Ndonëse përbën një praktikë të zakonshme për Zyrën mbi Liritë e Besimit në Botë të Departamentit të Shtetit – një shërbim që vitet e fundit ka marrë rol të posaçëm për shkak të sfidave globale që krijon dinamika e fenomenit fetar – përpilimi i Raportit Vjetor mbi Lirinë e Besimit, që i dërgohet Kongresit të SHBA, ka rëndësi referimi për përmbajtjen e tij. Është e lehtë të konstatohen nuancat e diferencimit vit pas viti dhe shtet pas shteti.
Prioritet i qartë i përpiluesve të Raportit, në faqet dedikuar Shqipërisë, është kontributi në ruajtjen e ekuilibrit të bashkëjetesës paqësore ndërfetare. Nga një këndvështrim më i kujdesshëm konstatohet lehtësisht gjithashtu, se Raporti nuk informon vetëm ligjvënësit amerikanë mbi situatën e dimensionit fetar të sigurisë globale, por përbën instrument nxitës edhe për qeveritë e shteteve të cilat analizon, sidomos të atyre aleate me SHBA dhe pjesëtare në organizma që ndajnë pikëpamje dhe vlera të njëjta në këtë fushë, për ndërmarrjen e hapave të nevojshëm përmirësues.
Në këtë kontekst, nga Raporti mbi Lirinë e Besimit për vitin 2021, që u dha në publik nga Sekretari i Shtetit, z. Antony Blinken, javën e parë të qershorit, për sa i përket vendit tonë dhe Kishës sonë, kemi gjetje interesante. Ato, nga njëra anë, tregojnë se shqetësime të caktuara të Kishës sonë janë adoptuar në Raport në koherencë me pikëpamjet e analistëve që e përpilojnë atë dhe, nga ana tjetër, ky fakt përbën instrument të dobishëm për të këmbëngulur në gjetjen e zgjidhjeve.
Lidhur me demografinë dhe madhësinë numerike të komuniteteve fetare, Raporti 2021 përmban një hollësi thelbësore për nga rëndësia. Në vitet e mëparshme riprodhoheshin shifrat e INSTAT nga Regjistrimi i Popullsisë 2011. Sivjet u shtohet atyre referenca nga World Religion Database, e Boston University, sipas të cilit në Shqipëri 1,7 milion ose 59 për qind e popullsisë janë të besimit mysliman dhe 38 për qind ose 1 milion janë të Krishterë. Pamja është shumë më ekuilibruar dhe e pranueshme në krahasim me situatën që prodhuan manipulimet e procesit në vitin 2011. Kjo lidhet ngushtë edhe me faktin se ky vit, sikundër Raporti thekson, është vit i Censusit të ri për shkak të anullimit të tij në 2020 nga situata Covid-19. Raporti referon hollësisht thirrjen e Kryepiskopit në tetor 2021, e cila nxit besimtarët orthodhoksë që të pohojnë me guxim besimin e tyre në Censusin 2022. E lidh këtë me faktin se të gjitha komunitetet fetare janë të shqetësuara që qeveria nuk pranon propozimin e tyre që në grupet e punës së anketimit të ketë përfaqësues të tyre, për të kontribuuar në përcaktimin e saktë të besimit.
Cenimin e lirisë fetare që ndikon në konsolidimin e komuniteteve fetare Raporti e gjen në veçanti në fushën e kthimit të pronave, të cilat ishin konfiskuar gjatë regjimit ateist komunist. Për nga natyra e saj e organizimit, manastiret e shumta të trashëguara, traditën e dedikimeve të shumta nga besimtarët etj., Kisha jonë është komuniteti më i dëmtuar si nga shtetëzimet e komunizmit, ashtu edhe nga trajtimi abuziv në njohjen dhe rikthimin e pronave. Veç të tjerave, Raporti i Departamentit të Shtetit për vitin 2021 mbi liritë fetare përfshin shqetësimin e bazuar të komunitetit orthodhoks se interesa okulte duke përdorur metoda korruptive ndikojnë në vonimin e shqyrtimit të dosjeve për pronat dhe në vijim në moszbatimin e vendimeve nga organet kompetente dhe përmbarimet gjyqësore. Sjellja e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ndaj komuniteteve fetare trajtohet me hollësi në Raport.
Në këtë pikë ka rëndësi të theksohet fakti se përmendet nominalisht propozimi i përfaqësuesve të Kishës sonë ndaj qeverisë, si edhe i Këshillit Ndërfetar mbi nevojën për ngritjen e një strukture të posaçme dhe akti legjislativ respektiv për të përballuar me drejtësi dhe prioritet rehabilitimin pasuror të komuniteteve fetare.
Raporti sjell në pah edhe një përpjekje mashtruese nga ana e autoriteteve shtetërore, teksa thotë se Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, sipas titullarëve të Ministrisë së Kulturës, ngurron të pajiset me tituj pronësie mbi objekte të kultit, të cilat kanë karakter të monumentit të trashëgimisë kulturore, sepse nuk ka fonde financiare për trajtimin dhe mirëmbajtjen e tyre!!! Mungesa e sinqeritetit nga ana e organeve shtetërore në këtë temë të ndjeshme është fenomen unikal në vendin tonë.
Raporti paraqet si të bazuar pretendimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për kthimin pa kushte edhe të elementeve të tjera pasurore veç ndërtesave të kultit. Fjala është për ikonat e shenjta, lipsanet e shenjtorëve, pajisjet e adhurimit, arkivat, librat dhe dorëshkrimet etj., të cilat mbahen në shkelje të marrëveshjes mes Kishë sonë dhe Këshillit të Ministrave.
Mbi politikën e taksimit dhe indiferencën e organeve shtetërore për të lehtësuar komunitetet fetare nga lloje të caktuara taksash, ndonse kjo përmbahet në marrëveshjet dypalëshe, sjell në pah rastin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila në vitin financiar 2020 pagoi si tatim mbi të ardhurat për punonjësit e saj, sigurime shoqërore dhe shëndeti, më shumë se 1,3 milionë dollarë.
Lidhur me plotësinë e kuadrit ligjor në vendin tonë, Raporti, me nota pozitive, edhe një herë thekson faktin se komuniteteve fetare u sanksionohet e drejta për të themeluar dhe mbajtur shkolla, si edhe për të pasur në pronësi e funksion ambiente të varrezave në prona të tyre.