EmailFacebookKontakt

Kujdes dhe respekt për ata që kontribuuan për Kishën

Nikollaq Popli lindi në qytetin e Beratit në vitin 1943. Ai shërbeu për më shumë se 10 vjet si epitrop dhe kujdestar në kishën e Shën Gjergjit, në qytetin e Durrësit. Klerikët dhe besimtarët e qytetit e kujtojnë me respekt dhe mirënjohje për punën dhe kontributin e tij e njëkohësisht vlerësonin te personi i tij dashurinë, mirësinë dhe komunikimin e ngrohtë me besimtarët.

Vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në një qendër për të pamundurit (“Nënë Tereza”) në Tiranë nën një kujdes të veçantë, duke pasur vazhdimisht mbështetjen dhe interesimin e klerikëve të qytetit të Durrësit.

Meqenëse donte të prehej në qytetin e lindjes pranë prindërve, pas fjetjes së tij, atë Petro Thanasi u kujdes që të bëhej i mundur transportimi i trupit të tij nga Tirana në Berat. Atje u krye edhe Shërbesa e varrimit ku morën pjesë atë Petro Thanasi, atë Joan Qako, atë Jani Terziu dhe pedagogu i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, Dhimitër Qose.

Atë Jani Terziu
Klerik në kishën e Shën Nikollës, Kavajë