I nderuar Fortlumturi,
të nderur anëtarë të Sinodit,
klerikë dhe pjesëmarrës në këta Asamble
Me rindërtimin e Kishës në vendin tonë, në vizionin e Kryepiskopit Anastas ishte dhe zbutja e dhimbjes trupore të njerëzve. Vizion që konkretizohet në këta 30 vjet në kontribut real me një sërë veprash dhe nismash, duke qene sa me afër atyre që vuajnë.
Kontributi i Kishës sonë në shëndetësi nisi në dhjetëvjeçarin e viteve 90, me dhurimin e një sasie te madhe barnash dhe materialesh mjekësore te konsiderueshme për institucione publike, si: spitale, poliambulanca, kopshte, qendra shëndetësore në fshatra, burgje etj.
Ky kontribut me pas do të orientohej në mënyre solide dhe të vazhdueshme në dy faza:
Afatshkurtër, me hapjen e klinikës “Shën Lluka”, e cila funksionoi në vitet 1995-1998 dhe ofroi falas vizita me mjekë specialistë: kardiologë, pediatër, okulistë, kirurgë, ekzaminime ekografie, farmaci etj.
Në fazën e dytë, afatgjatë, u krijua Fondacioni “Klinika Orthodhokse Ungjillëzimi”, qëllimi parësor i të cilit ishte hapja e klinikave mjekësore sipas praktikave më moderne dhe bashkëkohore në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Në vitet që pasuan u hapën klinika në Kavajë- 1997, në Korçë – 1998, në Tiranë u hap Qendra Diagnostike Orthodhokse “Ungjillëzimi” – 1999, në Jergucat 2003, Lushnje 2006, të cilat plotësuan nevojat e popullatës dhe zonave përreth, duke shërbyer me çmime të ulëta.
Puna për ndërtimin e Qendrës Diagnostike Orthodhokse “Ungjillëzimi” filloi në vitin 1994. Vepra është filantropike, me qëllim jofitimprurës dhe ofron shërbime për të gjithë sa kanë nevojë: fëmijë, të rritur dhe të moshuar, pa dallim feje apo etnie dhe çmime më të reduktuara se tregu. Nga dimensionet e saj dhe forma e shërbimeve që ajo ofronte ishte e vetmja ne Tiranë dhe në të gjithë vendin.
1,806,000 dollarë amerikanë ishte investimi fillestar – për blerjen e truallit, ngritjen e godinës dhe pajisjen me aparatura, si dhe për trajnimet e personelit jashtë vendit.
Vlerat e kontributit monetar në shëndetësi u rritën me hapjen e klinikave të tjera dhe investimin e rinovimin e vazhdueshëm në aparatura. Në vitin 2011 u hap Qendra Okulistike-ORL, e cila u transferua në një godinë të blerë e posaçërisht, për të plotësuar gamën e ekzaminimeve.
Mjekë të shquar, akademikë dhe profesorë, ofruan shërbimet e tyre në Qendrën Diagnostike. Gjithashtu, për shërbime cilësore dhe bashkëkohore u dërgua për kualifikim jashtë vendit personel mjekësor i lartë dhe i mesëm. Personalitete në fushat përkatëse nga BE dhe SHBA zhvilluan seminare, trajnime, duke trajnuar në mënyrë specifike personelin tonë. Kirurgë të huaj kontribuuan me vizita dhe operacione falas në sallën ditore të Qendrës.
Gjatë 10-vjeçarit të parë, shumë pacientë u ndihmuan me ilaçe falas, të cilat i merrnin pas vizitave apo edhe rregullisht kur kishin nevojë. Që nga hapja e deri më sot kanë marrë shërbim falas me vizita, analiza dhe ekzamini me klerikë, studentë, nxënës dhe kategori të ndryshme në nevojë, nga kryeqyteti dhe rrethet.
Qendra jonë është përfshirë edhe në projekte sensibilizuese, si depistime mamografie falas, për të ndihmuar në diagnostikimin e kancerit të gjirit. Kështu, në klinikën “Ungjillëzimi” në Korçë në tetor 2013-prill 2014, në kuadër të projektit ndërkufitar IPA, u kryen mamografi falas, ku përfituan 1156 gra.
Nga viti 1998, njësia dentare e lëvizshme ka ofruar shërbimet e saj falas në kopshte, shkolla dhe institucione të tjera dhe për edukim shëndetësor me nxënësit e shkollave.
Qendra, duke pasur në fokus të ofrojë mundësi edukimi shëndetësor për grupe të ndryshme të popullsisë, të cilët kanë marrë shërbime tek ajo, ose edhe për popullsinë e gjerë, ka bërë një sërë botimesh e broshurash informuese.
