EmailFacebookKontakt

Çmimi i parë në konkursin për historinë dhe trashëgiminë arkeologjike

Në muajt e pranverës që lamë pas, shkolla heleno-gjermanike “Erazmus” e Athinës pati idenë kreative dhe organizoi konkursin mbarëshkollor me temë të përgjithshme “Nxënësit-ambasadorë të kulturës – Na tregojnë në një monument të zonës së tyre”.

Në këtë konkurs ambicioz, që u drejtohej nxënësve të vitit të dytë të shkollave të mesme, u pranua edhe kërkesa për pjesëmarrje e shkollës së mesme të përgjithshme “Frymë Dashurie”, Gjirokastër, e Fondacionit “Fryma e dashurisë”, të krijuar dhe mbështetur nga Kryepiskopi Anastas. Pranimi i kërkesës për një shkollë jashtë Greqisë ishte njëkohësisht një sfidë dhe nderim. Në rastin në fjalë, “shkelja” e rregullave u bë falë reputacionit të Kryepiskopit, si themelues dhe kurues i shkollave tona, respektit të veçantë që drejtuesit dhe i gjithë stafi i kësaj shkolle kanë për personalitetin e tij të shquar në lëmin e baritimit shpirtëror dhe kërkimit e ligjërimit akademik.

Ekipi i nxënësve që morën pjesë, i cili u ngrit mbi baza vullnetare, nën drejtimin e pedagogëve Flutura Sinani, mësuese e Historisë dhe Gjeografisë dhe z. Chrysostomos Karras, mësues i Filologjisë Helenike, zgjodhi të trajtojë qytetin antik të Antigonesë, me temë: “Udhëtim në Antigonenë antike”. Përmes burimeve bibliografike, përgatitjes së tekstit, vizitave të përsëritura në vend, fotografive, skicave, orientimit në hartë etj., nxënësit përfituan përvoja të vyera jo vetëm për monumentin, por edhe në përgjithësi për kërkimin shkencor në fushën e historisë.

Surpriza fillestare ishte që punimi i tyre, mes dhjetëra të dërguar, me gjithë kriteret e rrepta u zgjodh ndër 13 konkurrentët e fazës finale. Ato u paraqitën në veprimtari të posaçme në Muzeun e Akropolit, më 6 maj. Juria, nën kryesimin e Prof. Emeritus të Universitetit Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës, z. Thanos Veremis, vlerësoi punimin e nxënësve të shkollës “Frymë Dashurie” me çmimin e parë.

Ekipi i nxënësve, i shoqëruar nga mësues e drejtues, ishte i pranishëm në veprimtari dhe qëndrimi i tyre në Athinë ishte nën kujdesin e veçantë të stafit të shkollës “Erazmus” dhe drejtorit të saj, Dr. Stavros Savas. Ata, në mënyrë të përsëritur, shprehën dashurinë, respektin dhe vlerësimin për personalitetin e Kryepiskopit Anastas dhe veprën e mrekullueshme për ripërtëritjen e shoqërisë në Shqipëri. Për rrjetin e qendrave arsimore “Frymë Dashurie”, që falë dashurisë së Kryepiskopit zhvillojnë veprimtarinë e tyre në Mitropolinë e Gjirokastrës, ishte ndoshta trofeu më i rëndësishëm, por jo i vetmi, nga pjesëmarrja në aktivitete me dimension ndërkombëtar për këtë vit shkollor.