Fort i nderuar Fortlumturi,
Të nderuar, anëtarë të Sinodit të Shenjtë,
Të nderuar pjesëmarrës në këtë Asamble Kleriko-Laike,
Pas izolimit total, që kishte diktuar regjimi i egër ateist, në vitin 1991 Shqipëria hyri në rrugën e zhvillimeve demokratike brenda një situate të paqëndrueshme politiko-shoqërore, krize ekonomike dhe pasigurie. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë përballej ndërkohë me vështirësi të mëdha në përpjekjet e saj për t’u ringritur nga rrënojat dhe hiri që kishte lënë persekutimi ateist. Rreth 1600 kisha dhe manastire ishin shkatërruar; sa nuk qenë prishur, ishin kthyer në qendra argëtimi, restorante, ofiçina, kazerma, depo etj. Objektet e kultit, që për vlerat e tyre ishin shpallur “monument kulture”, gjendeshin në gjendje të mjerueshme dhe të braktisura.
Me tronëzimin e Fortlumturisë së Tij, Anastasit, si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, më 2 gusht 1992, nisën përpjekjet për ringritjen nga themelet të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndërtimi i vendeve të kultit ishte nevojë urgjente. Përpjekjet nisën me vendosjen e kishave parafabrikate, vazhduan me rindërtimin dhe restaurimin e kishave ekzistuese dhe më tej, me ndërtimin e kishave të reja. Për këtë qëllim u organizuan dy Zyra të posaçme Teknike, një në Tiranë dhe një në Gjirokastër me grupe arkitektësh dhe inxhinierësh vendas; u themelua Bërthama e Trashëgimisë Kulturore, u bashkëpunua me shumë shoqëri ndërtimi, u grumbulluan fondet e nevojshme dhe, brenda 30 viteve u realizua një vepër madhështore ndërtimore, restauruese e kulturore.
Kjo vepër, të cilën kam nderin e përveçëm ta prezantoj përmbledhtas sot, përllogaritet në mbi 526 vepra, të realizuara me nismën, kujdesin e drejtpërdrejtë dhe mbledhjen e fondeve financiare nga Kryepiskopi Anastas, dhe të shtrira në të gjitha krahinat e Shqipërisë, aty ku ekzistojnë komunitete Orthodhokse.
Në këta 30 vjet, u ndërtuan nga themelet mbi 200 kisha të reja, u rikonstruktuan, riparuan dhe meremetuan 55 kisha të dëmtuara apo të shformësuara rrënjësisht nga regjimi i diktaturës ateiste, u restauruan plotësisht 70 monumente kulture, kisha dhe manastire, si dhe u realizuan 98 vepra shpëtuese jo vetëm në kishat e shpallura “Monument Kulture”, por edhe në të tjera që kanë vlera arkitektonike, artistike dhe historike, me qëllim shmangien e rrezikut të shkatërrimit dhe për parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme. Gjithashtu, u blenë, u rikonstruktuan dhe u ndërtuan më tepër se 75 ndërtesa për seli metropolitane, shtëpi pritjeje, kopshte, shkolla, qendra shëndetësore, punishte, qendra rinore, mensa për të varfrit etj.
Ndërtimet e reja kishtare dallohen për përsosmërinë e tyre dhe kontribuojnë në përmirësimin e estetikës së qyteteve, vendeve dhe fshatrave. Ndër to veçojmë kishat katedrale të Korçës, Fierit, Beratit, Gjirokastrës, Durrësit, Pogradecit, Shkodrës, Sarandës etj., mjaft prej tyre dykatëshe dhe me sipërfaqe rreth 1.000 m2. Më përfaqësuesja midis tyre është Kisha Katedrale e Ngjalljes me Qendra Sinodike dhe atë Kulturore, ku jemi mbledhur sot. E ndërtuar në një truall prej 5 dynymësh dhe me sipërfaqe strukturore të përgjithshme 10.000 m2, ajo përbën një shprehje të simbolizmit të shenjtë në formë moderne, një ikonë të rilindjes së besimit fetar në Shqipërinë postkomuniste.
Njëkohësisht me ndërtimin e kishave, janë blerë, rikonstruktuar apo ndërtuar qendra administrative dhe ndërtesa për zhvillimin e programeve të ndryshme arsimore e sociale të Kishës Orthodhokse. Sot numërohen rreth 27 institucione arsimore kishtare dhe jokishtare, të vendosura në ansamble godinash të reja apo të rinovuara. Në të njëjtën kohë, 17 kopshte funksionojnë në godina të ndërtuara në qytete të ndryshme të vendit. Në vitin 2010, Kolegji Universitar “Logos” u strehua në një kompleks të madh ndërtesash, në një nga zonat më nevralgjike të kryeqytetit.
Kontributi i Kishës në fushën e shëndetit vjen me ndërtimin e Qendrës Mjekësore Diagnostike “Ungjillëzimi”, e cila funksionon në një godinë të re gjashtëkatëshe në Tiranë, të Qendrës Okulistike dhe Otorinolaringologjike dhe të poliklinikave të tjera në Korçë, Lushnjë, Kavajë dhe Jergucat të Gjirokastrës, të gjitha të strehuara në godina të pajisura me standarde të posaçme dhe aparatura bashkëkohore mjekësore, për t’i ofruar komunitetit shërbim të një cilësie të lartë.