Në organizimin dhe mbarëvajtjen e kësaj vepre dhe hapjen e klinikave në rrethe, luajtën rol të pazëvendësueshëm bashkëpunëtorë edhe miq të Kryepiskopit Anastas, që falë ndjeshmërisë së tyre ndihmuan me sakrificë dhe humanizëm.
Në klinikat e Fondacionit janë punësuar gjithsej 135 vetë, nga të cilët 60 personel mjekësor dhe 75 ndihmës.
Më poshtë do të paraqesim në shifra sa pacientë kanë marrë shërbime, që tregojnë përmasat e këtij kontributi:
3. Kontribut në përballimin e situatës së Covid-19
Në dy vitet e fundit të gjithë po përballemi me pandeminë nga Covid-19. Qendra jonë ka mbajtur një peshë të madhe në përballimin e kësaj situate.
Gjatë kësaj periudhe Kisha jonë, nëpërmjet Qendrës Diagnostike, ndihmoi individë dhe familje, klerikë dhe persona me mundësi të kufizuara ekonomike. U mundësuan shërbime falas, si: vizita, analiza dhe ekzaminime radiologjike, të cilat kryheshin 2 herë apo edhe më shumë, deri në negativizim të plotë. Gjithashtu, edhe stafit iu krijua një paketë falas me ekzaminime dhe analiza, përfshi dhe skaner. Shpenzimet për këtë ndihmë arrijnë në 3 milionë lekë në vit.
Vizita dhe ndihma për familjet dhe personat në nevojë
Lidhja e Grave Orthodhokse, që nga viti 1995, ka bashkëpunuar ngushtë me klinikën “Shën Lluka” në fillim dhe më pas me Qendrën Diagnostike për vite me radhë, nga viti 1995 e në vazhdim, për përkujdesjen mjekësore ndaj personave në nevojë. Ato kanë shoqëruar të moshuara të vetmuara dhe të sëmura për të bërë vizita dhe analiza te ndryshme, shumë herë falas. Gjithashtu, gratë orthodhokse kanë shpërndarë ilaçet e dhuruar nga Qendra Diagnostike në shtëpitë e të sëmurëve.
Në vitet 98-99, pas ardhjes së refugjatëve nga Kosova, Kisha jonë dha një kontribut të madh edhe për kujdesin dhe shëndetin e tyre. Në koordinim me Qendrën Diagnostike, Zyra e Grave Orthodhokse shpërndau ilaçe të nevojshme dhe paketa të ndihmës së shpejtë.
Kisha jonë ka kontribuuar vazhdimisht edhe në dhurimin vullnetar të gjakut, me pjesëmarrjen aktive të të rinjve orthodhoksë, si dhe grupmoshave të tjera. Çdo vit dhurimi i gjakut bëhet në Akademinë Teologjike në Shën Vlash, në qendrat rinore në Tiranë, Elbasan etj.
Një lloj tjetër kontributi ka qenë mbulimi në vlera monetare për ndërhyrje kirurgjikale me vlera të konsiderueshme në spitalet publike apo private të vendit dhe në ato jashtë shtetit, kryesisht në Greqi, duke shpëtuar jetë njerëzish.
Gjithmonë është ecur në rrugën e inovacionit dhe të rinovimit. Këtë vit, Kisha jonë po e shton kontributin ndaj popullit nëpërmjet Qendrës Diagnostike me 3 projekte të reja.
Kështu, për plotësimin e shërbimeve, në katin e parë të Qendrës u hap në qershor Farmacia “Ungjillëzimi”.
Me këmbënguljen e Kryepiskopit janë gjetur donacione të konsiderueshme për zëvendësimin e Skanerit dhe për pajisjen e Qendrës Diagnostike me aparaturën e Rezonancës magnetike. Këto projekte kanë filluar zbatimin dhe do të përfundojnë për një periudhë 5-6 mujore.
Fortlumturi,
Të gjitha sa u përmenden më sipër janë bërë me ndihmën e Perëndisë. Në këta 30 vjet ndajmë dhe shijojmë dhuratat e Perëndisë dhe dhuratat e dashurisë Suaj, duke ndjekur vlerat qe ju së pari keni gdhendur me përgjegjësi, guxim dhe humanizëm. Faleminderit thellësisht për veprimtarinë tuaj, dashurinë tuaj dhe ta dini që këtë kontribut nuk do ta harrojmë kurrë. Çfarëdo që të thuash për një vepër të tillë është pak.
Kontributi i Kishës Orthodhokse në këtë vend është kontribut jete.