Më 25 Mars kremtojmë Ungjillëzimin e Virgjëreshës së Tërëshenjtë, nëntë muaj para Krishtlindjes.
Siç është shkruar në Ungjillin e Shën Llukait: Në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, dhe hyri ku ajo banonte dhe i tha: “Gëzohu, o hirplote, Zoti është bashkë me ty; e bekuar je ti në mes të grave”… Dhe engjëlli i tha: “Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë dhe do t’ia vesh emrin Jisu. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakovit përjetë, edhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë mbarim”… Atëherë Maria tha: “Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate”. Dhe engjëlli u largua prej saj (Lluka 1:26-38).
Në këtë të kremte të shënuar, u kryen Liturgji Hyjnore në kishat e Kryepiskopatës dhe të Mitropolive, e veçanërisht në ato që mbajnë emrin e Ungjillëzimit.
Në Tiranë, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, më 24 mars në mbrëmje u krye Mbrëmësorja Panegjirike, e kryesuar nga Episkop Asti i Bylisit, ndërsa sot, më 25 mars, Liturgjia Hyjnore festive u krye nga Mitropoliti i Amantias Nathanaili, Episkop Asti, në praninë e kryepiskopit Anastas, si dhe klerikë të kryeqytetit. Predikimi rreth kuptimit më të thellë të shpëtimit tonë, të lidhur me këtë të kremte, u mbajt nga atë Harallamb Gjoka.