EmailFacebookKontakt

Shën Joani i “Shkallës” mbi përgojimin

1. Askush nga ata që arsyetojnë drejt nuk do të ketë kundërshtim të thotë se përgojimi lind nga urrejtja dhe ligësia. Për këtë e vendosën në rreshtin e saj pas stërgjyshërve të saj.

Përgojimi është sëmundje shpirtërore e hollë, por trashet. Ngjan me një shushunjë të trashë, të fshehur që të mos duket, por që thith dhe zhduk gjakun e dashurisë.

2. Dëgjova disa që përgojonin dhe i kritikova. Këta punëtorë të së keqes, që të justifikohen, m’u përgjigjën se e bënin nga dashuria dhe interesi për ata që gjykonin. Atëherë u thashë që ta linin këtë lloj dashurie, që të mos përgënjeshtrohej ai që tha: “Do të shfaros atë që shpif tinëz kundër të afërmit.”(Psalmi 101:5) Nëse pretendon se e do tjetrin, lutu fshehurazi për të dhe mos e përgojo, sepse kjo lloj dashurie është e pranueshme nga Zoti.

3. Gjithashtu, mos harro edhe këtë, dhe kështu sigurisht që do të përmendesh dhe do të pushosh së gjykuari atë që gaboi: “Juda i takonte rrethit të nxënësve, ndërsa kusari rrethit të kriminelëve. Është e denjë për t’u admiruar sesi brenda disa çasteve njëri mori vendin e tjetrit!

4. Pashë një njeri që mëkatoi hapur, por fshehur u pendua. Ai që unë e gjykova si imoral, Perëndia e konsideroi të pastër, sepse me pendimin e tij ishte mëshiruar.

5. Atë që gjykon të afermin, kurrë mos e respekto, por edhe t’i thuash: “Pusho, vëlla. Unë çdo ditë gaboj edhe më keq dhe si mund të gjykoj të tjerët?” Kështu do të kesh dy përfitime dhe me një ilaç do të shërosh edhe veten, edhe të afërmin.

6. Një rrugë dhe madje më e shpejta që të çon në faljen e mëkateve, është që të mos gjykojmë përderisa është e vërtetë fjala e Perëndisë: “Mos gjykoni që të mos gjykoheni” (Llk. 6:37). Ashtu si zjarri që nuk përshtatet me ujin, ashtu edhe gjykimi me atë që do pendimin.

7. Edhe nëse sheh dikë të mëkatojë në çastet e vdekjes së tij, edhe atëherë mos e gjyko, sepse vendimi i Perëndisë është i panjohur për njerëzit. Disa ranë hapur në mëkate të mëdha, por fshehur bënë të mira akoma më të mëdha. Kështu u mashtruan gjykuesit dhe ajo që mbanin në duar ishte tym dhe jo diell.

8. Dëgjomëni të gjithë ju gjykuesit e ligj të mëkateve të të tjerëve. Nëse është e vërtetë, dhe e vërtetë është, se “Mos gjykoni që të mos gjykoheni”(Matth. 7:2), atëherë jini të sigurt se për sa mëkate gjykuam të tjerët, qoftë shpirtërore ose trupore, do të biem vetë në to dhe nuk është e mundur të ndodhë ndryshe.

9. Sa janë gjykues të ashpër dhe skolastikë të gabimeve të të tjerëve mund të munden nga kjo dëshirë, sepse ende nuk krijuan për vete një përkujdesje të plotë. Kush heq “mbulesën e egoizmit” dhe sheh me përpikëri të këqijat e tij, për asgjë tjetër nuk do të përkujdeset në jetë, duke menduar se jeta e tij nuk i del për të shlyer mëkatet dhe nëse do të rronte 100 vjet edhe nëse do të shihte gjithë lumin Jordan të dilte nga sytë e tij si lot.

10. Demonët na shtyjnë me forcë ose të mëkatojmë, ose të gjykojmë ata që mëkatojnë, që me këtë të infektojmë të parët. Predikimet, veprat dhe veprimtarinë e të tjerëve i gjykojmë dhe i përhapin me kënaqësi dhe lehtësi, duke qenë të mposhtur dhe të shtypur mizorisht nga shpirti i urrejtjes.

11. Gjykimi është rrëmbim brutal i së drejtës së Perëndisë, ndërsa shpifja është shkatërrim i shpirtit të atij që shpif.

12. Ashtu si ai zogu që ha vetëm kokrrat e pjekura të rrushit dhe lë të paprekura kokrrat e pabëra, ashtu dhe njeriu i mirë e i ndërgjegjshëm ato virtyte që sheh tek të tjerët i vë në dukje me korrektësi, ndërsa njeriu i keq kërkon të metat dhe i gjykon.

13. Ashtu si fodullëku që edhe pa pasur pasion tjetër mund të shkatërrojë njeriun, kështu edhe gjykimi, ndonëse ekziston brenda nesh, mund të na dëmtojë plotësisht, pasi veç të tjerave edhe fariseu i paravolisë u dënua për shkak të saj.

14. Mos gjyko edhe nëse diçka e sheh me sytë e tu, sepse ata shumë herë të mashtrojnë.

Shkëputur nga libri “Shkalla”