EmailFacebookKontakt

Kremtim me rastin e 30-vjetorit të fronëzimit të Kryepiskopit Anastas

Më 2 Gusht 2022, me rastin e 30-vjetorit të Fronëzimit të Prof. Dr. Anastasit si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, u kremtua Liturgjia Hyjnore Arkihieratike me pjesëmarrjen e Mitropolitëve: i Korçës, Hirësi Joani; i Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri; i Fierit, Hirësi Nikolla; i Elbasanit, Hirësi Andoni; i Amantias, Hirësi Nathanaili, si edhe klerikë nga të gjitha Mitropolitë e vendit.

Në emër të klerit dhe popullit shpresëtar, foli Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani, i cili i shprehu mirënjohjen e thellë dhe falënderime Kryepiskopit Anastas për gjithë sa ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kishën dhe mbarë popullin shqiptar.

Kryepiskopi Anastas kujtoi para besimtarëve se e gjithë kjo vepër nuk ka qenë e lehtë, por me dëshirën e Perëndisë “të pamunduarat u bënë të mundura”.

Urime të shumta dhe të përzemërta i drejtuan Atit dhe Kryebariut tonë besimtarët e shumtë që kishin mbushur Kishën Katedrale “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.

***

“Të ecim siç është e denjë për t’i pëlqyer Atij në të gjitha” ishte mesazhi qendror i Asamblesë Kleriko-Laike jubilare të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që u zhvillua pas Liturgjisë. Kjo datë shënon fillimin e ringritjes kanonike të Kishës Orthodhokse në Shqipëri, pas viteve të ashpra të regjimit të egër ateist.

Përgjatë këtyre 30 viteve, vepra ndërtuese, shpirtërore dhe sociale e Kishës sonë ka arritur përmasa të paimagjinueshme: mbi 160 kisha dhe katedrale të ndërtuara, 68 kisha e manastire monumente kulture të restauruara, mbi 170 Kisha të rregulluara. Ngjarje themelore ishte krijimi i Sinodit të Shenjtë.

Asambleja u hap me një dokumentar për ringritjen e Kishës dhe këngë të krishtera nga kori i Radios “Ngjallja”.

“Të kujtojmë, – tha Kryepiskopi në fjalën hyrëse, – dhuratat që na ka dhënë Perendia në këta 30 vjet. Shoh tani këtu persona që dikur ishin të rinj dhe sot janë punonjës dhe pjesë e intelektualëve të vendit dhe anëtarë të Kishës që rrezatojnë një jetë me virtyte të larta”.

Asamblenë e hapi Mitropoliti i Elbasanit, Hirësi Andoni, me temën “Krijimi i kuadrove kishtare”. Përgjegjësi i Zyrës së Katekizmit, z. Miron Çako, bëri një përmbledhje të veprës katekitike në Kryepiskopatë dhe Mitropolitë. “Kontributi i Kishës sonë Orthodhokse në veprën ndërtuese, restauruese dhe kulturore”, ishte tema që referoi z. Andrea Rëmbeci. Atë Nikolla Kodheli, foli për veprën sociale të Kishës, që përfshin ndihmë konkrete për njerëzit në nevojë. Përgjegjësja e Zyrës “Diakonia Agapes”, z. Nina Gramo, solli në vëmendje veprën e madhe filantropike të Kishës.

Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri, foli për kontributin e Kishës në arsim, dhe jo vetëm në atë kishtar. Përgjegjësi i klinikës diagnostike “Ungjillëzimi” në Tiranë, z. Vasil Kristo, prezantoi gjerësisht nismat e shëndetësisë të ndërmarra nga Kryepiskopi Anastas.

Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikolla, foli për Kontributin e Kryepiskopit Anastas në marrëdhëniet ndër të krishtera dhe ndërfetare.

“Udhëtimi vazhdon…” tha në mbyllje Kryepiskopi Anastas, duke u bazuar tek fjala e Apostull Pavlit: “Të ecim siç është e denjë për Zotin, për t’i pëlqyer Atij në të gjitha”.

Fama e Kryepiskopit, që u psal në mbyllje nga të pranishmit, ishte një falënderim për punën e përkushtuar dhe me dashuri hyjnore në këta 30 vjet për Kishën tonë, për veprën madhështore të kryer me përulësi nga Kryebariu ynë.

Asambleja u mbyll me një foto të përbashkët, drekën e rastit dhe me dhurimin pjesëmarrësve të librit “Ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (1992-2021)”.