Murgjit në Malin e Shenjtë, të dashur besimtarë, kanë një thënie shumë të shquar e të urtë. Cila është kjo thënie? “Duhet të vdesësh para se të vdesësh që të mos vdesësh kur të vdesësh”. Çfarë kuptojnë? Kjo do të thotë që të bëjmë një jetë të tillë të përditshme, një jetë të vdekur nga pasionet dhe mëkatet dhe çdo gjë të keqe, në mënyrë që, kur të vdesin, kur të shfaqemi para Zotit, të mos na vendosë në vdekjen e përjetshme.
…Kjo është shumë e dobishme për jetën tonë shpirtërore, ndonëse do na duket e çuditshme, por etërit dhe mësuesit e Kishës vazhdimisht na mësojnë dhe na këshillojnë që është shumë e dobishme për jetën tonë që ne të mendojmë për fundin e saj. Të mendojmë për vdekjen tonë. Të mendojmë që do të dalim para Perëndisë që do të gjykohemi. Të mendojmë se cili do të jetë vendimi pas gjykimit tonë.
…Në një mënyrë apo në një tjetër Zoti shfaqet, vjen dhe ne do të shfaqemi përpara Tij. Ose të mendojmë se do të jetë dita në të cilën ne do të vdesim dhe do të shfaqemi përpara Zotit, le të mendojmë tani për këtë. Atëherë do të shikojmë, do të sjellim ndër mend çfarë kemi lënë pas. Çfarë kemi lënë në jetën tonë? Kemi lënë ndonjë të mirë? Kemi lënë ndonjë të keqe? Si është jeta jonë, si ka qenë me të tjerët? Çfarë do t’i themi Zotit kur të shfaqemi përpara Tij?
Kemi dëgjuar ose parë shumë raste kur njerëzit e ndodhur në rrezik për jetën ose në prag të vdekjes, gjithmonë kanë rendur të flasin me njerëzit e tyre të dashur. Të pajtohen me ata që janë zëmëruar, për të pasur një fund me paqe. Nëse ne çdo ditë do të mendojmë diçka të tillë, ajo do të na bënte më të kujdesshëm në sjelljen dhe gjithë jetën tonë. Gjithmonë do të thoshim me vete: Unë sot do të shfaqem përpara Zotit, dua të jem në paqe me të gjithë. Dua të lë diçka të mirë pas kur të largohem. Prandaj, mendimi për fundin, për paraqitjen përpara Zotit, mendimi për jetën e përjetshme e bën shumë më të dobishme përparimin tonë dhe jetën tonë.
Edhe Zoti kështu na thotë në Ungjillin e sotëm: “Kërkoni së pari Mbretërinë e Perëndisë”, kini në mendje gjënë e fundit. Atë të fundit, e cila në fakt është fillimi, fundi që ne mendojmë është fillimi i gjithçkaje. Kini në mendje këtë fund thotë Zoti. Kini në mendje Mbretërinë e Perëndisë. Edhe gjithë gjërat e tjera do t’i keni, mos kini merak, do t’i keni të gjitha.
Mendoni këtë fund edhe do të keni bekimin dhe jeta jonë do të jetë gjithmonë me këtë shpresë edhe me këtë gëzim. Me gëzimin që një ditë do të fitojmë Mbretërinë e Perëndisë.
Kjo ka qenë forca e gjithë shenjtorëve, e gjithë atyre murgjve, të cilët e mendojnë këtë gjë jo se janë të varfër dhe nuk kanë çfarë të humbasin. Nëse shkon në manastire, do të takosh njerëz të diplomuar, njerëz me nga dy e më shumë universitete, të cilët kanë menduar fundin e lumur. Kemi dëgjuar për princër e princesha, për mbretër të cilët kanë lënë pushtetin, pasurinë e tyre dhe janë bërë murgj. Pse? Sepse kanë menduar fundin, kanë menduar Mbretërinë e Perëndisë. Pse shenjtorët e tjerë duronin gjithë ato sakrifica, mundime, tortura, vuajtje, përndjekje? Sepse gjithmonë në mendje kishin fundin dhe Mbretërinë e Perëndisë. Pse dëshmorët e Kishës preferonin të jepnin jetën e tyre? Sepse kishin në mendje fundin dhe Mbretërinë e Perëndisë.
Kështu, të dashur besimtarë, le të kemi dhe ne në mendjen tonë dhe në zemrën tonë fundin dhe në mendjen dhe në zemrën tonë gëzimin që do na japë Zoti në mbretërinë e Perëndisë.
Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë e Fierit, Nikolla, e Diela e 3-të e Mattheut, 3 korrik 2022