EmailFacebookKontakt

Mosuli, vend i martirizimit të të krishterëve

I themeluar në vitin 595, manastiri i Shën Ilias në Mosul, Irak, ishte për shekuj me radhë qendra e komunitetit te krishterë të zonës. Ky manastir, përveçse një qendër e rëndësishme shpirtërore, ishte dhe një qendër e dijes dhe kulturës.

Në vitin 1743, Shahu persian Tahmaz Nadir e shkatërroi dhe i kërkoi 150 murgjve të tij të zgjidhnin midis konvertimit apo vdekjes. Murgjit zgjodhën vdekjen, duke u martirizuar për besimin e tyre.

Në vitin 1970, manastiri tashmë i braktisur dhe pjesërisht i rrënuar, do bëhej bazë për Gardën Republikane të Irakut.

Në vitin 2003, edhe ajo çka kishte mbetur u dëmtua nga trupat irakiane. Por shkatërrimi përfundimtar ndodhi më 27 dhe 28 gusht 2014, nga trupat terroriste të ISIS-it. Shkatërrimi i manastirit u mor vesh vetëm 16 muaj më vonë.

Madje edhe sot ende nuk dihet numri i saktë manastireve dhe kishave të shkatërruara në Irak dhe kudo ku vepruan terroristët. Vetëm në Mosul dhe në rrethinat e tij u shkatërruan të paktën 6 kisha dhe 2 manastire, nga të cilat një pjesë po rindërtohen, por një pjesë, si rrënojat e Manastirit të Shën Ilias, janë shkatërruar plotësisht.

Deri në vitin 2003, në qytetin e Mosulit banonin mbi 45 mijë të krishterë. Por, duke filluar që nga viti 2014, kohë kur u pushtua me dhunë nga terroristët, popullsia e krishterë e Mosulit iu nënshtrua vrasjeve e masakrave, derisa u detyruan të iknin nga ky qytet ku kishin mbi 2000 vjet që banonin dhe vetëm një pjesë janë rikthyer.

Pasi të krishterët e Irakut panë shkatërrimin e kishave, shtëpive apo shkollave, menduan që nuk kishte mbetur më asgjë për t’u mbrojtur dhe shumë zgjodhën largimin. Por një pjesë, pavarësisht nga këto barbari, u rikthyen dhe nisën të rindërtojnë trashëgiminë e tyre të Krishterë. Ata nisën ringritjen e kishave dhe manastireve të shkatërruara.

K. L.