Me bekimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Imzot Anastasit, u botua ky tekst liturgjik, i cili është një nga librat më të domosdoshëm e më të përdorshëm për klerin tonë dhe për Kishën.
Hyrje e librit nga Hirësi Asti, Episkop i Bylisit
Që nga viti 1909, kur u botua për herë të parë, e deri sot, Libri i Shërbesave të Shenjta në shqip ka përshkuar një rrugëtim të gjatë, me rishikime, plotësime, ndryshime dhe përkthime të reja. Për të përftuar një pamje sa më të plotë të këtij udhëtimi, do të paraqesim më poshtë një historik të shkurtër të botuar si Hyrje në Librin e Shërbesave të Shenjta të Kishës Orthodhokse, botuar në Tiranë, 1994, duke e plotësuar me të dhënat e reja shtesë.
Me bekimin dhe përkujdesjen e Kryehirësisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Imzot Anastasit, po ribotohet teksti liturgjik: “Libër i Shërbesave të Shenjta të Kishës Orthodhokse”, i cili është një nga librat më të domosdoshëm e më të përdorshëm për klerin tonë dhe për Kishën.
Ky tekst është përkthyer për herë të parë nga greqishtja në shqip prej të përndershmit Atë Theofan S. Noli, botuar në Boston Mass. të Amerikës më 1909¹. Pati gjer më sot pesë rishqyrtime dhe botime.
Botimi i dytë është bërë më 1930 në Korçë², pasi më parë është kontrolluar nga pikëpamja gjuhësore prej një komisioni shqyrtues të përbërë nga prof. Sotir Papahristo, Kostaq Cipo, Simon Shuteriqi e Ik. Mitr. Atë Vasil Marko nën kryesinë e Imzot Vissarion Xhuvanit, Kryepiskop i atëhershëm i Kishës, pa iu bërë tekstit asnjë ndryshim.
Botimi i tretë është bërë nga Peshkopata e Amerikës më 1941 po në Boston Mass., këtë radhë me një titull të ri: “Uratore e Kishës Orthodokse”³, që i përgjigjet tekstit zyrtar të njohur me emrin “Efhollogjion to mega”. Ky botim është përpunuar rishtas prej Imzot Nolit për t’iu përshtatur melodive origjinale bizantine.
Me epuizimin e plotë të tekstit të botuar më 1930, i cili, nga pikëpamja e përkthimit, i qëndronte shumë më afër origjinalit, u ndje nevoja e ribotimit të tij. Me vendim të Sinodit të Shenjtë, më 1958 u formua një komision i përbërë prej z. prof. Sotir Papahristo, Niko Cane, Dhimitër Beduli dhe kryedhjakon Sotir Kanxheri, i cili, pasi e rishqyrtoi tekstin nga pikëpamja gjuhësore dhe e plotësoi me pjesë të reja (Meshën e Shën Vasilit, Meshën e të Parashenjtëruarave e me një sërë shërbesash dhe uratash të ndryshme të domosdoshme për priftin e për Kishën), më 1961, në Tiranë, e dha për botim me të njëjtin titull⁴. Ishte botimi i katërt i tekstit.
Ky botim, pra, që ishte më i miri e më i ploti se të gjitha botimet e mëparshme, u mor si bazë për ribotimin e pestë, me të njëjtin titull⁵, me disa ndryshime, në Tiranë, në vitin 1994. Me bekimin e Kryepiskopit të Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastasit, u ngrit grupi botues nën drejtimin e z. Dhimitër Beduli. Për realizimin e botimit u kujdes Motra Argjiro (Kondojorgji). Në këtë ribotim u hoq hyrja me historikun e përdorimit të gjuhës shqipe në Kishë, e cila, pasi u plotësua me të dhëna të reja nga autori i saj, z. Dhimitër Beduli, u botua si broshurë më vete⁶. Pavarësisht se në hyrjen e botimit përmenden Katavasitë (Zbritësoret), teksti nuk i përmban. Në botimin e vitit 1994 u përfshinë, me disa përmirësime, vetëm shërbesat e Mbrëmësores, Mëngjesores, tri Meshat (e Shën Joan Gojartit, e Shën Vasilit të Madh, e Dhuratave të Parashenjtëruara) si dhe Përgatitja për Kungim; ndërsa shërbesat e tjera u përfshinë më vonë, me përmirësime, në një vëllim tjetër liturgjik, të titulluar “Uratore e Vogël”⁷, i pasuruar edhe me shumë shërbesa të reja. Për të lehtësuar punën e priftërinjve dhe të psaltëve në zbatimin e rregullit për kryerjen e shërbesave sipas Tipikosë së Kishës, janë lënë në tekst të gjitha shënimet tipikonale. Gjithashtu janë shtuar edhe mjaft udhëzime të reja, që u panë të domosdoshme.