Krahas rimëkëmbjes së saj të brendshme, Kisha Orthodhokse e Shqipërisë është përkujdesur gjithashtu për realizimin e veprave me dobi publike. Bëhet fjalë për mbi 65 vepra të shumëllojta publike, nga të cilat 15 janë ndërtime, përmirësime, shtrime rrugësh publike dhe ndërtime urash, në ndihmë të komuniteteve të ndryshme, për të lehtësuar komunikimin mes tyre, duke i ndihmuar të mbijetojnë në një periudhë izolimi infrastrukturor. 22 vepra konsistojnë në ndërhyrje dhe rikonstruksione të kopshteve, shkollave dhe universiteteve publike, të cilat ishin dëmtuar, djegur apo shkatërruar, duke i detyruar fëmijët dhe të rinjtë të braktisnin edukimin apo të udhëtonin me orë në këmbë për t’i dhënë vetes dhe vendit shpresa për të ardhmen. 14 vepra u përqendruan në furnizimin e fshatrave me ujë, përmes shpimit të puseve dhe sigurimin e ujit të pijshëm dhe ndërtimin e rrjeteve të ujësjellësve nga burimet e largëta (deri mbi 5 km). 7 vepra kishin për qëllim përmirësimin e rrjeteve të elektrifikimit në fshatra që jetonin nën pushtetin e errësirës.
Një tjetër projekt me rëndësi afatgjate dhe historike ishte ndërtimi i veprës hidroenergjetike “Rapuni 3 dhe 4”, pranë Librazhdit në vitin 2016, si dhe ndërtimi i dy njësive të tjera hidroenergjetike në Llëngë. Vepra plotëson standardet mjedisore, përdor burime të rinovueshme të energjisë, kontribuon në rritjen e infrastrukturës së Shqipërisë dhe sigurisht mbështet vijueshmërinë e veprës shumëdimensionale shpirtërore, filantropike, arsimore dhe sociale të Kishës sonë Orthodhokse.
Me veprat ndërtimore të infrastrukturës, që i tejkalojnë 526 objekte dhe arrijnë në miliona dollarë, Kisha Orthodhokse ka kontribuuar në zhvillimin ekonomik të vendit në mënyrë të heshtur dhe dinjitoze, duke u ofruar punë qindra nëpunësve, dhjetëra shoqërive vendase dhe qindra punëtorëve.
Krahas përpjekjeve kolosale të përmendura deri tani, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë i ka kushtuar një kujdes të veçantë ruajtjes dhe restaurimit të trashëgimisë sonë kulturore. Deri sot, nën kujdesin e drejtpërdrejtë dhe mbështetjen e plotë financiare të Fotlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, janë shpëtuar nga rrënimi i sigurt 156 monumente kulture dhe kisha historike, për shpëtimin apo restaurimin e plotë të të cilave janë shpenzuar deri më sot 11 milionë euro.
E gjithë kjo ndërmarrje kaq voluminoze nuk ishte e lehtë. Por, siç thekson vetë Kryepiskopi: “…me gjithë këto, vazhduam këtë përpjekje të vështirë e të shumanshme me entuziazëm të shenjtë, me sigurinë se restaurimi dhe rehabilitimi i ndërtesave kishtare historike në origjinalitetin e tyre nuk mbulon vetëm nevojat e sotme për sigurimin e vendeve të përshtatshme të kultit, por përbën edhe tregues nderimi e respekti ndaj brezave të mëparshëm, të cilët për shekuj arritën të krijojnë vepra të tilla, dhe, njëkohësisht, përkujdesje për brezat e ardhshëm, të cilët kanë të drejtë të krenohen dhe të frymëzohen nga vlerat e së kaluarës”.
Paralelisht, janë ngritur kore në mjaft kisha, si edhe kori profesionist bizantin “Shën Joan Kukuzeli”, që ka nxjerrë albume me himne kishtare në shqip; funksionon një atelie për pikturimin dhe laborator për restaurimin e ikonave: deri sot janë restauruar rreth 600 ikona të vjetra; përmes stacioni radiofonik “Ngjallja”, janë realizuar emisione të ndryshme, që synojnë njohjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore; janë sponsorizuar botime të rëndësishme shkencore, filma dokumentarë, simpoziume shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, ekspozita të ndryshme etj. Të gjitha këto vepra kanë për qëllim ruajtjen, përhapjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore, si vazhdimësi artistike dhe shpirtërore.
“Arti i krishterë dhe kultura në përgjithësi, thotë Kryepiskopi Anastas, që është zhvilluar dhe u ka rezistuar agresioneve dhe furtunave të njëpasnjëshme në vend, është një element i çmuar, i pazëvendësueshëm, i ndërgjegjes, por edhe i subkoshiencës së popullit shqiptar. Në shek. XXI, Shqipëria, krahas përpjekjeve politike, organizative, legjislative dhe ekonomike, i duhet që të nxjerrë nga damarët më të mirën e traditës së saj kulturore, si frymëzim dhe fuqi, për ecjen dhe përparimin e mëtejshëm.”.