Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri, më 2 qershor 2022, e quajti këtë shërbesë një ditë historike jo vetëm për enorinë e fshatit Kakavije, por për të gjithë Mitropolinë e Shenjtë të Gjirokastrës dhe Komunitetin Orthodhoks. Me bekimet e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, Mitropoliti lokal bashkë me Mitropolitin e Amantias, Hirësi Nathanailin, dhe me pjesëmarrjen e shumë klerikëve dhe besimtarëve të zonës, kryen Shërbesën e Shenjtërimit të Altarit, në ditën kur Kisha jonë Orthodhokse kremton panegjirin e Analipsit të Zotit, të Cilit i është dedikuar dhe kisha.
Së bashku me besimtarët e Kakavijës, për të përjetuar përvojën unike të shenjtërimit të çdo kishe orthodhokse, me rendin madhështor dhe kataniktik që është sanksionuar, por edhe për të marrë pjesë në të parën shërbesë të tillë në jetën e tyre, në shenjtërim, morën pjesë klasat e fundit të shkollave të mesme të Fondacionit “Frymë Dashurie”.
Si theksim i rolit të vëllazërimit që Kisha Orthodhokse luan dhe si pikë lidhjeje mes Shqipërisë dhe Greqisë, në përgatitjen e altarit të kishës dhe Shërbesën e Shenjtërimit mori pjesë Igumeni Arsen dhe vëllazëria e Manastirit të Fjetjes së Hyjlindëses në Molivdoskepasto, pranë kufirit.
Shenjtërimi i kishës së Analipsit në Kakavijë përveç se u bë ditën e kremtimit të saj, i përkushtohet edhe 30-vjetorit nga zgjedhja dhe fronëzimi i Kryepiskopit Anastas, që shënon ringritjen kanonike të Kishës sonë nga rrënojat e persekutimit unikal ateist dhe fillimin e një epoke aq të vrullshme hierapostullimi. Fryt i kësaj përpjekjeje është edhe kjo kishë.
Veç të tjerash, ajo përbën edhe shembull unikal, sepse një çift besimtarësh, tanimë të fjetur më Zotin, nga fshati Kakavijë, emigrantë në SHBA, dhanë pjesën më të madhe të shpenzimeve të nevojshme për ndërtimin, pajisjen së brendshmi, ikonostasin e skalitur, pikturimin e pjesshëm mural, trajtimin e ambientit rrethues etj.
Shenjtërimi, gjithashtu është gjest kuptimplotë i nevojës për rikthimin në normalitet të shoqërisë pas masave kufizuese për përballimin e pandemisë dhe përgjigje e Kishës në kërkimin e shpresës në periudha të trazimit të veçantë dhe sprovës ekonomike e sociale.