Povelça është një vendbanim i Myzeqesë që shtrihet midis qytetit antik të Apolonisë dhe detit Adriatik. Pikërisht në jug të saj ndodhet kisha bizantine e Shën e Premtes, e shpallur monument kulture në vitin 1979. Sipas specialistëve të fushës, ky objekt është një kapelë njënefëshe me planimetri katërkëndëshe, e ndërtuar diku në fund të shekullit XIII apo fillimi i shekullit XIV.
Kisha është ndërtuar me gurë nga rrënojat e Apolonisë dhe tulla të kuqe dhe ngrihet mbi një xokol të ndërtuar me gurë. Nga brenda ajo është mbuluar me qemer, ndërsa dyshemeja është e pashtruar dhe e mbuluar me dhe. Objekti ka vetëm një hyrje në anën veriore dhe një absidë prej tri faqesh në anën lindore. Kisha e Shën e Premtes mendohet se i përkiste qytetit-port të Spinaricës, një nga skelat e rëndësishme detare të Shqipërisë mesjetare (1205-1370).
Sipas burimeve historike, qyteti-port u ngrit në grykëderdhjen e lumit Vjosa dhe prej saj kryhej tregtia detare e rajonit përreth me Raguzën dhe Venedikun. Ekzistenca e kishës së Shën e Premtes dhe e mrekullive shëruese të saj është dëshmia e vetme që ka mbetur prej Spinaricës së dikurshme.
Ilirian Gjika