Në datën 29 qershor 2022, në sallën e Qendrës Kulturore pranë Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, u organizua ceremonia e diplomimit të maturantëve të shkollës së mesme “Protagonistët”, pjesë e Fondacionit “Frymë Dashurie”. Në veprimtari ishte i pranishëm Kryepiskopi Anastas. Merrnin pjesë prindër të maturantëve, mësues, nxënës, stafi i Fondacionit dhe të ftuar të tjerë.
Kjo mbrëmje ishte shumë emocionuese dhe mbresëlënëse, pasi drejtues, nxënës, mësues dhe prindër përshëndetën arritjet e shkollës në vite.
Në fjalën e hapjes, drejtori i shkollës, z. Stefan Dedja, pasi përshëndeti Fortlumturinë e Tij, dhe pjesëmarrësit në këtë ceremoni, theksoi se të gjithë jemi të përfshirë nga emocionet: Prindërit të emocionuar me gëzimin se para syve të tyre ndodhet një i rritur, mësuesit me kënaqësinë e plotësimit akademik dhe edukativ të tri viteve dhe maturantët të mbushur me gëzim për përfundimin me sukses të ciklit shkollor.
Më pas, nxënës të shkollës sollën kujtime të bukura nga jeta e këtyre viteve, duke shprehur me shumë emocion dhe mallëngjim këto çaste të paharruara të ndarjes nga shkolla dhe njëri-tjetri.
Pas një videomesazhi të përgatitur nga maturantët përshëndeti nëndrejtoresha, znj. Ilda Gjino, e cila e kryen këtë detyrë me përkushtim dhe profesionalizëm që nga viti shkollor 2014 – 2015, me maturën e parë dhe deri sot, me rezultate gjithmonë në rritje, si nga ana sasiore dhe ajo cilësore. Urimi i parë në këtë ceremoni, theksoi ajo, shkon për Kryepiskopin Anastas, me kontribut të ndjeshëm në ngritjen e shumë institucioneve arsimore kudo në Shqipëri për mësimin dhe edukimin e të rinjve, me shpresë dhe dashuri, ku spikat shpirti i tij krijues dhe dashamirës!
Nxënësit që mbaruan sivjet ishin matura e 8-të e shkollës, 7 herë më e madhe në numër se matura e parë; të gjitha me kalueshmëri 100 për qind dhe me rezultate shumë të mira nga ana cilësore:
Në anglisht: nga 67 maturantë dolën me notë mesatare 9.5. Në letërsi: me notë mesatare 8.7 dhe u vlerësuan me notën 10 dhjetë nxënës. Në matematikë: me notë mesatare 8.6, me notën 10 u vlerësuan 32 nxënës nga të cilët 2 nxënës me 10.00. Në lëndët me zgjedhje: Nota mesatare ishte 9.
Mirënjohje dhe falënderim i veçantë për mësuesit e maturës!
Në vazhdim e mori fjalën për të përshëndetur Anisa Duka, përfaqësuese e Kolegjit Universitar “Logos”, e cila e vuri theksin në bashkëpunimin e ngushtë midis dy institucioneve arsimore, për sigurimin e suksesit në procesin mësimor – edukativ të shkollës së mesme “Protagonistët”.
Nga prindër të nxënësve maturantë, që përshëndetën këtë takim, u vu theksi te përkushtimi i stafit mësimor për edukimin dhe mësimin e fëmijëve të tyre, duke shprehur respekt dhe falënderim për punën e bërë në vite dhe duke siguruar se ky bashkëpunim do të jetë i pandërprerë në të ardhmen.
Mes ovacionesh dhe duartrokitjesh e mori fjalën për të përshëndetur Fortlumturia e Tij, Anastasi, i cili, veç të tjerash, e vuri theksin tek edukimi i brezit të ri me frymë dashurie, për të qenë gjithmonë realistë dhe të vërtetë! Pas përshëndetjes së tij të përzemërt, Kryepiskopi dhuroi për të gjithë maturantët librin e tij “Në Shqipëri Kryq dhe Ngjallje”, dhe ndau certifikata mirënjohjeje.
Në përfundim të këtij takimi emocionues, u bënë fotografi mes të pranishmëve, nxënës, mësues, prindër dhe të ftuar.
Ilda Gjino
nëndrejtoreshë e shkollës së mesme