EmailFacebookKontakt

Lartësimi i Kryqit të Nderuar dhe Jetëdhënës

Lartësimi i Kryqit të Nderuar dhe Jetëdhënës, që kremtojmë çdo 14 Shtator, përkujton gjetjen e Kryqit të Shpëtimtarit nga shën Elena, nëna e perandorit Konstandin, në shekullin IV dhe, pasi u mor nga persianët, rimarrjen e tij nga perandori Irakli, në shekullin VII, kur Kryqi u “lartësua” në Kishën e Ngjalljes në Jerusalem.

Sot, në të gjitha kishat orthodhokse të vendit, të Kryepiskopatës dhe Mitropolive, kjo e kremte e madhe kremtohet me solemnitet. Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, Liturgjia Hyjnore u krye nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi. Me të bashkëmeshoi Mitropoliti i Amantias, Nathanaili, dhe klerikë të kryeqytetit.

Në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, Kryepiskopi Anastas theksoi se kjo e kremte përmbledh thelbin e besimit të krishterë, sepse Perëndia aq shumë e deshi botën, sa dha Birin e Tij të vetëmlindur për shpëtimin e njerëzimit.

Korresp. Ngjallja.