EmailFacebookKontakt

Uniteti kombëtar nuk arrihet duke nxitur përçarjen fetare

Nuk mund të dënosh, nëse nuk dëgjon edhe tjetrin

U bë një kohë mjaft e gjatë që në disa shkrime po sulmohet sistematikisht ekzarku i Patriarkanës, Hirësia e Tij Anastas Janullatos dhe, pas këtyre sulmeve, nuk është e vështirë të dallohet mësymja frontale kundër fesë ortodokse në përgjithësi. Pikënisja e gjithë këtyre shkrimeve është përkatësia etnike e ekzarkut. Por, na e do mendja, se sulmi do të ishte i njëllojtë edhe ndaj një ekzarku tjetër, rus a indian p.sh. Në një shtet demokratik, bashkekzistenca paqësore e feve dhe respekti reciprok i tyre është një faktor mjaft domethënës dhe me peshë në unitetin kombëtar. Por, ndoshta ndokush mendon se edhe përçmimi dhe denigrimi i njërës apo tjetrës fe është faktor demokracie! Në qoftë se artikujshkruesit do të ishin me gjithë mend të interesuar për ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar shqiptar, para se t’i hynin punës së lodhshme e të papërballueshme për kapacitetet e tyre, pra sulmit kundër ekzarkut të Kishës, do të ishte mirë që faktet t’i kalonin në filtrin e së vërtetës së virgjër e jo të pasioneve. Si dhe të mësonin pak histori!

E vërteta për Kishën Autoqefale

Është shkruar se në Kongresin e Beratit (12 shtator 1922) u deklarua që nuk duam ekzarkë në Shqipëri. Sa e vërtetë është kjo? Nga burimet e shtypit të kohës mësojmë se pjesëmarrësit e Kongresit shpallën: “Autoqefalinë e Kishës Orthodhokse Kombëtare të Shqipërisë … duke mbajtur lidhje spirituale, dhogmatike e apostolike me mëmën Kishë të Patrikanës së Shenjtë Ekumenike… por administrativisht indipendente”. Fletorja zyrtare e vitit 1922, datë 26.10., nr. 49).

Pas miratimit të Këshillit të Lartë të Kishës, i përbërë nga 4 klerikë dhe 4 laikë (me kryetar atë Vasil Markon, një nga luftëtarët më aktivë për pavarësinë e Kishës Shqiptare në SHBA – shih: M. Grameno, “Unaza e trashëgimit”, fq. 76, bot. 1937). Kongresi miratoi edhe statutin e Kishës, prej 14 nenesh. Në nenin 5 autorizohet Këshilli që të hyjë në bisedime me Patriarkanën Ekumenike dhe, po të ishte nevoja, edhe me patriarkanat dhe kishat e tjera ortodokse autoqefale, për njohjen e autoqefalisë së kishës sonë. Në nenin 6 kërkohet nga Patriarkana dërgimi i dy episkopëve për formimin e Sinodhit të shenjtë.

Dhe vërtet, nga Patrikana erdhën ekzarkë: më 1922 Jerotheu (bashkë me Kristofor Kisin, më pas, kryetar i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili më 24 nëntor 1923 dorëzoi episkop Theofan Nolin, si dhe Hrisanthi i Trapezundës, më 1926. Pra, siç del edhe nga sa tha më sipër, që një kishë të jetë autoqefale, duhet që Patrikana e Stambollit, e cila luan rolin e një koordinatori, t’ia njohë këtë autoqefali.

Pas vitit 1944, pak nga pak, si pasojë e terrorit ateist komunist, të gjitha fijet që e lidhnin Kishën tonë me kishat e tjera dhe me Patriarkanën u këputën, tërë objektet e kultit u rrafshuan dhe kryesorja: rilejimi i besimit fetar e gjeti fenë orthodhokse në Shqipëri pa hierarkinë fetare, kusht i domosdoshëm që një kishë të jetë autoqefale. Në këtë drejtim, Shqipëria përbën një rast pa precedent. Ç’duhej bërë tani?

Laikët nuk mund të mblidheshin e të shpallnin një episkop. Pra, nuk mund të bëhej ndryshe nga rregullat e vendosura të Kishës Orthodhokse, që janë në fuqi prej shekujsh dhe i respektojnë mbarë kishat orthodhokse të botës.

Pse dhe si erdhi ekzarku në Shqipëri

Hirësia e Tij Janullatos është një ndër figurat më të respektuara të botës orthodhokse, i cili ka ndihmuar me vetëmohim për riorganizimin kishave të një sërë vendeve; është gjithashtu një intelektual i nderuar dhe tek e fundit, një ushtar i devotshëm i fesë së tij. Nëse Patriarkana nuk do të dërgonte këtu ekzarkun e vet, atëherë do të ekzistonin pasojat e rrezikshme të mëposhtme: Nga Kisha greke do të interesoheshin vetëm për kishat e një zone të caktuar; nga Kisha rumune për ndonjë zonë tjetër, për tjetër zonë nga Kisha serbe. Kështu do të krijoheshin parcela të ndryshme: (një në Korçë, një në Tiranë, një në Gjirokastër e një në Shkodër). Kuptohet fare lehtë se një gjë e tillë vetëm çështjes kombëtare të autoqefalisë së Kishës nuk do t’i shërbente.

