Nga vendasit njihet me emrin “Wadi al Nasara” dhe nga bota njihet me emrin “Lugina e të Krishterëve”. Kjo zonë ndodhet në Sirinë Perëndimore, në kufi me Libanin dhe i përket rajonit të Homsit. Është e populluar kryesisht nga të Krishterë Orthodhoksë, që i përkasin Mitropolisë së Akarës, pjesë të Patriarkanës së Antiokisë. Lugina përfshin 32 fshatra, 27 nga të cilët janë të krishterë.
Edhe kur trupat e kalifateve arabe pushtuan rajonin në shek. VII, këta të Krishterë rezistuan pavarësisht situatave ekonomike apo politike të kohës; jo vetëm ata, por edhe të krishterët e tjerë të Sirisë. Në këtë rajon, 98 për qind e të krishterëve i përkasin Kishës Orthodhokse dhe 2 për qind asaj Katolike. Atje ndodhet një manastir i njohur orthodhoks dedikuar Shën Gjergjit, që daton që në shek. VI. Manastiri ndodhet pranë fshatit Al Meshtayeh, 5 km larg kalasë së famshme të Kalorësit ose si njihet ndryshe Krak des Chevaliers. Ky manastir shërbeu si një nga qendrat kryesore teologjike të rajonit, ku shumë murgj jetuan dhe u thelluan në besim. Aty kishte dhe një shkollë teologjike, e cila përgatiste klerikë të aftë.
Popullsia e Wadi al Nasara u reduktua me rreth 20 për qind gjatë viteve 2012-2013. Shumë prej tyre shkuan në Liban dhe një pjesë e madhe qëndroi duke rezistuar në një luftë të hapur kundër grupimeve terroriste.
Kohët e fundit, popullsia e zonës është rritur me më shumë se 150,000 banorë, të cilët e shohin vendin e tyre si një nga zonat më të sigurta në Siri. Në përgjithësi, popullsia e komunitetit të Krishterë të Sirisë ka pësuar rënie që kur fitoi pavarësinë nga Franca, në vitin 1946.
Deri në fund të viteve ’60, të krishterët përbënin 30 për qind të popullsisë, shifër e cila ka ardhur në rënie të vazhdueshme. Sot, Siria ka rreth 638,000 të krishterë, rreth 3.3 për qind e një popullsie prej 19.6 milionë banorësh. Shkak i kësaj rënieje është largimi i tyre nga konflikti dhe persekutimi i vazhdueshëm, edhe pse fuqia e shtetit Islamik, të njohur si ISIS, ka pësuar një rënie të dukshme.
Në disa zona ku grupimet terroriste janë ende aktive, çdo shprehje hapur e besimit të rrezikon jetën. Ende ndihen pasojat e rrëmbimit të klerikëve nga grupimet terroriste.
Krishterimi në Siri nuk është i kohëve të fundit, por apostolik. Nuk duhet të harrojmë se apostull Pavli u kthye në besim rrugës për Damask (vetë apostulli na flet për këtë te Letra e Parë drejtuar Korinthianëve 15:3-8: 3).