Për nevojat praktike, më 1995 Seminari Hieratik-Teologjik, Durrës, ndërmori ribotimin e pjesshëm të “Librit të Shërbesave të Shenjta”⁸, në të cilin u përfshinë vetëm Shërbesa e Mbrëmësores, e Mëngjesores dhe e Pasdarkës së Vogël. Ribotimi në fjalë u bazua në botimin e Librit të Shërbesave të vitit 1994, përveç Shërbesës së Pasdarkës, duke i pasuruar me elemente të nevojshme, të shkëputura nga botimet e mëparshme (plotësime me himne e urata të Kreshmës së Madhe, Përlëshore ‘tip’ shenjtorësh, Përlëshoret ngjallësore dhe hyjlindësoret e tyre, përzgjedhje Ndenjësoresh dhe Dërgimsoresh të përditshme dhe udhëzime përkatëse tipikonale etj.).
Botimi i vitit 2021, që mbani në duar, është ribotim i Librit të Shërbesave të vitit 1994, i gjashti në radhë që prej botimit të parë të vitit 1909. Në këtë botim, janë marrë parasysh botimet e mëparshme, si dhe janë bërë plotësime të reja të nevojshme, që botohen për herë të parë: Rregullat tipikonale në Agripni, në bashkëmeshimin priftëror, në pjesëmarrjen e kryepriftit në shërbesa, Udhëzime për shprehjet përkujtuese kremtuese. Gjithashtu, botimi është plotësuar me udhëzime shtesë brenda shërbesave ekzistuese si dhe me shërbesa të reja (si Mbrëmësoret e Mëngjesoret e përditshme, e të kremteve dhe e Kreshmës së Madhe). Po ashtu, përmbajtja është pasuruar me Hyrtoret e të kremteve zotërore, Përlëshore ngjallësore dhe shenjtorësh, Shkurtore të përditshme, zotërore e hyjlindësore, Dërgimsore të përditshme, Aliluaret e të dielave, Përlëshimet e të kremteve zotërore, tekste të cilat gjendeshin të shpërndara në botimet e mëparshme. Së fundi, është bërë përpjekje për të njëtrajtësuar variante termash, himnesh dhe shënimesh të botimeve të deritanishme. Në disa himne, për arsye të muzikës, janë lënë shenja pikësimi që mund të bien ndesh me rregullat e drejtshkrimit.
Për të realizuar pasurimin dhe plotësimin e këtij botimi, përveç botimeve liturgjike ekzistuese në shqip, janë përdorur edhe përkthime të posaçme. Për shtesat dhe plotësimet e nevojshme tipikonale të disa shërbesave u konsultuan e u përdorën përkthime të reja nga botimi në greqisht: “Ιερατικόν Άποστολικής Διακονίας της Εκκλησίας της Ελλαδος”. Libra të tjerë liturgjikë në shqip që u përdorën janë: “Librë e të Kremteve të Mëdha”, Boston, 1911; “Triodi i Vogël”, Boston, 1913; “Pesëdhjetore e Vogël”, Boston, 1914; “Kremtore e Kishës Orthodokse”, Boston, 1947; “Triodi dhe Pesëdhjetorja”, Boston, 1952; “Libër i Shërbesave të Shenjta të Kishës Orthodhokse”, Tiranë, 1961; “Libër i Shërbesave të Shenjta”, Durrës, 1995; “Uratore e Vogël”, Tiranë, 2004; “Java e Madhe”, Tiranë, 2014; “Tetëtingullshi Ngjallësor”, Tiranë, 2018; “Liturgjia hyjnore”, vëll. 1, botim muzikor, Tiranë, 2020 etj.
***
1. Librë e Shërbesave të Shënta të Kishës Orthodoxe, kthyer nga gërqishtia prej priftit Orthodox Fan S. Noli, Boston Mass. 1909.
2. Librë e Shërbesave të Shënta të Kishës Orthodokse, Korçë, 1930.
3. Uratore e Kishës Orthodokse, e përktheu Imzot Fan. S. Noli. E botoi Peshkopata e Amerikës, Boston Mass. 1941.
4. Libër i Shërbesave të Shenjta të Kishës Orthodhokse (i rishqyrtuar dhe i plotësuar), Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë, 1961.
5. Libër i Shërbesave të Shenjta të Kishës Orthodhokse, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë, 1994.
6. Dhimitër Beduli, Gjuha shqipe në Kishë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë, 1997.
7. Uratore e Vogël, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë, 2004.
8. Libër i Shërbesave të Shenjta, Seminari Hieratiko-Teologjik, Durrës-Albania, 1995.