Ja çfarë na tha lidhur me emërimin e tij ekzarku Anastas:

“Në korrik të vitit të kaluar, që erdha në Shqipëri, pas dy javësh bëmë Konferencën e përgjithshme Kleriko-laike (1-2 gusht). Merrnin pjesë 15 klerikë të aftë për të kryer misionin dhe 30 laikë, përfaqësues të 4 mitropolive të Shqipërisë. Natyrisht, të gjithë interesoheshin për rimëkëmbjen sa më të shpejtë të Kishës. Aty u zgjodh një këshill kishtar i përgjithshëm prej 4 klerikësh dhe 4 laikësh; të gjithë anëtarët qenë shqiptarë. Idealja do të qe sikur të kishim edhe një episkop shqiptar!…

Gjithsesi, për t’u përligjur ekzistenca e Kishës duhej edhe episkopi, prandaj dhe konferenca vendosi njëzëri që kryetari i këshillit të përgjithshëm kishtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (është e domosdoshme të jetë episkop), të jetë mitropoliti Anastas. Tani nuk mund të vijë më këtu X apo Y nga Kisha greke a cilado Kishë tjetër, sepse Kisha shqiptare ekziston… Duhet të theksoj se edhe në Seminarin e Durrësit, të gjithë kandidatët janë shqiptarë dhe bëmë të pamundurën për të aktivizuar të gjithë pedagogët teologë shqiptarë. Natyrisht, jepen mësime edhe në gjuhë të huaj, por edhe ato përkthehen dhe unë po bëj të pamundurën që të gjitha shërbesat të kryen në shqip”.

Dhe vërtet, të gjithë besimtarët e kanë parë kohët e fundit se si ekzarku po meshon shqip… Dhe, sa për ata që spekulojnë duke tundur “kartën amerikane” (asnjë nga priftërinjtë shqiptarë të Amerikës s’bëhet dot episkop, sepse janë të martuar dhe varen nga një episkop rus), le të pyesin se çfarë tha atë Ilia Katre për Hirësinë e Tij Janullatos, në meshën e Pashkëve.

A varen kishat e minoritetit nga Athina?

Përgjigjja e ekzarkut është kategorike: “‘Jo’! Ç’janë kisha brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, varen vetëm nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë!”.

Është e vërtetë se ka pasur zëra, madje edhe përpjekje që kishat e minoritetit të vareshin nga Kisha greke, mirëpo, me ardhjen e ekzarkut, kjo u eliminua përfundimisht. Një argument i gabuar, pas të cilit kapen mjaft artikujshkrues, është njësimi i Patriarkanës me Kishën greke (e cila, si ajo shqiptare, është kishë bijë e Patriarkanës). Ky është një absurditet sepse Patriarkana Ekumenike s’mund të njësohet me asnjë kishë kombëtare.

A do të vazhdojë kjo fushatë denigruese?

Nuk e dimë. E përsërisim edhe një herë: Demokracia nënkupton edhe respektin e çdo feje e të hierarkëve të saj. Edhe fetë e tjera kanë klerikë të huaj këtu. Priftërinjtë katolikë meshojnë latinisht, klerikët myslimanë luten arabisht e për çudi, asnjë fjalë kundër tyre nëpër gazeta! Nuk duhet harruar se feja orthodhokse është e dyta në Shqipëri dhe, duke u fyer feja dhe klerikët me akuza të pabaza, fyhet edhe një pjesë e mirë e besimtarëve shqiptarë. A i mendojnë artikujshkruesit këto gjëra? Veç Zoti mund ta dijë. Kemi mendimin se sulmi kundër fesë orthodhokse mund t’i shërbejë gjithkujt, me përjashtim të unitetit kombëtar. Ata që identitetin kombëtar e njësojnë me fenë që aktualisht dominon, bëjnë një gabim trashanik, qoftë edhe për faktin se Shqipëria ekziston prej dhjetëra e dhjetëra shekujsh, kurse feja islame hyri pas vdekjes së Skënderbeut, më saktë Gjergj Kastriotit, dhe tradicionalisht, të gjitha fetë te ne kanë bashkëjetuar në harmoni.

Pa pretenduar se ky shkrim e ezauron problemin, do të dëshironim t’i mbyllnim këta rreshta me fjalët e vetë ekzarkut:

“Asnjë nga gazetarët që ka shkruar kundër meje nuk ka ardhur të më takojë; do ta pranoja me kënaqësi, sidomos Arbër Kastriotin, megjithëse më kanë thënë se ky emër nuk është real. Po të vinin të më takonin dhe po të kishin dëshirë t’i shërbenin së vërtetës, nuk besoj se do të shkruanin kështu.

Ka një ligj demokracia: kur dikush shkruan diçka kundër një tjetri, atëherë ky tjetri ka të drejtën të përgjigjet në të njëjtën gazetë dhe në të njëjtin vend. E di se përgjigjja që u dërgua nga bashkëpunëtorët e mi nuk u botua. Kur kjo e drejtë mohohet, kemi të bëjmë me mendësinë e sistemit të shkuar, sipas së cilës i pandehuri dënohej pa iu lejuar të mbrojë të vërtetën”.

Robert Goro
Thoma Dhima