imituar këtë misionar të madh, ai kreu një vepër pastorale të rëndësishme, e cila kontribuoi për një pjesë të madhe në restaurimin e Orthodhoksisë në Çekosllovaki, me gjithë dezertimin e një pjese të atyre që kishin qenë promotorë të kësaj lëvizjeje fetare, por që i shikonin si tepër “të rënda” kërkesat e Kishës Orthodhokse. Duroi kritika, shpifje dhe turbullime të të gjitha llojeve. Në të njëjtën kohë organizoi shumë enori në Moravi dhe në Bohemi; ndërtoi 11 kisha, ku shërbesat kryheshin në gjuhën çeke, sipas përkthimeve që bëri ai vetë. Botoi librin me lutje “Trebnin” (libër i priftit) për popullin, mësime katekizmi dhe libra të tjerë për ndërtimin shpirtëror në çekisht. Kishte besimin dhe pëlqimin e patriarkut serb dhe i dërgoi një grup të rinjsh për t’u përgatitur për priftëri në Serbi. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shtatë anëtarë të rezistencës çeke, të cilët pas vrasjes së përfaqësuesit të Rajhut kishin gjetur azil në kriptën e katedrales orthodhokse të Pragës, u kapën dhe u ekzekutuan.
U ndaluan të dy priftërinjtë e katedrales dhe autoritetet pushtuese morën masa të rrepta kundër Kishës Orthodhokse. Më 25 qershor 1942, episkop Gorazdi u dorëzua me vullnetin e tij te nazistët, që të shpëtonte priftërinjtë. E torturuan dhe më 4 shtator 1942 e pushkatuan, duke vulosur kështu me gjakun e tij themelet e Kishës autonome të Çekosllovakisë. Me gjithë sakrifikimin e tij vullnetar, Kisha pati edhe sulme të tjera: u mbyllën kisha dhe shumë priftërinj u dërguan në kampet e përqendrimit në Gjermani.