Shën Andrea, më i madhi i shenjtorëve ikonografë, lindi rreth vitit 1360. Disa supozojnë se kur ishte i ri kaloi disa kohë në Bizant, por ajo që dihet mirë është se mësoi artin e ikonografisë në Rusi nga Theofan Greku. U bë murg në manastirin e Shpëtimtarit të Mëshirshëm në Moskë, themeluar nga shën Androniku (1360), dishepull i shën Sergjit dhe jetoi në Lavrën e Trinisë së Shenjtë, nën drejtimin shpirtëror të shën Nikonit (17 nëntor), nën hijen e shën Sergjit. Gjatë këtij qëndrimi, i caktuan dekorimin e kishës së Shën Trinisë, bashkë me bashkëdishepullin dhe vëllain më Krishtin, Danieli i Zi. Punuan së bashku edhe në Moskë dhe dekoruan katedralen e Fjetjes së Vladimirit.
Të dy murgjit ikonografë kreshmonin e luteshin dhe ishin të mbushur me hirin hyjnor. Mendjen dhe shpirtin i kishin të kthyera drejt dritës hyjnore që shkëlqente në zemrat e tyre, duke përçuar në ngjyra mbi muret dhe pllakat, reflektimet e kësaj soditjeje të brendshme. Kur të dielave nuk merreshin me pikturë, qëndronin përpara ikonave që kishin realizuar paraardhësit e tyre, me gëzim dhe dritë hyjnore. Prandaj dhe Perëndia i lavdëroi në orën e tyre të fundit: Andrea fjeti i pari (rreth vitit 1427), pastaj Danieli u sëmur dhe para se të braktiste këtë jetë, pa shokun e tij në lavdi të madhe, i cili e thërriste për lumturinë e përjetshme dhe të pafund.
Të gjitha ikonat e pikturuara nga shën Andrea janë plot me hir. Disa janë bërë dhe mrekullibërëse, megjithatë, pa asnjë dyshim, më e famshmja është ajo e Trinisë së Shenjtë, pikturuar në kishën e Lavrës së Shën Sergjit, me urdhër të Nikonit, dhe që Sinodi i 100 Kapitujve e shpalli modelin e ikonës orthodhokse (1551). Shenjtori paraqet me art të rrallë dhe fuqi teologjike të pakrahasueshme dashurinë e pamasë që bashkon Personat hyjnorë. Lëvizja rrethore që paraqet ulja e kokës së Engjëjve dhe pema në fund të skenës, e bëjnë besimtarin, që qëndron me shpresëtari përpara kësaj “ikone të ikonave”, të bëhet pjesëmarrës i këtij kori hyjnor. Edhe ai ftohet të marrë pjesë në këtë tryezë, ku dallohet një kafshë e flijuar, simbol i banketit eukaristik.
Trinia e Shenjtë – Vepra më e famshme e ikonografisë ruse, shek. XV.
Burimi: Sinaksari, korrik