EmailFacebookKontakt

Kërkohet respekt ndaj objekteve të trashëgimisë orthodhokse

Kanë kaluar disa ditë nga publikimi i një lajmi, se një videoklip ishte xhiruar në mjediset e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë. Sapo bie në kontakt me lajmin dhe e verifikon nëpërmjet burimeve të ndryshme, kupton që në syrin e një besimtari dhe jo vetëm, ka mospërputhje midis këngës dhe imazheve të ikonave që shoqërojnë atë, pasi imazhet e përdorura janë marrë nga mjedisi me ikona i Muzeut.

Por, sa më shumë kalon koha dhe sa më shumë qartësohen mendimet, me gjakftohtësi kupton që diçka jo vetëm nuk shkon, por është dhe e papranueshme. Pra, në qoftë se në fillim ishte mospërputhja midis këngës dhe imazhit të ikonave të xhiruara te muzeu, më pas situata merr dimension tjetër, kur titullarja e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë mbron lejen për xhirim, bazuar mbi laicitetin (!). Dhe kështu shqetësimi bëhet dhe më i madh, pasi në fazën që jemi tani kemi përballë katër faktorë të rëndësishëm: imazhet e përdorura në videoklip, ikonat që u përdorën për imazh, institucioni përgjegjës (Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Korçë) dhe në fund, besimtarët bashkë me Kishën e tyre, të cilët me të drejtën e Perëndisë irritohen për përdorimin pa kriter të tyre, për të mos thënë pa nder dhe respekt për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore të tyre.

Sigurisht, në qendër të krijimit të konfliktit që ishte si rrjedhojë është autoriteti drejtues i institucionit, pra muzeut. Pasi në mënyrë zyrtare (ndoshta të padrejtë) i është besuar trashëgimia e krishterë orthodhokse dhe ai i autoritetit drejtues, që duhet të kujdeset deri në detaje. Por, që të kujdesen me nderim e respekt, duhet të kuptojnë, së pari, gjenezën e objektit dhe më pas të gjithë procesin që ka kaluar për të arritur deri në ditët e sotme. Gjeneza e ikonave dhe objekteve të tjera kishtare gjendet tek adhurimi dhe heqja apo eliminimi i elementit të adhurimit është një zhveshje pse jo dhe një përdhosje e tyre. Këtë gjë, drejtuesit e institucionit duhet ta dinë, pavarësisht se mbrojnë idenë e laicitetit. Është e njëjta gjë, sikur dikush të beson përkujdesjen e një personi dhe tregohesh indiferent për faktorët, të cilët luajnë rol në përkujdesjen, mbarëvajtjen, formimin dhe përsosjen e tij. Po ashtu, drejtuesit e institucionit duhet të dinë jo vetëm për krijuesit e këtyre veprave fetare, kulturore dhe arti, por dhe për pasuesit shpirtërorë të autorëve të ndryshëm, pra, duhet të kenë vëmendjen në respektimin e besimtarëve dhe ndjesive të tyre për këto simbole të besimit të krishterë orthodhoks.

Gjithashtu, drejtuesit e institucionit duhet të shmangin çdo lloj përplasje të mundshme midis simboleve të krishtera orthodhokse dhe besimtarëve nga njëra anë me persona, të cilët, për interesa të ndryshme, i përdorin imazhet e këtyre objekteve për interesa ekonomike e financiare apo dhe për përdhosje të tyre.

Vendi i ikonave është në kishë, sepse ato janë pjesë e rëndësishme në adhurimin e Perëndisë. Ndaj, drejtuesit e muzeut duhet të kuptojnë se janë hallka lidhëse midis disa faktorëve dhe veprimtaria e tyre e krijuar në rastin konkret artificialisht, duhet t’i paraprijë apo sheshojë çdo përplasje të mundshme, ku ikona apo objektet e tjera kishtare orthodhokse mund të përdoren pa nderim dhe pa respekt apo dhe më keq – të përdhosen. Kanë detyrim ligjor, profesional dhe etik për t’u kujdesur për objektet e shenjta, për të shmangur përdorimin pa kriter të objekteve të tyre, të respektojnë besimtarët dhe ndjesitë e tyre ndaj këtyre objekteve të shenjta. Përsërisim se këto objekte dhe simbole të shenjta janë pjesë e pandarë e adhurimit të Perëndisë dhe është e papranueshme kur persona të ndryshëm përpiqen t’i përdorin për interesa ekonomike.

Ndoshta, ngjarja e ndodhur jep shkak për të hapur dhe një herë diskutimin për fatin në vazhdim të këtyre objekteve të shenjta, të cilat janë përdorur dhe po përdoren jo për atë që janë krijuar, duke humbur kështu rolin dhe qëllimin e formimit të tyre. Ndoshta është koha që institucionet shtetërore që merren më shumë me përkujdesjen për këtë trashëgimi. Duhet të dialogojnë dhe bashkëpunojnë me institucionet fetare, në rastin konkret me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për të arritur të kuptojnë vlerën, jo atë financiare, por shpirtërore të objekteve që u janë besuar të ruajnë. Vetëm kështu, gjithsecili rigjen vendin e vet në shoqëri, qoftë dhe objektet e shenjta të besimit orthodhoks, mbi të cilat Kisha Orthodhokse ka pronësinë e ligjshme.

Një nga absurditetet e këtyre viteve pas lirisë së besimit, është edhe mbajtja në fondet shtetërore dhe moskthimi te besimtarët orthodhoksë i lipsaneve të shenjta. Ato nuk janë objekte muzeale, por nderimi të thellë. Në foto, pjesë nga lipsanet e shenjta të Shën Joan Vladimirit, që i janë dorëzuar kohët e fundit në manastirin kushtuar shenjtorit.