Kolegji Universitar “Logos” ka ndërmarrë nismën e komunikimit të shkencës në publik, për të frymëzuar tek të rinjtë dashurinë për shkencën, si dhe për t’i nxitur ta studiojnë sa më shumë.
Në këtë kuadër, në datën 23 mars në mjediset e Kolegjit Universitar “Logos” u organizua takimi “Akademiku në hapësirën publike mediatike”, me pjesëmarrjen e stafit akademik të Kolegjit, si dhe të ftuar nga institucione të tjera të arsimit të lartë. Synimi i takimit ishte të nxisë studiues dhe pedagogë të rrisin shkallën e përfshirjes në komunikimin e shkencës në publik. Në panel ishin Dr. Valbona Nathanaili, pedagoge në Kolegjin Universitar “Logos”, Akademikja e Asociuar, Prof. Dr. Mimoza Hafizi, Blendi Salaj, gazetar i A2 CNN dhe Akademiku Prof. Dr. Kosta Barjaba.
Sipas moderatores shkencore të këtij aktiviteti, Dr. Nathanaili, kemi katër arsye për t’u mbledhur dhe diskutuar:
1. Një shkencë që nuk i komunikohet aktorëve të rëndësishëm dhe grupeve të caktuara të interesit të shoqërisë është një shkencë që nuk është zhvilluar si duhet.
2. Situata e Covid-19 nxori në pah mangësinë e përkthimit të rezultateve shkencore në mesazhe lehtësisht të kuptueshme për publikun.
3. Publiku ka nevojë të informohet dhe të kuptojë, po aq sa të ngjallim – tek ai (publiku) – interes dhe kureshtje, nëse duam të ndikojmë e zhvillojmë opinione korrekte.
4. Universitetet duhet të shërbejnë si platforma për ndërtimin e kapaciteteve që teorikisht të komunikojnë si duhet me ata që kanë nevojë për shkencën dhe arritjet e saj. Më tej, Dr. Nathanaili analizoi se si informohet publiku dhe si mësojnë njerëzit rreth shkencës, duke u ndalur në situatën që shoqëroi Covid 19. Sipas saj, një nga sfidat e kësaj kohe është aktivizimi qytetar i pedagogëve të universiteteve, si dhe nxitja e tyre për të shërbyer si kanale për komunikimin e shkencës, falë reputacionit që gëzojnë dhe profesionalizmit që kanë.
Akademikja e Asociuar Prof. Dr. Mimoza Hafizi referoi mënyra e teknika për përfshirjen e pedagogëve në komunikimin e shkencës në publik, si dhe u ndal në analizën e simbiozës shkencëtar-shkrimtar. Gjithashtu znj. Mimoza ndau me të pranishmit emocionet për botimin e dy librave të saj shkencorë për të rinj, “Pika trëndafil”, që në vitin 2019 u vlerësua nga Ministria e Kulturës me çmimin “Libri më i mirë i vitit” në letërsinë për fëmijë dhe të rinj, si dhe të romanit shkencor, “Infiniti blu”, botuar vetëm një vit më pas.
Blendi Salaj, gazetar pranë A2 CNN, i cili së bashku me Aulona Mingën drejtojnë emisionin “Dita jonë”, aktivist në lëvizje qytetare për çështje të ndryshme që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, autor dhe producent i disa emisioneve e programeve radiofonike e televizive, si dhe i blogut “Mbi libra”, në bashkëpunim me Agim Baçin, referoi rreth qasjes së komunikimit të shkencës në peizazhin mediatik.
Z. Salaj u ndal në rastin e medias shqiptare, si dhe nënvizoi faktin që në median shqiptare i jepet hapësirë e rëndësi personave që përcjellin lajme shumë të kontestuara, teorive konspirative, si dhe “fake news”.
Akademiku Prof. Dr. Kosta Barjaba referoi për marrëdhënien shoqëri-shkencë, për rëndësinë e informimit të publikut me shkencën dhe mënyrën e nxitjes së besimit të publikut te shkenca.
Përgatiti: Dr. Valbona Nathanaili