Sivjet mbushen 85 vjet nga një ngjarje epokale për Komunitetin Orthodhoks të Shqipërisë, dhënia e Autoqefalisë Kishës sonë nga Patriarkana Ekumenike, e cila e bëri anëtare të barabartë në familjen e Kishave.
U kurorëzua ëndrra e besimtarëve orthodhoksë dhe përpjekjet e nisura nga komuniteti i Amerikës dhe Imzot Theofani (Noli), për të vazhduar më pas me kongreset e viteve 1922 dhe 1929, të cilat u realizuan kanonikisht me këtë akt tepër të rëndësishëm dhe historik.
Në datën 12 prill 1937, në prani të një delegacioni nga Shqipëria, Patriarku Veniamin dhe Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës nënshkruan Tomosin Patriarkal të njohjes së Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Tomosi iu dorëzua Imzot Kristoforit, duke e caktuar atë si Kryepiskop të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Patriarkana Ekumenike i dërgoi mesazh edhe Mbretit Zog dhe Kryeministrit Koço Kota. Më 24 maj 1937 Kryepiskopi Kristofor, me cilësinë e kryetarit të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, iu përgjigj me një letër falënderimi Patrikut të Konstandinopojës, Veniaminit.
Sinodi i parë kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë përbëhej nga: Kryehirësia e Tij Kristofori, Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Agathangjel Çamçe, Episkop i Beratit, Evllogj Kurilla, Episkop i Korçës, Pandejleimon Kotoko, Episkop i Gjirokastrës.