EmailFacebookKontakt

“Përputhja noliane e teksteve liturgjike në shqip me meloditë psaltike bizantine”

Në traditën psaltike, jetëgjatësia dhe përdorimi në praktikë i një himni kushtëzohet nga përputhja e natyrshme dhe ndërlidhja e njëqenshme dhe e pandarë e tri komponentëve të tij: fjalës (tekstit), melodisë (muzikës) dhe ritmit. Nëse kjo treshe e shenjtë e Artit Psaltik nuk funksionon në mënyrë të ekuilibruar, sipas rendit hierarkik, ku përparësi ka teksti dhe dy elementët e tjerë i nënshtrohen atij, atëherë kjo formulë dështon duke nxjerrë jashtë automatikisht nga përdorimi, çdo himn që nuk lidhet me to organikisht.

Në hapësirën shqipfolëse, ky proces i mundimshëm nisi me vonesë, pikërisht në fillim të shek. XX, ku u hodhën hapat e parë të krijimit të një tradite liturgjike dhe muzikore në shqip, me protagonist peshkop Theofan Nolin. (1882-1960).

Fillimisht, faza e parë e këtij procesi, nisi me përkthimin e tekseve të kultit nga greqishtja e vjetër në gjuhën shqipe dhe që jo rastësisht kaloi në dy periudha: në Periudhën e Parë të përkthimit literal dhe në Periudhën e dytë me ripërkthimin, d.m.th. Përpunimin melodik të tyre.

Përkthimet e periudhës së parë (1908-1914) kishin të bënin me një përkthim literal shumë të arrirë, që qëndronte shumë besnik ndaj origjinalit edhe pse përkthimi ishte realizuar në kohë të shpejtë. Këtë e konstatojmë te parathënia e librit të parë “Shërbes’ e Javës së Madhe” (1908), ku vetë Noli nënvizon se “Kthimi u bë me nxitim dhe përandaj s’duhet gjykuar ashpër.” Gjatë kësaj periudhe u përkthyen përzgjedhje nga 6 librat kryesorë liturgjikë dhe jo botimet e plota si në origjinal. Pas këtyre përkthimeve, Noli botoi të vetmin libër muzikor në shqip të shkruar në pentagram për kor të përzier “Hymnore” (1936) kryesisht me melodi ruso-ukrainase dhe disa të markuara si bizantine, por të harmonizuara.

Për 33 vite me radhë, vënia në praktikë e këtyre përkthimeve pioniere, futja e muzikës korale ruse në kishë, krijonte herë pas here edhe ndonjë reaksion nga këndonjësit dhe kleri, në Shqipëri ose jashtë saj. Pikërisht kjo luftë zhanresh muzikore është pasqyruar qartë dhe me detaje në shtypin e kohës.

Synimi parësor dhe urgjent i Nolit ishte t’u ofronte shqiptarëve orthodhoksë në një kohë të shkurtër shërbesat kryesore dhe të nevojshme të përkthyera në shqip, si taktikë shkëputjeje nga çdo ndikim i huaj. Në këtë këndvështrim, librat e tij u pranuan me kënaqësi nga patriotët orthodhoksë shqiptarë, si në Shqipëri ashtu edhe në komunitetet shqiptare jashtë vendit (në Amerikë, në Bukuresht dhe në Sofje). Pranimi i përkthimeve të Nolit kishte një rëndësi historike shtesë, përveçse ishin përkthimet e para liturgjike në shqip, me këto përkthime u realizua organizimi i kishave të para shqiptare në diasporë dhe falë tyre u ushqye ideja e autoqefalisë së Kishës në Shqipëri. Puna e Nolit për përkthimin e himneve në shqip ka një rëndësi të madhe për Kishën Shqiptare, pasi në thelb inauguron adhurimin shqipfolës….

…Noli vendosi të rishikojë pas kaq vitesh (1941-1952) përkthimet e mëparshme duke marrë parasysh interpretimin dhe këndimin melodik të himneve. Në prologun e librit “Uratore e Kishës Orthodokse” botuar më 1941, ai shkruan: “Troparet e përshembullta (Prosomia) janë kthyer jo me një mënyrë literale, po si vjersha pas rithmit të tyre, kështu këndimi i tyre do të jetë fare i lehtë për psaltët që dinë meloditë bizantine origjinale. Duhet venë re se në këto tropare virgullat kanë një kuptim mellodik dhe caktojnë fundin e frazave muzikale”.

Ky proces përshtatës midis tekstit shqip dhe melosit bizantin mishërohet tek tre botimet e fazës së dytë: tek Uratorja (1941), Kremtorja (1947) dhe Triodi dhe Pesëdhjetorja (1952). Duhet theksuar fakti që këto tekste kënduese të përpunuara, pra të kategorisë së të përshembulltave, në traditën psaltike transmetohen gojarisht dhe mësohen përmes një kodi memorizues, nga mësuesi te nxënësi, gjatë praktikimit të vazhdueshëm në kishë. Pikërisht puna përshtatëse e Nolit i referohet kryesisht tropareve të Hirmologjios, të cilat i ka sjellë thjesht si tekste dhe jo të notëzuara me shkrim muzikor psaltik.