EmailFacebookKontakt

Koncert i Korit bizantin të psaltëve “Shën Joan Kukuzeli”

Në kuadër të ditëve të trashëgimisë kulturore, Ministria e Kulturës organizoi në qytetin e Beratit, më 12 shtator, një koncert dedikuar muzikës bizantine, trashëgimisë jomateriale që mbrohet nga UNESCO. Për të realizuar këtë aktivitet u ftua Kori bizantin i psaltëve “Shën Joan Kukuzeli” i Kryepiskopatës, nën drejtimin e z. Theodhor Peci, të cilët interpretuan himne të mrekullueshme dhe të larmishme brenda ambientit të kishës “Fjetja e Hyjlindëses Mari”- Muzeu “Onufri”.

Tingujt bizantinë u shkrinë plotësisht me historinë dhe arkitekturën, afresket dhe me gjithë objektet liturgjike të trashëguara brez pas brezi. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti, drejtori i muzeut, punonjës të administratës dhe besimtarë nga qyteti i Beratit.

Në fund të aktivitetit, ministrja shprehu falënderim dhe mirënjohje për korin dhe veprimtarinë e tij në përhapjen e kulturës dhe traditave tona të vyera.

Dh. P.