EmailFacebookKontakt

Hirotoni në dhjakon për Mitropolinë e Beratit

Klerit të Mitropolisë së Beratit iu shtua në datën 28.08.2022 edhe Leonard Dedja. Misteri i shenjtë u krye nga Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Nikolla, në katedralen e Shën Gjergjit, në Fier.

Leonardi ka lindur dhe është rritur në familje të krishterë orthodhokse, në fshatin Trepsenisht, zona e Shpatit, në Elbasan. Ka kryer studimet për Teologji pranë Akademisë Teologjike në Shën Vlash në vitet 2010-2014. Shërbëtor i Perëndisë që nga viti 2014, dhjak Leonardi shërben me vullnet e devotshmëri në Zyrën e Katekizmit të Mitropolisë. Gjithashtu, për vite me radhë shërbeu edhe si psalt i kishës së Shën Gjergjit në Lushnje.

Një familje e shëndoshë është baza mbi të cilën hidhet themeli i besimit të palëkundur. Kështu, së bashku me bashkëshorten, znj. Justina Dedja dhe vajzën e tyre Efrosina, ecin së bashku në çdo sfide e vështirësi.

Lavdia dhe falënderimi për bekimet e shumta, së pari, i shkon Perëndisë sonë të Tërëmirë, Kryepiskopit Anastas dhe atit e bariut tonë të dashur, Imzot Ignatit.

“Sepse u duk hiri i Perëndisë që sjell shpëtim në gjithë njerëzit, i cili na mëson të mohojmë pabesinë dhe dëshirat e botës, e të rrojmë me urtësi e me drejtësi e me përkushtim në këtë jetë, duke pritur shpresën e lumtur dhe dukjen e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë, Jisu Krisht, i cili dha veten e tij për ne, që të na shpërblejë prej çdo paudhësie, dhe të pastrojë për veten e tij një popull te zgjedhur, te zellshëm dhe për punëra të mira. (Tit. 2:11-14).

J. D.