EmailFacebookKontakt

Prurja e Kishës sonë në arsim

Fortlumturi,

Ky kremtim prekës i Përvjetorit të 30-të nga Fronëzimi Juaj, përbën plotësim të haresë ngjallësore që Kisha jonë përjeton me Hirin e Perëndisë edhe falë nismave tuaja të frymëzuara dhe me ofrim sakrifikues. Duke kujtuar me meditim çastet e asaj të diele, 2 Gusht 1992, ndjenja falënderimi të thellë na përshkojnë, sepse konstatojmë përputhjen e plotë dhe konsekuencën e fjalës dhe veprës. Fjala Juaj e Fronëzimit, Fortlumturi, ishte në fakt program dhe zotim. Sot edhe më dyshuesi mundet veç të konstatojë dhe pohojë se Perëndia bekoi dhe ato sa atë ditë i premtuat Zotit dhe popullit besimtar dhe që tashmë janë realitet. Edhe nëse në ndonjë sektor u bë shumë më tepër nga sa mund të imagjinohej dhe ëndërrohej ato momente, kur gjendja ishte zero, ai sektor është edukimi dhe arsimi. Më konkretisht. Prania pasurisht e Kishës në këtë fushë i shërben dy qëllimeve. Nga njëra anë për përhapjen e besimit Orthodhoks përmes të mësuarit sistematik, meqë sistemi i arsimit publik nuk lejon asnjë përkujdesje respektive. Në kombinim me këtë, natyrisht, ka përparësi përgatitja e klerit dhe kuadrove të tjerë, për të mbuluar nevojat për priftërinj dhe ripërtëritjen e strukturave të Kishës. Nga ana tjetër, si shprehje e tepricës së dashurisë dhe me qëllim shprehjen në praktikë të kujdesit të Kishës sonë për rilindjen dhe përparimin e shoqërisë në Shqipëri, zhvillohet pa ndërprerje programi i pasur për sa i përket arsimit mirëfilli.

Me ngritjen e Fondacionit Arsimor “Frymë Dashurie”, Kisha jonë i ofron vendit tonë shembuj të arsimit dhe shkollimit alternativ. Fjala nuk është për përsëritje thjesht të programeve dhe tipave të didaktikës që mbizotëron. Përkundrazi, me nisma veçanërisht origjinale ofrohet për qindra familje, jo vetëm në qendrat urbane, por edhe ato rurale, arsim i niveleve dhe modeleve të avancuara dhe me standarde të larta. Me shumë gëzim konstatojmë se shkollat tona, që fokusojnë kryesisht tek nxënësi dhe personaliteti i tij, renditen në avangardë edhe për sa i përket asimilimit të programit të detyruar dhe njohurive shkencore. Në këtë mënyrë janë ndër më të kërkuarat në zonat ku janë të pranishme dhe zhvillojnë aktivitetin e tyre, duke ndikuar esencialisht në transformimin e mbarë shoqërisë. Janë me dhjetëra të rinjtë dhe të rejat që kanë mbaruar në shkollat tona, dhe ndërsa në vijim përmbyllën edhe studimet universitare, shndërrohen në faktorë të mësuesisë së dashurisë, të shoqërisë së tolerancës në të ndryshmen, të përhapjes së dhuratës së besimit.

Ka rëndësi të referojmë edhe disa numra për t’u perceptuar më mirë vepra që po realizohet në këtë fushë: 17 kopshte për fëmijë, 3 shkolla 9-vjeçare, 6 shkolla të mesme, konvikte për vajza dhe djem, qendra të mësimit të gjuhëve të huaja etj. Gjithashtu, ka rëndësinë e vet të veçantë fakti se ato aplikojnë programe duke treguar respekt maksimal për karakteristika të veçanta që lidhen me origjinën dhe gjuhën e komuniteteve lokale, të cilave iu drejtohen. Vijon Kolegji Universiteti “Logos”, që me fakultetet dhe departamentet e tij përmbyll kuadrin e kontributit dhe pranisë së Kishës sonë në arsim dhe krijon perspektivë për të ardhmen. Në sektorin e arsimit profesional Kisha u ndodh gjatë gjithë këtyre viteve një hap para. Si me themelimin dhe mirëfunksionimin e Shkollës së Mesme Teknike dhe Profesionale, aq edhe të Instituve të Kualifikimit Profesional – institucion që u përfshi rishtaz në Shqipëri. Ndërsa sot vazhdon me programet e nivelit të kolegjeve profesionale, për përgatitje të kuadrove të sektorit agroushqimor në Kolegjin Universitar “Logos”. Dhe një rikthim te numrat: për infrastrukturën ndërtimore, ku janë vendosur qendrat arsimore që u përmendën, janë investuar më se 15 milionë dollarë. Ndërkohë, pajisja dhe mobilimi i tyre, si edhe sigurimi i mirëfunksionimit sipas standardeve dhe kërkesave më ambicioze nënkupton shpenzime pothuajse të njëjta.

Koha është aq e pamjaftueshme dhe fjalët të varfra sa e kemi të pamundur të përshkruajmë gjithë dimensionet e kontributit të Kishës për arsimimin e brezit të ri. Por i dinë më mirë të gjithë ata, gjithsecili dhe gjithsecila, sa janë denjësuar dhe kanë pranuar këto dhurata.

Për shumë vjet Fortlumturi, në mënyrë që kjo vepër ripërtëritëse dhe njeridashëse të vijojë dhe të shtohet me hirin dhe për lavdinë e Perëndisë! Amin!